Zanetti: Argjentinasit s’e kuptojmë çfarë është Messi për botën

581
Sigal

Simbol i Interit. Pas 19 sezoneve, ku ka dhënë gjithçka në fushën e blertë, tani po drejton nga zyrat. Javier Zanetti (Buenos Aires, 1973) e pret Barçën si zëvendëspresident i Interit. Në një intervistë për “Marca”, ish-kapiteni legjendar i zikaltërve shprehet.

Interi vazhdon të rritet, në çfarë pike është tani?
Ky është një klub, ku ka shumë për t’u bërë. Ne jemi në një moment shumë të fortë dhe pozitiv, veçanërisht nga investimi kinez. Ka ende shumë hapësirë ​​për përmirësim, në gjithçka. Interi vjen nga një fazë e vështirësive, por me ardhjen e Suning, gjithçka u ristrukturua. Për të përparuar e kemi rrethuar veten me njerëz, që e dinë se çfarë është ADN-ja e Interit. Unë punoj në projektet kryesore, në vlerësimin e markave, ndikimin social dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, që e kanë ndihmuar klubin shumë.

Rikthimi në Ligën e Kampionëve, a ishte objektivi kryesor?
Kualifikimi për në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar ishte pika fillestare. Për ne është e rëndësishme të kemi vazhdimësi në këtë kompeticion, të jemi gjithmonë në Champions, por përtej rezultateve të mira, duhet të jemi një klub i qëndrueshëm dhe të rritemi në të gjitha fushat.

Çfarë pret nga Barcelona në Milano?
Unë pres një lojë shumë të komplikuar. Barcelona ka cilësi në të gjitha repartet e saj, por edhe Interi i ka të gjitha kushtet për të triumfuar. Të dyja skuadrat vijnë në këtë përballje në një kohë të mirë. Unë nuk mendoj se do të shohim një Barça shumë të ndryshme, por do të sulmojë e të kontrollojë topin, si gjithmonë. Pra, do të bëjë të njëjtën gjë, sepse katalanasit kurrë nuk do ta ndryshojnë filozofinë e lojës së tyre. Ata do të duan të kenë rolin udhëheqës, por ne do të jemi në gjendje ta kundërshtojmë këtë.

A preferonit që Messi të ishte gati për këtë sfidë?
Është një kënaqësi për ta parë Messin, por shpresoj që ai të qëndrojë më shumë në stol… Duke e ditur se ka një dëshirë të çmendur për të luajtur, duhet t’i marrim masat për të në fushë.

Çfarë shije iu la ndeshja e parë me Barcelonën?
Në “Camp Nou” e filluam mirë, por Barça shtyu përpara me posedimin e topit dhe shënoi në kohën e duhur. Katalanasit shkuan në pushimin mes dy pjesëve të lojës me avantazhin 1-0 dhe kjo ishte e rëndësishme. Në pjesën e dytë e filluam mirë, por Barça shfrytëzoi sërish gabimet tona.

A keni frikë se Real Madridi do të kërkojë të marrë Icardin në janar?

Icardi është kapiteni ynë dhe referenca jonë, por ai është gjithashtu shumë i lumtur tek Interi. Ne nuk jemi në dijeni të asnjë interesi nga Madridi. Jemi të vetëdijshëm se Interi është një klub i shëndetshëm financiarisht, sa për të mos shitur yjet që kemi. Natyrisht, do të vazhdojmë të respektojmë “fair play financiar”.

A jeni të befasuar kur shihni Solarin në stolin e ekipit të parë të Real Madridit?
Unë e njoh Santi shumë mirë dhe e di se çfarë do të thotë Real Madridi për të dhe kjo mundësi që i paraqitet. Ai ka vlera të mrekullueshme si njeri, është një djalë shumë inteligjent, shumë i respektueshëm dhe me një ndjenjë të madhe të përkatësisë. Po formohet si trajner dhe ky hap do të jetë i rëndësishëm për të. Njohja e mirë e atmosferës së Real Madridit është zgjidhja më e mirë për të dalë nga kjo situatë. Ai është shumë i përgatitur për të.

A përshtatet Antonio Conte me Real Madridin?
Për shkak të stilit të tij, personalitetit dhe përvojës së madhe, nuk më habit fakti nëse Real Madridi i beson atij për trajner.

Si po përjetohet prania e Cristiano Ronaldos në Itali?
Ardhja e Cristianos e ka bërë më tërheqës kampionatin italian, por ka rritur shumë edhe konkurrencën. Sepse, tani kërkohet më shumë cilësi për kundërshtarët, që ta përballojnë një lojtar si ai. Futbollit italian, gjithashtu, i bën shumë mirë prania e një sulmuesi si CR7.

Si e konsideroni largimin e një trajneri, në situatën e Lopetegui?
Ju duhet të jeni të duruar me trajnerët dhe t’u jepni kohën e nevojshme. Është e rëndësishme që klubi të jetë i bindur për këtë, që të bëhet një plan strategjik dhe të mos dyshohet, kur vijnë momentet e këqija.

Çfarë parashikoni për “Albiceleste”?
Pikërisht kjo është ajo që mungon në ekipin argjentinas, derisa të ketë një projekt dhe një trajner afatgjatë. Që të gjithë njerëzit atje janë të trajnuar. Argjentina merr lojtarë të mirë vazhdimisht, por për t’i bërë gjërat të shkojnë në drejtimin e duhur, ka ende shumë për të punuar. Presioni që ka pësuar brezi i fundit i futbollistëve argjentinas ka qenë i lidhur me tri finalet e humbura. Ne jemi një vend i suksesshëm në futboll, por nuk mund ta matësh një grup lojtarësh vetëm për këtë.

A mendoni se Messi do të jetë në këtë projekt të ri?
Leo është aq i madh, saqë duhet ta gëzojmë shumë më tepër. Ne argjentinasit nuk e kuptojmë çfarë përfaqëson Messi për të gjithë botën.