Zaho Vasili/ Do vdes duke puthur…

    448
    Sigal

    Ç’ është ajo që del nga zjarri, të marr dridhma e bën gurin,

    Bukuria tund dhe varrin, në gjunjë e ul dhe më burrin.

    Ishte shtrirë e shpleksur gjinjtë,sumbulla kullonte vesë,

    Fekste sumbulla e florinjtë,u bëra gati të vdes.

    Moj bjondink e tërë,me sy të përndritur,

    Ç’ farë të kisha bërë,që më ke zhuritur.

    Trupi yt i derdhur,në çast ma ngrin frymën,

    Ti o prill i çelur, shkurti s’është më dimër.

    Drenushja ndër fletë, qafa si mermeri,

    Ja dil, ja dal vetë ,ty të thotë ylberi.

    Këmba e drejtë, pishë, më lojti nga mënd,

    Ç’fshihet ndën këmishë,moj zoti të dhëntë,

    S’e ndjej çfarë më dhëmb, i gjithi kulloj,

    Lemë mbi shtatin tënd, zjarrin ta duroj.

    Tek faqja do mbetem,do vij të vë ballin,

    Ta di që të tretem,si purteka e arit.

    Vetullat mbi synë,pranga të më lidhin,

    Shtatë puthje të vinë,dot mos na zgjidhin.

    Sytë me vesë të lahen, prushërim i ngrohtë,

    Buzët do më thahen,po s’t’i putha dot.

    Cepi i syrit, bri, dhimbjen s’e duroj,

    More cep për ty, njëqind vjet do rroj.

    O qerpiku i syrit,porsi halë gruri,

    Përkëdhel tek gjiri,sa më dridhet gjuri.

    O qerpiku i zi, me vesën mbi vete,

    Në vdeksha nga ty, ta dish që s’do tretem…

    Qerpikët dërgomë, t’mi verbojnë sytë,

    Me shigjetë qëllomë,ta kthej tek dy gjinjtë.

    Dy gropëzat në faqe,me rrezet magjike,

    Liqej manushaqe, zhytem e nuk mbytem.

    Për dy buzët lutem, do vij ta ndez zjarrin,

    Ta di se të futem, në dhe` për së gjalli.

    Te buzët kuquar, varrin ma bën vetë,

    S’dal dhe po të dua, të mbetem për jetë.

    Dy buzët mbi buzë,moj ti vëntë zoti,

    Shtrydhi,do rrjedh muzë, në diamant të lotit.

    Nishani mbi buzë, buza ndën nishan,

    O e puth me muzë, o do t’ja bëj bam.

    Ky nishan që vret, përmbi buzën tënde,

    Do t’i çmendi djemtë, do t’i lejë pa mëndje.

    Nën një hënë prej ari, ylli i thotë yllit,

    Feksin si gjerdani, shtatë dritat e syrit.

    Tek dy gjinjtë si bora, si ftua i fort,

    Do më kalbet dora, po s’i preka dot.

    Cicat, shegë në flake,gjoksin seç ma krisën,

    Malet atje lart,sikur u vithisën.

    S’ më shëron as qiell, s’ më shëron as zot,

    Me dy zemra, diell, më bën gjoksi jot.

    Gjinjtë brufulluar, buzët i kam vënë,

    Mjaltë të mjaltëzuar, dhëmbët më kanë zënë.

    Trupi ndën të linjta,më ke bërë magji,

    Vdes nga të dy gjinjtë,ngjallem prapë për ty.

    Vjen era pa cipë, mes gjinjve në maj,

    Do doja të isha,unë në vend të saj.

    Vjen tinëz, dinake, ç’ngatërron ndën fustan,

    Pse s’ma prodhon gjoksi, plasa e s’gjej derman.

    Ç’ dritë m’i hodhe syve, zogjtë puthen në lisa,

    Nga zjarri dy gjinjve, flakë po merr këmisha.

     Nga zjarri si ëndërr, hyr në prush të fletës,

    Ta gjeta në thembër, vendin e shigjetës.

    Nën shtatë zjarre gjendem, po më përvëlon,

    Mos më le të çmendem, eja moj shëromë.

    Ti trazojmë puthjet, xixa le të dalin,

    Pa m’i dëgjo lutjet, eja thith nektarin.

    Se kjo flaka ime, del nga shpirti i butë,

    Vdeksha po s’të treta, po s’të bëra shkrumb.

    Përvëlon deri në gjak, shpirtin mbi prush ma ke lënë,

    Si kuçedra gjuhë flake,gjithë burimet m’i ke zënë.

    Të hedh zjarrin ka guxuar,shpërfillshëm e krejt pa frikë,

    Gjer në zemër, mallkuar, se nuk vjen që të ma fik.

    Ndën një hënë ku digjet muza, eja në llavën e muzës,

    Lermë të qetohet buza, vetëm m’u në cep të buzës.

    Pleksu si thupra e shportës, dega e shpirtit të ka pritur,

    Lërmë që në sy të botës, të të puth si i uritur.

    Ç’pate që më robërove, kryqëzuar në pikë vese,

    Ç’kishe që një çast s’durove dhe gjakun me sy ma ndeze.

    Ç’pate, më trete të gjallë, ç’kishe më plagose rëndë,

    Tërmetit me nëntë ballë, ka zemër t’i rrijë në këmbë?

    Më vure ndën thundrën tënde,zemrën ma ke zënë në çark,

    Më çmende, bjondinkë më çmende, por dhe ti, s’hoqe më pak.

    Eja moj, mezi po mbahem, eja moj të pres me shpresë,

    Se dua që kur të ndahem, duke puthur le të vdes…