Zbulohet rrjeti i falsifikimit të viteve të punës për pension

    296
    Sigal

    Ish-zyrtarë dhe ish – punonjës të disa ndërmarrjeve shtetërore, të cilët janë zbuluar dhe akuzohen për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës, janë bërë objekt i drejtësisë. Prokuroria dhe policia kanë nisur hetimet ndaj ish – drejtuesve dhe personelit të  tre ndërmarrjeve shtetërore, dy prej të cilave të mbyllura qysh në vitin 2006, pasi këto të fundit kanë falsifikuar dokumente për efekt pensioni për dhjetëra persona. Procedimi i tyre penal ka ardhur pas denoncimit që është bërë nga stafi i ri i personelit , i cili ka vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë dosje të përfituesve të padrejtë të pensionit të pleqërisë. Ndërhyja abuzive në regjistra është konstatuar, në momentin kur është ndërruar stafi. Bëhet fjalë për shtetas, të cilët nuk kanë punuar ose që kanë punuar diku tjetër, të regjistruar në dokumentet e ndërmarrjeve të Durrësit, për arsye të përfitimit të pensionit. Në shumicën e rasteve këta persona kanë punuar në kooperativa ose ferma. Ata rezultojnë të regjistruar në regjistrat e ndërmarrjeve prej vitesh, apo ndërmarrje të tjera që kanë vite që kanë shpallur falimentin. Ndërkohe kjo shkelje është konstatuar prej kohësh , dhe vetëm pak javë më parë është bërë denoncimi në organet e drejtësisë. Madje përfitues të pensionit në mënyrë të kundërligjshëm nuk janë vetëm ish punonjës të kooperativash bujqësore, por edhe persona që nuk kanë punuar fare, ose që kanë punuar në minierë. Të gjithë këta shtetas, që nuk kanë mbushur vitet për të përfituar pension të plotë, janë të moshave të ndryshme, dhe kanë vazhduar të marrin pensione. Një praktikë e tillë është bërë edhe në shumë ndërmarrje të tilla tashmë të mbyllura, por në një pjesë prej tyre djegia e dokumenteve gjatë viteve 1997 – 1999 nuk i ka dhënë mundësi drejtësisë të veprojë. Pikërisht kjo ka qenë edhe koha më e “artë” për falsifikatorët dhe në këto rrjete janë përfshirë punonjës të këtyre ndërmarrjeve. Për të gjitha rastet e përfitimit të pensionit në mënyrë fiktive, përfituesi jepte parapagim një pagë vjetore e cila më pas ndahej mes falsifikatorëve. Hetimet kanë nisur që në muajin janar 2014, pas kallëzimit të bërë nga drejtuesit e rinj të ndërmarrjeve për ndërhyrje në regjistra e arkiva. Sipas burimeve nga organi hetimit,gjatë kontrollit të regjistrave, ka rezultuar i vërtetë denoncimi dhe për të arritur në zbardhjen e plotë të çështjes janë marrë në pyetje mbi 60 shtetas. Të akuzuar për falsifikim janë zyrtarë dhe punonjës nga zyrat e personelit . Për veprën penale të mashtrimit, sipas nenit 186, paragrafi 3, masa për këta punonjës arrin me dënim deri në shtatë vjet burg. Falsifikimi i dokumenteve, është kryer nga punonjësit e shtetit, pas marrjes së ryshfeteve. Historia ka nisur vite më parë , ku 85 persona janë regjistruar si punonjës definitivë, por hetuesit për arsye hetimi po mbajnë sekret të dhënat. Sipas llogaritjeve rezulton se këto shkelje i kanë kushtuar arkës së shtetit miliona lekë humbje. Pas pak ditësh kjo çështje pritet të shkojë në gjykatë dhe të merren të pandehur edhe personat përgjegjës. Mësohet se janë nën hetim punonjës të sigurimeve shoqërore si dhe punonjës së gjendjeve civile, pasi kanë ndihmuar në falsifikimin e regjistrave.