Zbulimi shekullor në fizikë, Ajnshtajni kishte të drejtë

814
Sipas fizikës, valët gravitacionale konsiderohen si vibrime të kurbaturës së hapësirë-kohës, të cilat shumohen në formën e valëve dhe lëvizin duke u larguar nga burimi që i shkakton ato (Ajnshtajn, 1916). Parashikuar në vitin1916 nga Albert Ajnshtajn, bazuar mbi teorinë e përgjithshme të relativitetit, valët gravitacionale transportojnë energjinë në formën e rrezatimit gravitacional (Ajnshtajn, 1918). Ajnshtajni bëri këtë parashikim njëqind vjet më parë. Njerëzimi mundi ta provonte këtë dukuri vetëm disa ditë më parë, në sajë të përdorimit të një teknologjie të avancuar dhe shumë të ndjeshme, e cila bëri të mundur observimin real të valëve gravitacionale.
Nga burojnë këto valë? Hipotezat që ngrihen rreth valëve gravitacionale pohojnë se burimi i tyre lidhet me dukurinë e zgjerimit të vazhdueshëm të universit, zgjerim ky që ndodh në shpejtësi më të mëdha se ajo e dritës, fillesa e së cilës lidhet me shpërthimin e madh (Overbye, 2014). Teoria e shpërthimit të madh (Big Bang) përpiqet të shpjegojë fillimin e universit ku ne jetojmë. Një pikë e vetme, me vëllim zero dhe densitet të pafundmë, në një moment të caktuar shpërthen për të formuar çdo gjë që sot ne mundemi ose jo ta observojmë. Shpërthimi u shoqërua me një sasi të madhe energjie të çliruar dhe krijoi planetët, yjet, galaksitë, diellin, tokën dhe gjithçka tjetër. Krahas krijimit të materies, shpërthimi i madh mendohet se prodhoi edhe valë gravitacionale.
Brajan Grin (Brian Greene), shkencëtar i astrofizikës moderne, i referohet valëve gravitacionale si gurgullima të pëlhurës që thur universin. Njësoj si valët që formohen kur një gur hidhet mbi sipërfaqen e ujit, ashtu edhe graviteti, njësoj si guri, valëzon hapësirën. Ky zbulim i mrekullueshëm i ditëve të fundit është shumë i rëndësishëm sepse hap një derë të re për të kuptuar universin duke ndryshuar njëherë e mirë ligjet e fizikës. Ligjet e Njutonit ende zbatohen, por ato dështojnë të shpjegojnë universin në një shkallë të gjerë. Nga ana tjetër, Ajnshtajni provohet se ka të drejtë, përsëri.
Për të kuptuar valët gravitacionale, fillimisht duhet të kuptohet teoria e përgjithshme e relativitetit. Në 1915, Ajnshtajni zbuloi se hapësirë-koha është si një rrjetë e sheshtë e cila kurbëzohet dhe mblidhet nga objekte të rënda, sic mund të jetë një planet apo një yll. Kjo rrjetë e kurbëzuar mendohet se është pëlhura që thur hapësirën e universit. Dielli për shembull krijon një hulli të madhe në këtë rrjetë dhe planetët që gjenden pranë fillojnë të rrotullohen rreth tij, në përpjekje për tu afruar gjithmonë e më shumë, derisa të përplasen me të, shkruan Është distanca si dhe bashkëveprimi gravitacional që nuk lejon përplasjen totale të planetëve me diellin shkruan “We Speak Science. Në qoftë se do ta mendojmë rrjetën e hapësirës si një trampolinë, sipas Ajnshtajni është e mundur që një vrimë e zezë apo yjet neutron, të cilët karakterizohen nga forca gravitacionale shumë të mëdha, të jenë në gjendje të vibrojnë rrjetën e kësaj trampoline duke krijuar valë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme në hapësirë. Yjet neutron apo një vrimë e zezë janë si fëmijët e zhurmshëm, të cilët hidhen vazhdimisht mbi trampolinë duke krijuar lëkundje të vazhdueshme të rrjetës së kësaj të fundit. Kjo dukuri, në pamje tё parё kaq e thjeshtë ofron një qasje të re për të kuptuar dhe shpjeguar mënyrën se si universi funksionon.
Pse valët gravitacionale janë kaq të rëndësishme? Deri më sot universi është observuar përmes dritës. Falë saj ne mund të vëzhgojmë dukuri të ndryshme fizike. Problemi me dritën qëndron në faktin se ajo nuk mundet të shkojë gjithandej. Për shembull, drita ngec në horizontin e një vrime të zezë. Kur ne mbyllim sytë, nuk jemi në gjendje të shohim sepse po pengojmë dritën të depërtojë brenda syve tanë. Në fjalë të tjera, drita dhe fotonet nuk mund të na japin informacione të mëtejshëm mbi universin. Nga ana tjetër, valët gravitacionale munden. Graviteti mund të depërtojë dhe të ndihet në çdo mjedis. Ai është i pranishëm në çdo centimetër të sipërfaqes së tokës; është aty kur mbyllim sytë; është aty kur drita nuk është. Duke e marrë këtë në konsideratë, themi se njerëzimi tashmë është në gjendje të observojë dukuri të cilat nuk janë observuar kurrë më parë. E gjitha kjo falë punës së një njeriu të vetëm, i cili krijoi një rrugë mahnitëse në të kuptuarin e universit. Ajnshtajni vetëm se u provua që kishte të drejtë. Edhe një herë tjetër; edhe një herë më shumë.
Sigal