Z. Rama, Himara e këngës dhe e halleve, kundërshton ligjin 7501

    513
    Sigal

    Të luftohet korrupsioni mbi grabitjen e pronave. Moskthimi i pronës te i zoti do të nxiste dhunën dhe vëllavrasjen

    Edhe himarjotët si të gjithë shqiptarët jemi duke pritur me shpresë nga qeveria “Rama” që të vihen në vend problemet e ndryshme që ekzistojnë e sidomos pronësia e tokës në krahinën e Himarës, e cila është lënë pa u certifikuar vetëm e vetëm që të vidhet, ashtu siç u vodh dhe u tjetërsua nga ata që nuk e dinin kush ishte bregu i Jonit, e jo më pastaj kush ishte Jaliskari, Drimadhesi, Jali, Ngjipeja etj., etj.. Këtyre që ikën, a nuk do t’u futet gjemb në këmbë, për gjithë prapësitë e kusaritë që i bënë këtij populli?! Apo mos duhet të vegjetojnë akoma militantët e tyre, me kurse gjashtë mujore dhe me notat fiktive të pseudo-universiteteve private, ndërkohë që, bijtë tanë të shkolluar shkëlqyeshëm në perëndim, ushqehen akoma nga ne pensionistët dhe presin t’u vijë radha për punë? Para tre vjetësh, qeveria shqiptare me ndihmën e Bankës Botërore nisi regjistrimin e banesave në krahinën tonë, akoma edhe sot nuk kemi në dorë certifikatën e pronësisë së shtëpive tona. U fol se së shpejti do të fillonte regjistrimi i pronave në mënyrë që prona të shkojë te pronari i ligjshëm. Për këtë temë, gjatë viteve si zëdhënëse e shoqatës “Bregdeti” dhe si bashkëvuajtëse e komunitetit himarjot kam folur e shkruar shpesh, por siç u pa, nuk e vunë ujin në zjarr, çdo përpjekje e jona ka rënë në vesh të shurdhër në qeverinë “Berisha”. Zbatimi i Ligjit 7501 të cilin e miratuan me 1991-n dy partitë e mëdha, ka hapur probleme të shumta në krahinën tonë. Në ¾ e vendit nuk është zbatuar ky ligj, pse duhet të zbatohet pikërisht në krahinën e Himarës? Atje, ku mund të aplikohet, pa prishur punë, le të aplikohet, por në krahinën tonë atje ku çdo pëllëmbë tonë është e trashëguar nga stërgjyshërit tanë dhe e blerë me florinj prej tyre, pse duhet të zbatohet? Aty ku njeh dhe guri-gurin dhe dihet e kujt ka qenë kjo kullotë ose tokë, pse të mos të miratohet në bazë të njohjes fshatçe, të pleqësisë, e të trashëgimisë së njohur?! Ligji 7501 po bën pronarë ata që nuk kanë patur asnjë pëllëmbë tokë në atë zonë dhe shumë të tjerëve u ka hequr të drejtën e pronësisë. Dihet që nga krahina e Himarës shumë familje pasi kanë punuar për disa vjet në kooperativën bujqësore për arsye të ndryshme u larguan nga fshatrat e tyre dhe u vendosën nëpër qytete të vendit. Pikërisht këtyre Ligji famëkeq 7501 jo vetëm që nuk u ktheu pronat e tyre të trashëguara në breza, por edhe atë pak që u ka njohur ua ka dhënë të përgjysmuar. Si ta shpjegojmë këtë fakt? Si ata që qëndruan, edhe ata që u larguan pronat ia dhanë kooperativës njësoj, pa përjashtim. Të bëhen pronarë ata që tokën e kanë patur në përdorim dhe jo në pronësi, ndërsa pronarët e ligjshëm të tokave apo të kullotave, që nuk i kishin të regjistruara, për arsye të taksave, por të njohura fshatçe, nuk do tu njihet pronësia, nuk do të merret në konsideratë asnjë ankesë e bërë gjatë këtyre viteve, kjo nuk është e drejtë. Krahina e Himarës e kundërshton zbatimin e Ligjit 7501, pasi i ndëshkon dhe u tjetërson pronat e të parëve të tyre. Në asnjë vend demokratik nuk ndodh që prona të mos njihet, e aq më tepër të shkojë te pronari i paligjshëm. Kjo do të nxiste dhunën dhe vëllavrasjen, fenomen ky i prekshëm për ne shqiptarët. Vazhdimisht kemi denoncuar parregullsitë e trajtimit të pronave dhe vjedhjet që janë bërë me anë të shitjes së tokave në zonën më të lakuar turistike të vendit. Pa folur pastaj për ndërtimet pa leje dhe zënien e truallit nga të tjerët, ky është një tjetër problem i madh në atë zonë. Ju përgëzojmë nga zemra për nismën dhe aksionin e prishjes së ndërtimeve pa leje, të cilat ia shpërfytyruan faqen bregut të dallëndysheve, Rivierës së bukur të Jonit. Të luftohet korrupsioni i ish pushtetit qendror dhe vendor mbi grabitjen e pronave. Si komunitet mendojmë se do të ishte me vend që kryepleqësia e fshatit së bashku me një komision të posaçëm dhe në bashkëpunim me banorët e zonës do të çonin në përpilimin e saktë të hartave të reja, që priten prej shumë kohësh të bëhen. E kush më mirë se vetë banorët i njohin kufijtë dhe sinorët e tyre, këtë pretendon Bregu, vetëm kështu prona do të shkojë te pronari i ligjshëm. Dora e bijve tanë duhet t’i ngrejë themelet e rrënuara, muret e rrëzuara. Ky vend e ky Breg ka nevojë për mua, për ty, për ju e për ata që do të vijnë. E sidomos për më tepër drejtësi për pronat. Shiun që na lag nga retë ta presim qetësisht, etjen duhet ta shuajmë, lotin duhet ta thajmë me sytë nga zoti e nga ju z. Rama! Mbi këta gurë të bardhë kanë rënë shumë rrufe dhe i kanë gdhendur emrin Himarë. Në dukje të parë fytyra e Himarës është disi e ashpër, por ajo në të vërtetë është e bukur, me kodrat e lakuara, e veshur me këngën e valëve, të ullinjve, të portokalleve, lisave e qiparisave. Himarjotët e njohin varfërinë, e njohin kurbetin, por ata e ndjejnë se mbajnë mbi vete krenarinë e fortë doriane, dardane, kaone, iliro-pellazge. Ata janë punëtorë të mirë dhe patriotë. Janë shembull i madh në mbajtjen e moralit, e të meritave të trashëguara për fisnikërinë dhe për shekuj me radhë kanë qenë kryelartë. Për të qenë në përjetësi të tillë, kërkojnë të drejtën e tyre të patjetërsueshme, kërkojnë të jenë të ligjshëm në pronën e vetë, të trashëguar nga të parët e tyre. Himara është gjaku im, gjaku yt, gjaku juaj që nuk mund të falet e të tjetërsohet! S’kërkojmë parajsën, por më tepër kujdes e përkushtim për të vuajturin komunitetin tim. I urojmë z.Rama dhe stafit të tij të punojnë për këtë vend të shkretuar, për këtë vend që i ka të gjitha të mirat, por që nuk u qeveris, por u pushtua dhe u vodh pa masë nga të pangopurit. Jo më lojëra në plagët tona!

    Eglantina Bifsha Bajrami