Zbardhen kushtet e FMN-së për lëvrimin e kredisë

    391
    Sigal

    Ngritja e moshës së pensionit dhe “ngrirja” e masës së përfitimit

     Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i ka dhënë Shqipërisë kredinë prej rreth 330 milionë, me kushtin që qeveria shqiptare të rrisë moshën e daljes në pension për burrat dhe gratë dhe pensionet aktuale të mos pësojnë rritje, përveçse për të rimbursuar rritjen e inflacionit. Ndërkohë që, marrëveshja me FMN-në nënkupton 9 këste, i pari fillon këtë muaj, në mars dhe më pas do të vijohet në bazë të ecurisë dhe kërkesave të qeverisë. E ndodhur në një presion të tillë, qeveria është e detyruar të pranojë kushtet e FMN-së. Përndryshe rrezikohet kredia dhe si rrjedhojë shteti shqiptar do të përballet me rrisqe të mëdha, përsa i përket ekonomisë.

    FMN-ja thotë se burrat duhet të dalin në pension në moshën 67 vjeç nga 65 vjeç që është aktualisht, ndërsa gratë do të dalin në pension në moshën 65 vjeç nga 60 që është aktualisht. Për këtë Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkon ngritjen e shpejtë të një komisioni për reformën në fushën e pensioneve, me synim mbylljen e inflacionit brenda këtij viti.

    Sipas FMN-së pesha aktuale e pensioneve në buxhetin e shtetit është e rëndë dhe mund ta rëndojë edhe më tej situatën, për shkak të pagesave të ulëta të sigurimeve dhe mos deklarimit të pjesës më të madhe të të punësuarve të pagës reale. Një situatë e tillë ka shkaktuar hendek midis kontribuuesve dhe përfituesve, raporton Dhoma Shqiptare e Tregtisë dhe Zhvillimit Ndërkombëtar (ACITAD).

    FMN thotë se shqiptarët e punësuar dhe që marrin paga të mesme ose të larta, deklarojnë shumë pak pagën reale në tatime për të mos paguar më shumë sigurime shoqërore. Por kjo do të thotë gjithashtu se pensioni që do të marrin më vonë do të jetë gjithashtu më i vogël.