Zaim Kuçi/ “Shqipëria në lotët e një femre…”

    799
    Sigal

    Nënë, motër, grua, bashkëshorte, vajzë, shoqe, të gjitha keni një emër gjinor: Femër – pak rëndësi ka statusi i juaj, po ju kujtoj një thënie që e meritoni vetëm ju, si një kërkesë e shoqërisë shqiptare, e cila ka nevojë për të ndryshuar atë, që ne ndjehemi keq dhe ju e keni vajtuar në vite: «Zoti nuk mund të ishte kudo dhe për këtë ka krijuar nënën».

    Brodha historinë e popullit tim në vite dhe, më shumë se kudo ju femrat shqiptare për nga gjerësia e vuajtjeve tuaja jeni hyjnesha, ju jeni paksa ndryshe nga femrat e tjera të botës, ky është këndvështrimi im për këtë emër të shtrenjtë.

    Unë i kthehem historisë së shkuar dhe sot duke sjellë si fakt se, të dyja pleksen dhe kanë shumë të përbashkëta që do desha t’i vektorizoja në një të vetme: dhimbje.

    Vite më parë ishin ato nëna dhe gjyshe, të ulura si në këtë foto varfërie, që nisnin në kurbet me lot në sy ndoshta për herë të fundit të dashurit e tyre. Ato i përcillnin dhe nuk e dinin se ku shkonin, veçse meditonin dhe ëndërronin natë e ditë, të mirën dhe të keqen – duke thënë: ata shkuan larg, shumë larg, – ardhshi shëndoshë. Të ulur në këtë prag varfërie, ato shkruan me lotët e tyre kaq shumë histori dhe kaq shumë poezi të dhimbshme.

    Dukej se ky prag ishte kthyer në një skenë drame, ku muajt e vitet rropasnin dhembshurisht zemrat e tyre nga pritjet e gjata që përfundonin, herë me gëzime dhe herë me hidhërime.

    Sa shumë vargje u thurën nga zemrat e lënduara të pritjeve të gjata dhe sa shumë këngë u kënduan për kurbetin e flamosur. Ato janë dëshmitare të së kaluarës së keqe, janë kujtesa për t’u mos harruar më, janë kujtesa që e ardhmja të mos i ngjajë më së shkuarës. Por nuk ndodhi ashtu. Ne i harruam sepse nuk ndryshuam, ato u rrokullisën për të na sjellë të tjera vargje, të tjera ngarkesa dhe të tjera lodhje- mbetëm në mërgim- mbetëm në halle.

    Vuajtjet nuk kanë kohë dhe epokë, ato kanë vijimësi të mirërregulluar, më shumë nga vet ne, prandaj duken se janë të përjetshme. Nënat në këngët e tyre vetëm i ndërruan emrin nga kurbet në emigracion dhe të tjera dhimbje u shtuan dhe mbetën ato në lotë që rrjedhin nga një mal hallesh të tjera të shoqërisë shqiptare.

    Këngët dhe vargjet u shtuan aq sa poetët dhe muzikantët duket se gjetën treg pune në ekonominë e tregut shqiptar; ato morën lehtësisht rrugët e vendit tim që ecën nuk e di se ku si një zog i plagosur, herë bie këtu e herë bie atje.

    Vitet u rrokullisën, por kohërat nuk ndryshuan, rituali është për të gjithë i njëjtë: «Bir po rri tek dera sa të mos shoh më nga sytë ».

    Me dhimbje i përcollën dikur nga ky prag, duke i ndjekur me sy deri te fundi i rrugës që e ndante ai gardh i oborrit të shtëpisë. Kohërat ndryshuan vetëm në mënyrën moderne të përcjelljes, sot ato i ndjekin deri tek ai mjet modern, qoftë ai : veturë, anije legale a ilegale, tek ngritja e zhurmës së avionit, deri sa të zhduken në horizont me një pikëllim pëshpëritës “bir i nënës, rruga t’u bëftë dritë, ik, …ndoshta nuk më gjen më“. Prapë, udhëtarët e rrugëve të largëta kthenin kokën dhe me siguri nuk mendonin atë që të dashurit e tyre thonin me zemër të ngrirë.

    Ata ktheheshin të harruar pas shumë e shumë vitesh. Ktheheshin me kujtimin e asaj dite përcjellje, por çfarë gjenin?  ….vetëm dhimbje duke kërkuar vendin ku prehej një qeskë kockash me një emër të gdhendur në gurin e përjetësisë dhe një mal kujtimesh që mbeteshin si brengë jete.

    Edhe sot në kohën e qytetërimit, është po ai ritual përcjellje dhe ajo pritje; asgjë në këtë botë nuk ka qenë më e vuajtur, më e dhimbshme se sa zemra e një gruaje shqiptare shekuj më pare, sot, ndoshta….jo për mot.

    Sa dhimbje mban përjetësisht kjo foto e kësaj anije të turpshme, ngarkuar me njerëz si mizat e dheut. Sa jetë shqiptarësh ka përpirë ai det i mallkuar, sa herë komshinjtë kanë mbytur gomonet-varkë të mbushura me fëmijë, gra dhe burra….nuk dihen se ku, duke lënë gjithmonë tek të dashurit shpresën se një ditë do të kthehen; duke fantazuar me kohën që kalon lloj- lloj portretesh e lloj- lloj alibish…i lamë pa varr. Por, sa herë ne, shtetformuesit kemi analizuar këtë fenomen si një ligësi përbindëshe të vendit?

    Ne ndërruan emrin e kurbetit duke e modernizuar atë, e quajtëm emigracion legal dhe ilegal pak e rëndësishme është statusi, e rëndësishme është që i larguam bijtë dhe bijat dhe për më keq, prapë e dëshirueshmja mbetet largimi sa më shumë nga ky vend, këtë e kërkon çdo shqiptar, i ndershëm dhe i pandershëm, e kërkon varfëria.

    Mbetën zemra të ndrydhura, si dikur vite e vite më pare, duke i pritur me orë, dite, muaj, vite të tëra tek pragu i derës së tyre. Erdhëm së fundmi në një “risi” të përbashkët, atë që çdo derë shqiptare zor se i ka shpëtuar botës të së keqes- traumës shqiptare dhe botës së largët të emigracionit.

    Edhe pse jemi futur në një shekull modern, tek ne, prapë lotët e qenies njerëzore – femër nuk gjejnë ndalesë, më keq se kaq lotëve u është shtuar një fenomen tjetër aq sa i turpshëm për t’u sjellë si ndodhi; u kemi ngarkuar sjelljen kafshërore të gjinisë tjetër, e cila sa vjen e rritet, herë me fjalë dhe herë me forcë, herë me thikë e herë me pushkë.

    Jetojmë në një shoqëri dekadente me interesa meskine të udhëhequr nga politikanë, fatkeqësisht pjellë e këtyre nënave që i dhuruan një shoqëri që noton në dilema.

    Shtetet ndërrojnë sisteme, ndërrojnë regjime, ndërrojnë qëndrime dhe pasurojnë shpirtra, ndërsa ne thurim, a na thurin fjalime me premtime të zellshme ata të kostumeve të bukura, ata që kanë privilegjin të na drejtojnë duke na zbrazur qenien dhe ftohur zemrat. …sepse në demokracinë e shumëpritur, vrullshëm na afruan sa shumë të këqija, përsëri largimin masiv të bijve tanë që nuk dihen se ku janë dhe shumë shpejt krijuam misionin « njerëz të humbur » me plot histori që trembin dhe fëmijët në barkun e nënës.

    E padëshirueshmja për vendin tonë është shkruar në kohë të ndryshme; keq shkroi strategu Albert Hart“E ardhmja e Shqipërisë së pavarur” apo Julian Amery në librin e tij “Bijte e Shqipes”, si dhe keq do të komentonte “The Nevv York Times” në më shumë se 100 vite më parë (v.1911), ku etiketohemi me definicione të çuditshme që nuk do të dëshiroja t’i shkruaja në këtë artikull.

    Për gjatë viteve nuk i vlerësuam këto definicione dashamirëse apo keqdashëse, por, ne gjithmonë nga podiumet e injorancës brohorasim, le t’i quajmë « ata » në fushë betejën e tyre të vjedhjeve dhe shkatërrimeve. Ata lozin me ne dhe ne heshtim…ky është rituali në vite i shqiptarëve.  Një vend i bukur dhe një popull i mrekullueshëm por, me drejtues … dashakeqës të programuar në kohë e në vite, ata fillojnë nga shef sektori/komandant skuadre (mundësisht) e deri President Republike. Kohë më parë Albert Camus do të shkruante : «Fatkeqësisht politika dhe fatet e njerëzimit merren në dorë nga njerëzit mediokër dhe pa ideale. Njerëzit e mëdhenj, nuk i futen kurrë politikës” ; definicion që i shkon mirë asaj çfarë ne kemi përftuar në vite prej tyre. Duket se historia jonë ka prodhuar shpesh herë grupime kundërshtarësh përballë njeri tjetrit duke sjell regres. Ajo që ka munguar gjatë historisë sonë midis vet shqiptareve ka qenë të rënurit dakord – konsenualiteti, për të cilin ju lehtësisht e përmirësoni atë. Pranojmë se duam akoma dhe 10 vite që t’i afrohemi Europës dhe 70 vite të tjera që të jemi si ata, po kush Ne, autoktonët e Europës, ne që kemi potenciale njerëzore dhe hapësirën detare, ajrore e tokësore më të mirë se shtetet elite të Europës, e sigurt, ju e shkurtoni këtë distancë kohore.

    *Le të themi se ka filluar të duket një ndryshim, ka një dritë e cila për të mos u shuar kërkon gjithpërfshirje, dhe forca e juaj do të jetë sulmi vendimtar për të fshirë pluhurin e zi të hedhur nga ne, të keqqeverisurit. Me forcën e një nëne ndryshimin kërkojeni tek familja e juaj, tek ata që pistosin vlerën me status: gjyqtar apo prokuror, mjek apo profesor, gjakmarrës a kriminel, mbjellës droge apo prostitucion, me pushtet dhe pa pushtet, të gjithë janë të tuajt, janë ata që prodhojnë atë që ju kurrë nuk e dëshironi. Ju e dini mirë se Shteti fillon në familje dhe se ndryshimin e kërkuar e keni ju në dorë, ju që sillni jetë, dritë, bukuri, lumturi.

     Ju keni zemrën me medaljen altruizëm, armë që dominon burrat, armë që kuron Shqipërinë nga traumat e kësaj shoqërie vrasëse, por edhe nga sëmundja kronike e politikanëve sherrxhinj, të cilët prej kohësh mbajnë peng këtë vend. Përtej detyrës, altruizëm dhe forcë tregoi dhe pilotja amerikane Nicole Malachovvski, e cila e hipur në avionin supersonik filloi gjunjëzimin e diktatorit serb dhe u bë heroina e luftës në krah të vëllezërve kosovarë.

    Shumë piktorë e shkrimtarë janë përpjekur të formonin portretin Nënë, por mijëra e mijëra portrete e vargje nuk mundën ta personalizonin atë. Nëna është quajtur diell, se pa lindjen e tij nuk ka jetë mbi tokë dhe pa lindjen e saj nuk nis jeta…! -Lule -, po cila lule nuk mban dhe ka emrin tend? Të gjithë, tek kjo lule çelim petalet, nis dhe zbukurohet jeta… por edhe ky emër i bukur nuk e plotësoka atë gjenialitet që të afron emri nënë, dhe kështu nuk gjetëm akoma definicionin tënd moj nënë. Sa shumë e shumë vlerësime dhe histori vërtiten rreth jush, prandaj ju e keni levën e Arkimedit për të ndryshuar ritualin e keqbërësve shqiptarë – me dhe pa pushtet, qofshin në familjen tuaj apo rreth saj.

    Atëherë, ne të gjinisë tjetër kemi çfarë të ndryshojmë (unë)…, dua dhe uroj një tjetër sjellje, ku në duar ne meshkujt të gjithë të mbajmë tufa me lule dhe të përulemi në gjunjë para kësaj mrekullie që na ka falur zoti apo natyra me kusht nëse ju mundeni t’i jepni duk Nderit. E mira duket se ka filluar…

         Sfidat e jetës janë ndër më të vështirat dhe më të papriturat dhe përballë tyre shpesh herë ndjehemi të lodhur dhe të pashpresë sa një forcë kapitulluese dominon dhe të bën të tërhiqesh. Në fakt edhe tërheqja është e vështirë përballë gjendjes së padëshirueshme, të së shkuarës dhe të sotmes, e cila të bëhet pjesë emocionale e pandashme dhe të hyn lirshëm në ditën tënde, kjo është arsye edhe pse ndoshta ne nuk jemi të aftë aq sa duhet për ta rregulluar atë, ndërgjegjësisht nuk heqim dorë prej saj…