Zbulohet godina e Konsullatës Ruse, startoi aktivitetin diplomatik 206 vjet më parë

    36

     EKSKLUZIVE/Historiani Hametaj: Konsulli i parë, Ivanovi, u martua me një vendase, vdiq e u varros në Vlorë

    Zbulohet në qytetin e  Vlorës një godinë e lashtë që ka shërbyer si Ambasadë Ruse në këtë qytet që 206 vite më parë. Godina ndodhet jo më shumë se 20 metra larg asaj të bashkisë, por paradoksalisht, ‘nuk është parë’ deri tani… Zbulimi u arrit falë interesimit të Leonid Abramov, ambasadorit rus në Tiranë dhe dokumenteve të kohës që ka historiani vendas Agim Hametaj… Mësohet, gjithashtu, se konsulli i parë rus në këtë qytet, Ivanov, ka qenë i martuar me një vajzë vendase, e se ka vdekur e është varrosur në Vlorë. Pritet që këto ditë, Ambasada Ruse në Tiranë e vendorët, në kuadër të aktiviteteve për 100- vjetorin e Pavarësisë, të vendosin një pllakat në këtë godinë historike…

    NË GJURMË TË ZBUULIMIT

    Fiks 100 ditë më parë, në Vlorë bëri një vizitë Ambasadori fuqiplotë i Rusisë, zoti Leonid Abramov. Ai kërkoi një takim me drejtuesit e bashkisë së qytetit, enkas për të zbuluar godinën dhe gjurmët e Konsullatës Ruse që ishte çelur në vitin 1806, pra, 206 vjet më parë. Në bisedën me dy nënkryetarët e bashkisë Ilir Banushi dhe Arben Beqiri, ai u shpreh: “Jemi shumë të interesuar për të gjetur gjurmët e godinës që ka shërbyer si konsullatë e Rusisë në Vlorë, ndonëse bëhet fjalë për 2 shekuj e 6 vjet më parë. Misioni diplomatik ka nisur më 13 mars të vitit 1806, kur Car Aleksandri emëroi Konsullin e parë rus në Vlorë. Nga arkivi, mësohet për kontributin që ka dhënë Konsullata për nxënësit e shkollave. Më parë, me urdhër të Katerinës së Madhe, në San-Peterburg, nisi mësimi i gjuhës shqipe. Dëshirojmë që të vendosim një pllakë në vendin, ku ka qenë Konsullata Ruse. Kjo të bëhet në kuadër të 100 -vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Më pas të grumbullojmë të dhëna rreth aktivitetit të kësaj konsullate në Vlorë, çka tregon lidhjet e miqësisë së hershme midis dy vendeve tona, duke filluar me Vlorën”. Kjo ka qenë kërkesa e krye diplomatit rus.

    Dy nënkryetarët e bashkisë, kanë ngritur supet, por kanë premtuar se do të interesohen për këtë problem. Shoqata Rusi-Shqipëri, dega Vlorë, në kërkim të fakteve.

    KËRKIMET

    Kryetari i kësaj shoqate, Kasem Spahiu, rrëfen se posa mori porosinë nga  Ambasada, u vumë në punë. “Menjëherë do të kontaktojmë me historianë, drejtues vendorë e faktorë të tjerë të komunitetit në kërkim të këtij fakti dhe sapo të konstatohet ndonjë e dhënë, do të ri kontaktojmë me ‘to”, -pohon kryetari Spahiu. Pas kësaj porosie,  Spahiu thotë se u vunë në pozitë aktive dhe trokitëm në bashki duke kërkuar ndihmë. Në stendat e muzeut, por edhe nga biseda me drejtorin e muzeut historik, nuk  kishte asnjë gjurmë të ekzistencës së kësaj konsullate. Madje, kjo kërkesë shkaktoi çudi. Në biseda të ndryshme me ditë të tëra, gjendet dhe njeriu që kishte dijeni e dokumente për vend ndodhjen e Konsullatës Ruse. Ai është historiani Agim Hametaj, që ka hulumtuar për  një gjysmë shekulli për ngjarjet e Vlorës. Na tha se shtëpia 206-vjeçare është në lagjen ‘Vrenez’, e se ai disponon foto dhe se aty banojnë disa familje.

    AMBASADORI

    Pasi ka marr informacionin e parë për vend ndodhjen e godinës së dikurshme të konsullatës ruse në Vlorë, i menjëhershëm ka qenë interesimi i drejtuesve të ambasadës në Tiranë. Me të marr informacionin, ambasadori Abramov tha: “Po nisem menjëherë për në Vlorë”. I emocionuar, ambasadori ka mbërritur në Vlorë për të biseduar personalisht dhe për t’i parë gjërat nga afër. Mësohet se javën e ardhshme ai ka lënë takim me kryetarin e bashkisë së Vlorës, për të biseduar ndër të tjera se kur mund të lihet ceremonia e vendosjes së pllakës në murin e jashtëm të banesës.

    GODINA SHEKULLORE

    Godina shekullore ndodhet 200 metra larg bashkisë së qytetit.

    Për një gazetar profesionist, rënia në vesh e këtyre të dhënave, është detyrë të nxitojë ti bëjë publike. Kjo, jo thjeshtë për të marrë ekskluzivitetin, por edhe për të nxjerrë të veçantat, gati të pabesueshme. Në rastin konkret, mendohet se kemi të bëjmë me të dhëna shumë interesante, që nuk i dinë historianët, nuk figurojnë nëpër muzetë e qytetit. Madje, kurioziteti shkon më tej, kur mëson që kjo banesë është vetëm disa metra larg bashkisë. Në një farë mënyrë, Ambasadori Rus në Tiranë, po bën sfidën duke ju mësuar historinë e qytetit të Vlorës, njerëzve që paguhen në këtë detyrë, duke u dhënë edhe një mësim të mirë drejtuesve të pushtetit vendor.

    HISTORIANI HAMETAJ

    Historiani Agim Hametaj pohoi se ka 40 vjet që e di këtë fakt, si dhe shumë të tjera, por nuk thotë se përse nuk e ka publikuar deri tani këtë fakt. Takimi dhe biseda me këtë Hametajn, ishte interesante. Në shënimet e tij, prof. Bardhosh Gaçe, do të cilësonte Hametajn “Brilanti” që kanë në memorie historinë shumëshekullore të Vlorës. Ai është një historian i lindur, nuk e ka në profesion, por që ka hulumtuar qëkur ishte 10 vjeç për të mësuar nga goja e të moshuarve historinë e shumë shekujve, të cilat i ka hedhur në një ditar dhe më pas i ka shoqëruar me foto, skica etj”. Gaçe shton më tej se Hametaj ka biseduar me rreth 700 pleq, ka bërë 10 mijë km në këmbë, për të hedhur dritë mbi ndodhi. Ai shpreson se një ditë do të ndihmohet edhe nga shtetit për të trajtuar gjithçka ka hulumtuar deri tani,për të parë dritën e botimit. Hametaj njihet nga kolegët, bashkëpunëtorët e qytetarët si “Arkivi i Vlorës”. Ndaj shpresohet se, ai mund e do të hedhë dritë mbi këtë ngjarje të re e tepër interesante, aktivitetin e hershëm të një konsullate ruse në Vlorë. “Unë e kam ditur prej 30 vjetësh, por nuk më ka pyetur njeri. Këto fakte i kam grumbulluar shumë vite më parë”,- shton me modesti Hametaj.

    Zoti Hametaj, si ratë në gjurmë të këtij fakti?

    -Fillimisht, nga bisedat me të moshuarit, teksa po më tregonin për Sheshin e Kateqit, që është ngjitur me këtë godinë. Pastaj verifikova gjithçka, që ka lidhje edhe me lagjen Vrenez. Madje, ishte ky fakt, që më imponoi që të interesohem edhe për përfaqësitë diplomatike që ka pasur Vlora.

    Cila është historia e kësaj banese që u shndërrua në Konsullatën Ruse?

    -Kjo banesë ka qenë pronë e disa biznesmenëve nga Opari i Korçës, që pasi falimentuan ia shitën fisit Varvaricam në Vlorë. Këta, më pas ia shitën një qytetari me emër, Sefer Sorës. Unë e kam të faktuar që shteti rus i paguante 300 napolona flori pronarit. Konsullata ka nisur aktivitetin e saj diplomatik në mars të vitit 1806 dhe e ka ndërprerë në vitin 1912, kur Shqipëria shpalli pavarësinë. Është konsullata më e vjetër dhe pas saj është ajo Austriake.

    Ju mendoni se Konsullata ruse ka funksionuar që nga 1806 deri më 1912, që u shpall Pavarësia?

    -Ka pasur edhe ndërprerje, kjo për shkak të politikave të kohës.

    Ndonjë histori të veçantë rreth aktivitetit të saj?

    -Kam të dhënat se sa ushtarë ishin, ka pasur një personel pre 7-8 rusë, ishte konsulli, që flitet se e kish emrin Ivani, nënkonsulli, karrocieri, kuzhinieri. Por interes paraqet historia e dashurisë e rusit të bardhë, që është përcjellë deri në ditët e sotme si legjendë.

    Mund ta tregoni diçka në këtë aspekt?

    -Në fakt e them për herë të parë publikisht. Ka qenë diplomat në Konsullatë dhe gjatë kohës që shërbente aty njohu dhe u dashurua me një vajzë të bukur. Ishte beratase me origjinë, nga fisi i Qypajve, fis që më vonë u konvertua dhe mori mbiemrin Kolea. Nga dashuria që kishte për vajzën, jo vetëm u martua me atë, por qëndroi në Vlorë deri sa vdiq. Bëhet fjalë për në vitet 40 të shekullit të kaluar dhe ndoshta për këtë shkak, banorët e lagjes së vjetër të Vlorës dhe ata të Sheshit të Kateqit, e veçuan nga rusët e tjerë duke i vënë epitetin “rusi i bardhë”. Fatkeqësisht, nuk patën trashëgimtarë. Si ortodoks që ishte u varros tek varrezat e vjetra që kanë qenë në afërsi të Kinoteatrit, aty ku u varros më vonë i madhi Sulejman Delvina. Unë kam qenë 15 vjeç kur i kam parë me sy ato varre… Dua të theksoj se, Konsullata Ruse ka pasur një emër të mirë, ka dhënë ndihma të mëdha për shkollimin e fëmijëve, ishte shumë e lidhur me qytetarët dhe personeli manifestonte miqësi me komunitetin…

    Si e priti ambasadori rus rrëfimin tuaj për Konsullatën?

    Më bëri shumë përshtypje, ishte shumë i prekur dhe i emocionuar, që u gjend godina. U befasova që erdhi menjëherë në Vlorë, më takoi dhe  javën e ardhshme do të vij përsëri për të vendosur një pllakë në faqen ballore të godinës… Ishte shumë mirënjohës dhe pashë që e vlerësonte shumë historinë e vendit të tij.

    Banorët, letër ambasadorit: Mbetëm pa strehë, na ndihmo!

     Ndërsa presin që javën tjetër të vijë ambasadori rus për të parë banesën e tyre- dikur Konsullata Ruse- familjet e strehuara në këtë godinë kanë përgatitur një letër, që do t’ia japin atij sapo të vijë në këtë qytet. “Kërkojmë ndihmën e Ambasadës Ruse, sepse shteti ynë po na hedh në rrugë. Jemi të shqetësuar… Godina do t’u kthehet ish-pronarëve…  Gëzohemi se u gjet godina e ish-Konsullatës, por hidhërohemi se mbetemi pa çati në kokë”,- shprehen banorët. Kështu, këta banorë të shtëpisë së vjetër në lagjen “Vrenez”, që pritet të marrë një emër të madh, pasi do të vendoset pllaka përkujtimore në hyrje të saj, bëjnë apel për ndihmë. Shpresa jonë,- thonë ata- është ambasadori rus dhe Zoti që na sheh lart.

    Bashkia: Do të kontribuojmë për njohjen dhe evidentimin e vlerave

     Bashkia Vlorë, angazhohet për kontributin e saj në këtë drejtim. “Ky është një lajm i gëzuar edhe për bashkinë, për komunitetin dhe bashkia do t’i përgjigjet kërkesave që do të shtrojë Ambasada Ruse. Ky zbulim, është dhe për ne një ngjarje e rëndësishme pasi lidhet me kulturën e qytetit tonë të lashtë, me marrëdhëniet që ka patur Vlora me qytetërimin e lashtë lindor e perëndimor. Për më tepër, që kjo ndodh në vitin e 100- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë”,- pohon për ‘Telegraf’, Arben Beqiri, nënkryetar i Bashkisë së Vlorës. Më tej ai shton se, kontributi i vendorëve për të evidentuar këto vlera, do të jetë i gjithanshëm. Ndërkohë, problem mbetet fati i familjarëve që aktualisht strehohen në këto banesa. Sipas tij, në ditët në vazhdim, do të punohet që problemi i banorëve të zgjidhet në përputhje me ligjet në fuqi.