Zanafilla e ushtrimit pastoral të pushtetit

    546
    Sigal

    Zhvillimi i “teknologjisë pastorale” për qeverisjen  e njerëzve i tronditi mesa duket fund e krye strukturat e shoqërisë së lashtë

    Dihet se pushteti politik, në shoqëritë europiane, është zhvilluar drejt formash gjithnjë e më të centralizuara. Prej dekadash tashmë, ky organizim i shtetit, me administratën dhe burokracinë e vet, është bërë objekt i studimit të historianëve.

    Ndërkohë që, këtu, do të doja të sugjeroja mundësinë e studimit të një tjetër ecurie dhe zhvillimi të marrëdhënieve të pushtetit. Një shndërrim që është ndoshta më pak i njohur, edhe pse kam përshtypjen se është po aq i rëndësishëm, sidomos për shoqëritë moderne. Në pamje të parë, një zhvillim i tillë duket se bie ndesh me atë që shpie drejt shtetit të centralizuar. E kam fjalën për ato teknika pushteti të drejtuara kah individëve dhe që synojnë t’i drejtojnë ata në mënyrë të vijueshme dhe të pandalur. Nëse shteti është forma politike e pushtetit të centralizuar dhe centralizues, atëherë këtë pushtet individualizues le ta quajmë pastoral.

    Fillimisht, do të paraqes, në vija të trasha, zanafillën e kësaj mënyre pastorale të ushtrimit të pushtetit, ose të paktën disa nga elementët e historisë së tij në lashtësi. Më pas, në një  konferencë të dytë, do të përpiqem të tregoj se si, në kohët e vona, një pushtet i tillë u gjend i ndërthurur me të kundërtin e vet, pra me shtetin.

    * * *

    Ideja se, Zoti, hyjnia, mbreti apo udhëheqësi është një lloj bariu që ndiqet nga kopeja e deleve nuk ishte pothuaj aspak e pranishme te grekët dhe romakët. Sigurisht, ka përjashtime madje, duke nisur që nga letërsia homerike, deri në disa tekste e Perandorisë së Vonë. Do t’i rikthehem më pas, por, në vija të trasha mund të themi se metafora e bariut dhe e kopesë mungon te tekstet e mëdha politike, si greke, ashtu dhe romake.

    Ndërkohë që gjendja paraqitet ndryshe në rastin e shoqërive të lashta orientale, si Egjipti, Asiria, krahina e Judesë etj.. Faraoni egjiptian shihej si bari. Dhe në fakt ditën e kurorëzimit, merrte ndër të tjera edhe shkopin e bariut; po ashtu, monarku i Babilonisë, ndër të tjera, gëzonte dhe titullin “bari i njerëzve”. Zoti po ashtu ishte bari dhe i udhëhiqte njerëzit në kullota, duke u siguruar kështu ushqimin. Ja si drejtohet një himn i vjetër egjiptian Amon-Reut: “O Ra, Ti që vigjilon ndërsa të gjithë njerëzit flenë, Ti që pareshtur kërkon më të mirën për kopenë tënde…”. Përafrimi i Zotit me mbretin është i natyrshëm, përderisa të dy luajnë të njëjtin rol dhe kopeja për të cilën kujdesen është po ajo; bariu mbretëror ka nën mbikëqyrje krijesat e bariut të madh hyjnor. “Udhëheqës i shquar kullotash, Ti që për tokën kujdesesh dhe e ushqen, Ti bariu me shumë bollëk”.

    Mirëpo, siç dhe dihet, tema pastorale u zhvillua dhe u përhap më së shumti nga hebrenjtë e lashtë, por gjithë duke marrë aty një trajtim të veçantë: Zoti dhe vetëm ai, është bariu  i popullit të vet. Ka vetëm një përjashtim pozitiv: duke qenë themelues i monarkisë, Davidi mund të thirret me emërtimin e bariut, ngaqë Zoti i pat besuar fillimisht misionin e mbledhjes së një kopeje. Por ka po ashtu edhe përjashtime negative: mbreti i keq krahasohet gjithmonë me bariun e keq; ai që shpërndan kopenë, që e lë të ngordhë nga uria apo etja, që e qeth vetëm për përfitim të vetin etj. I vetmi bari i vërtetë është Jahveu, i cili e udhëheq vetë popullin, i ndihmuar vetëm nga profetët. “Si një kope e udhëhoqe popullin tënd, me dorën e Moisiut dhe Aaronit”, thotë autori i psalmeve. Kuptohet se nuk do të shqyrtojë këtu as problemet historike që lidhen me zanafillën e një krahasimi të tillë dhe as evolucionin e tij brenda rrjedhave të mendimit çifut. Dua vetëm të prek disa tema tipike të pushtetit pastoral. Do të doja të nxirrja në pah dallimin mes tyre dhe mendimit politik grek, gjithë duke treguar rëndësinë që do të marrë më vonë kjo temë në mendimin e krishterë dhe institucionet politike përkatëse.

    1) Pushteti i bariut ushtrohet jo aq mbi një truall të caktuar sesa mbi kopenë. Situata në detaje është sigurisht më e ndërlikuar se kaq, por, në përgjithësi, marrëdhënia mes hyjnisë, truallit dhe njerëzve ndryshon nga ajo e grekëve. Hyjnitë greke zotëronin një truall të caktuar, dhe nga ky zotërim fillestar përcaktoheshin dhe raportet mes tyre dhe njerëzve. Në rastin e Zotit-bari, përkundrazi, fillestare dhe përcaktuese është marrëdhënia e tij me kopenë. Zoti i jep ose i premton një tokë kopesë së vet.

    2) Bariu mbledh, bashkon dhe drejton kopenë. Ideja se pajtimi i armiqësive dhe vendosja e unitetit brenda qytetit ishte detyre qe i takonte udhëheqësit politik është sigurisht e pranishme në mendimin grek. Mirëpo, bariu nuk realizon bashkimin e qytezës, por atë të individëve të shpërndarë, të cilët mblidhen kur dëgjojnë zërin e tij: “Do të fërshëllej dhe ata do të mblidhen”. Në rast të kundërt, mjafton të zhduket bariu dhe kopeja shpërndahet, domethënë se kopeja ekziston si e tillë vetëm falë pranisë konkrete dhe veprimit të drejtpërdrejtë të bariut. Ndërkohë që, legjislatori i mirë grek, siç qe Soloni, posa që i ka rregulluar konfliktet, mund të lerë pas një qytezë të fortë dhe të qëndrueshme, të pajisur me ligje që i mundësojnë të ekzistojë dhe pa të.

    3) Roli i bariut është të sigurojë mirëqenien e kopesë së vet. Edhe grekët thonin se hyjnitë e shpëtojnë qytetin; madje, udhëheqësi i mirë gjithmonë krahasohej me kapitenin e kujdesur që drejton anijen duke shmangur thepet e shkëmbinjve. Por kujdesi i bariut për shpëtimin dhe mirëqenien e kopesë është i ndryshëm. Puna nuk është vetëm të shpëtohen të gjithë, të gjithë së bashku, në raste rreziku. Kemi të bëjmë me një përkujdesje të vazhdueshme, të individualizuar dhe gjithmonë me një synim të caktuar. Përkujdesje e vazhdueshme, pasi bariu kujdeset për ushqimin e përditshëm të kopesë, në varësi të urisë dhe etjes së saj. Hyjnisë greke i kërkohej vetëm një tokë pjellore dhe të korra të bollshme, por nuk i kërkohej ushqimi i kopesë ditë për ditë. Por përkujdesje e individu­alizuar po ashtu, ngaqë bariu duhet të kujdeset për ngopjen dhe mirëqenien e secilës nga delet, pa përjashtim. Më pas, në mënyrë të veçantë te tekstet hebraike, ky lloj pushteti individualisht mirëbërës do të theksohet gjithnjë e më qartë: kështu, një komentar rabinik i librit të Eksodit, shpjegon përse Jahveu e bën Moisiun bariun e popullit të vet, atij i duhej të braktiste tërë kopenë, për t’u nisur në kërkim të së vetmes dele të humbur. Last and not least, kemi të bëjmë me një përkujdesje me synim. Bariu ka gjithmonë një qëllim të caktuar për kopenë e vet: ai ka për detyrë ose ta shpjerë në kullota të mira, ose ta kthejë shëndoshë e mirë në strehë.

    4) Ka dhe një dallim të fundit, që lidhet me idenë se ushtrimi i pushtetit përbën “detyrë”. Sigurisht, edhe udhëheqësi grek kishte detyrë të merrte vendime në të mirë të të gjithëve; po të vinte interesin e tij mbi atë të të gjithëve do të ishte një udhëheqës i keq e i padenjë. Mirëpo, detyra e tij ishte një detyrë e lavdishme: qoftë dhe jetën po ta jepte në luftë, kjo sakrificë shpërblehej me një dhuratë të paçmuar, që ishte fitimi i pavdekësisë. Si i tillë, ai nuk humbiste kurrë. Në të kundërt, përkujdesja pastorale i përafrohet më shumë vetëmohimit dhe “devotshmërisë”. Gjithçka që bën bariu e bën në të mirë të kopesë, pa pushuar. Ndërsa të tjerët flenë, ai vigjilon. Tema e vigjilimit është veçanërisht e rëndësishme, ngaqë nxjerr në dukje dy tipare të devotshmërisë vetëmohuese të bariut. Së pari, bariu vepron, punon dhe harxhohet për ata që ka në ngarkim t’i ushqejë e që flenë. Së dyti, kujdeset për ta, për të gjithë dhe secilin, pa humbur asnjërin nga sytë. Kështu që bariu duhet ta njohë kopenë në tërësi dhe në imtësi, të gjithë bashkë dhe secilin veç e veç. Duhet jo vetëm të njohë vendndodhjen e kullotave më të mira, ligjësitë e stinëve dhe rendin e gjërave, por të njohë poashtu nevojat e veçanta të secilës dele. Përsëri në njërin nga komentarët rabinikë të Eksodit, cilësitë pastorale të Moisiut përshkruhen si vijon: i shpinte delet në kullotë secilën sipas radhës – në fillim ato më të voglat, në mënyrë që të kullosnin barin më të njomë: pastaj më të mëdhatë, dhe në fund fare ato më të moçmet, të cilat mund të përtypin edhe barin e fortë. Pushteti pastoral nënkupton ushtrimin e një vëmendjeje individuale ndaj secilës kokë të kopesë. Të gjitha këto janë thjesht disa tema që zhvillojnë tekstet hebraike në raport me metaforën e Zotit-bari dhe popullit-kope. Nuk dua aspak të them se ishte vërtet e tillë forma e ushtrimit të pushtetit politik në shoqërinë çifute para rënies së Jerusalemit nën pushtimin romak. Madje as nuk dua të mbroj ndonjë farë koherence të një konceptimi të tillë të pushtetit politik. Dua vetëm të përvijoj disa tema, paradoksale vërtet, madje dhe kontradiktore, por të cilave krishterimi do t’u japë një rëndësi të veçantë sa në Mesjetë aq dhe në Kohët moderne. Ndër të gjitha shoqëritë që ka njohur historia, këto tonat – dua të them, ato që u shfaqën nga fundi i Lashtësisë në anën perëndimore të kontinentit europian – kanë qenë ndoshta më pushtueset dhe më agresivet; më të aftat për dhunën më të hatashme, sa ndaj vetes aq dhe ndaj të tjerëve. Ishin shoqëri që shpikën një numër të paparë formash të ndryshme politike, duke përmbysur nga rrënjët, sa e sa herë, strukturat më të thella juridike. Duhet të mbajmë parasysh se ato qenë të vetmet që zhvilluan një teknologji të çuditshme pushteti, ku shumica dërrmuese e njerëzve trajtohej si kope nga një grusht barinjsh, duke ngritur kësisoj me njerëzve një sërë raportesh komplekse, të vazhdueshme dhe paradoksale. Kemi të bëjmë padyshim me diçka të veçantë në gjithë rrjedhën e historisë. Zhvillimi i “teknologjisë pastorale” për qeverisjen e njerëzve i tronditi mesa duket fund e krye strukturat e shoqërisë së lashtë.

    Marrë nga libri “Pushteti dhe Dija”, Michel Foucault