Zbulohet varri i Besim Nurit në Lushnjë

    599
    Sigal

    Atdhetar, mbështetës i Kuvendit të Vlorës. Në 17 mars 1920 i shkroi letër Presidentit Amerikan Uillson për mbrojtjen e Shqipërisë

    Besim Nuri, patriot, një ndër figurat më të shquara të viteve ‘20 të qytetit është njeriu që bëri gjithçka për Lushnjën. Me punën dhe përkushtimin e tij, ai ka lënë gjurmë në historikun e këtij qyteti, në brezat e banorëve dhe më gjerë… Besim Nuri u lind në Berat në muajin gusht të vitit 1883. Mësimet e para me shkrim i mori në gjuhën fetare, arabisht. Shkollën e Mesme e kreu në Berat, ndërsa studimet e larta i vazhdoi në Itali dhe Stamboll. Besimi Nuri fliste rrjedhshëm disa gjuhë: Turqisht, Italisht, Arabisht, dhe Frëngjisht. Shkrimin e gjuhës shqipe e mësoi në mënyrë autodidakte. Në vitin 1907, erdhi familjarisht në Lushnjë. Këtu ai u shqua për veprimtari atdhetare. Në janar të vitin 1909, e gjejmë në krye të një demonstrate, bashkë me shumë patriotë lushnjarë për të kundërshtuar vendimet e pa drejta të administratës osmane në kurriz të popullit lushnjar.

     ARRESTIMI

    Gjatë protestës Besim Nuri, i cili në atë kohë ishte vetëm 26 vjeç, u arrestua me akuzën si shkaktar i “turbullirave”. Në burg ai torturohet barbarisht, por ‘shpirtin i tij luftarak’ dhe ‘etjen për drejtësi’, osmanët nuk e mposhtën dot. Më pas ata e lanë të lirë.

    Besim Nuri ishte një mbështetës i flaktë i Kuvendit të Vlorës dhe vendimeve të tij. Në dhjetor të vitit 1919 në kohën kur po bëheshin përgatitjet e fundit për thirrjen e Kongresit në Lushnjë, Besim Nuri mbante postin e Kryetarit të Bashkisë. Marrja përsipër e zhvillimit të Kongresit në Lushnjë ishte një përgjegjësi e madhe, kjo mund ti kushtonte dhe jetën, por dashuria e madhe për Atdheun, e çuan atë të merrte parasysh “kërcënimet dhe bajonetat e të huajve’.

    ATDHETARI

    Një thënie e tij “Për nder e liri u bëmë ballë bajonetave të huaja, e kemi thirr këtu (në Lushnjë) vëllezërit në besë që sot është Shqipnia e liberueme”. Në vitin 1925, burgoset nga regjimi i kohës. Si rezultat i protestave të popullit të Lushnjës ai lirohet nga burgu. Vdiq në Lushnjë, më 17 Mars 1935. Sipas dëshmive, Besimi u varros në dalje të qytetit të Lushnjës në vendin e quajtur “Kodra e Kalifas”, aty ku dhe ai kishte lënë amanet të varrosej.

    GJETJA E VARRIT

    Vetëm disa ditë më parë, më datë 27 shkurt 2014, u arrit të përcaktohet varri i tij. Në gurin e varrit shkruhej: “Velhac Ylbaki.

    (Osmanisht). Pastaj vijon në shqip: “Qëndro o ti që paraks. fle Besim Nuri”. l. 8. 1883 vd. 17. m. 1935. Më saktë, shkrimi është: “Qëndro o ti që para kësaj fle Besim Nuri”. Vlen të përmendim se sipër mbishkrimit gjendet i skalitur një yll me gjashtë cepa, por që ruhen vetëm tre prej tyre.

     Besim Nuri, letër Presidentit Uillson

    Më datë 17 mars 2014, mbushen plot 94 vjet nga dita që ish-krye bashkiaku i Lushnjës z. Besim Nuri, i shkruante letër Presidentit të Amerikës z. Uillson. Çfarë të bie në sy duke lexuar këtë letër të shkruar afër një shekulli më parë? Së pari, spikat fryma patriotike, atdhedashuria e autorit për t’iu gjendur vatanit në këtë kohë të vështirë, kur 1913-ta e kishte copëtuar vendin mes shovinistëve fqinjë. Së dyti, autori paraqitet si një burrë inteligjent, i kulturuar, njohës i situatës botërore përderisa ka ditur të zgjedh një mik të tillë amerikan, si personin më me influencë prej të cilit kërkon ndihmën shpëtimtare të vendit. Së treti, shfaqet besimi, shpresa dhe lutja që i bën ai Naltmadhënisë Uillson që të ndërhyjë për të mos lënë fqinjët imperialistë lakmitarë të fusin duart në tokën tonë, por edhe e sinjalizon atë se në të kundërt, kjo do të shkojë deri “me derdhë gjakun…” Ja si shkruan mes të tjerave Besim Nuri në këtë letër: “…Shkëlqesisë së Tij Uillson, kryetar t’Amerikës i Shteteve të bashkuem Uashington. Shqiptarët që kanë mbështetun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh.S’Uaj, sot iu luten të të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshirmadh që jeni tye kryer për shpëtimin e atdheut tyne. I nalti kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me dedhë gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet 1913-s, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufitë natyrale ethnografike të sh. S’uej nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike”. Kryetari i Katundarisë së Lushnjës. Lushnjë, më 17.3.1920”

    Niko Ferro

    Muharrem Sharka