Zaganjori takim me Ambasadorin Arvizu

510
Sigal

Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori ka pritur në zyrën e tij, Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Z. Aleksandër Arvizu. Kryetari i Gjykatës së Lartë e ka falënderuar Ambasadorin për kontributin me vlerë të dhënë nga ekspertët amerikanë të USAID, OPDAT dhe JUST, duke vlerësuar ndihmën që Qeveria Amerikane vazhdon t’i japë sistemit të drejtësisë dhe gjyqësorit në vendin tonë. Z. Zaganjori ka shprehur gatishmërinë për ta vazhduar më tej këtë bashkëpunim duke theksuar se kjo mbështetje duhet të konsistojë në konsolidimin e mëtejshëm të reformave në sistemin e drejtësisë e veçanërisht në Gjykatën e Lartë. Duke vlerësuar funksionimin e shtetit ligjor dhe demokracisë amerikane, Z. Zaganjori e ka quajtur një mundësi të mirë përfitimin nga eksperiencat e këtij vendi, në lidhje me miradministrimin e sistemit gjyqësor. Në cilësinë e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, dhe në emër të trupës gjyqësore, Z. Zaganjori shprehu angazhimin se do të punohet me vendosmëri përkundrejt arritjes së standardeve të vendeve me demokraci të zhvilluar. Nga ana e tij Ambasadori Amerikan Aleksandër Arvizu, e ka falënderuar Z. Zaganjori për pritjen, duke i uruar gjithashtu dhe marrjen e detyrës si Kryetar i Gjykatës së Lartë, duke vlerësuar në të njëjtën kohë figurën dhe kontributin e tij në fushën e drejtësisë. Sipas Z. Arvizu, edhe pse Shqipëria ndodhet përballë sfidash të rëndësishme, deri tani janë arritur rezultate të pëlqyeshme në shumë fusha. Ambasadori Arvizu u shpreh optimist se Shqipëria do të ecë me hapa të sigurt dhe të qëndrueshëm drejt zhvillimit. Ambasadori Arvizu ka përkrahur mesazhet e dhëna nga Kryetari i Gjykatës së Lartë gjatë “Javës së Drejtësisë”, për një gjyqësor të pavarur, që është në shërbim të qytetarit dhe shoqërisë.