z.Nikolin Jaka/ Fullani të mos bëjë deklarata, por të marrë masa që bankat të mos eksportojnë paratë e shqiptarëve

    362
    Sigal

    Intervistë/ Flet z.Nikolin Jaka, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë për eksportin e lekëve të shqiptarëve, për bursën, për taksën progresive dhe shlyerjen e borxhit ndaj biznesit

    Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në 3 tetor ka pohuar se Raiffeisen Bank ka nxjerrë sasi kapitalesh në drejtim të vendit të  origjinës. “Z. Fullani nuk duhet të ngelë në rolin e deklaratave, por duhet të kalojë në rolin që i ka dhënë ligji. Pra, në qoftë se një bankë do shkelë ligjet dhe procedurat e përcaktuara nga shteti, ku ajo ushtron aktivitetin, duhet të ketë dhe penalitetet e përcaktuara”, shprehet në një intervistë për “Telegraf”, z.Nikolin Jaka, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë. Jaka shprehet se nëse nuk ka masa ndëshkuese për rrjedhjen e parave të shqiptarëve jashtë, atëherë sistemi duhet të reflektojë e të nxjerrë penalitete që këto para të ngelen këtu dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit. Ndërsa për funksionimin e bursës shqiptare, si një opsion tjetër për investimin e parave të qytetarëve shqiptarë, përveç bankave, Jaka shprehet se më parë duhet të kemi formalizim dhe funksionim të ekonomisë shqiptare.

    Sot është hapja e panairit të punës. Çfarë përfaqëson ky panair për Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë?

    Atëherë, Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë Tiranë organizon sot edicionin e katërt të Panairit “Work & Study”. Nuk është thjesht panair pune, është panairi “Studio & Puno”, që do të thotë, që përbën një nga aktivitetet më të rëndësishme të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë. Që në fillim, me ardhjen si Kryetar në Dhomën e Tregtisë, ideja ime ka qenë të lancohet ky panair për t’i shërbyer koordinimit të saktë të kërkesës dhe ofertës. Është ndër panairet me karakter të veçantë. Është një ndër panairet elitar, që i shërben gjithmonë industrive që prodhojnë diplomat, pra përgatisin prodhime njerëzore të kualifikuara dhe nga ana tjetër kemi përballjen me industrinë që i konsumon këto burime njerëzore, që i rekruton dhe që janë në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit.

    Guvernatori Fullani në 3 tetor ka pohuar se Raiffeisen Bank ka nxjerrë sasi kapitalesh në drejtim të vendit të  origjinës. Si e komentoni ju këtë deklaratë?

    Ne kemi kohë që ngremë sinjalet për eksportin e financave shqiptare, e financave të qytetarëve shqiptarë, të cilat dalin jashtë dhe u shërbejnë ekonomive të vendeve të tjera. Unë mendoj se z. Fullani nuk duhet të ngelë në rolin e deklaratave, por duhet të kalojë në rolin që i ka dhënë ligji. Pra, në qoftë se një bankë do shkelë ligjet dhe proceduarat e përcaktuara nga shteti, ku ajo ushtron aktivitetin  duhet të ketë dhe penalitetet e përcaktuara, nëse ka dhe nëse nuk ka, atëherë, i bie që sistemi të reflektojë dhe të nxjerrë penalitete, ose masa ndëshkuese nëse ato nuk janë të përcaktuara, në mënyrë që të mos kemi rrjedhje të depozitave të qytetarëve shqiptarë.

    Ndërkohë ju keni dhënë një tjetër opsion për investimin e të ardhurave, bursën. Por, ekspertë të huaj në këtë fushë thonë që ende nuk është momenti i përshtatshëm për realitetin shqiptar krijimi i bursës?

    Ne kemi dhënë opinionet, sugjerimet tona që Shqipëria shumë shpejt të ketë formalizimin e bursës, por nga ana tjetër ne kemi kërkuar që të kemi një formalizim dhe funksionim të bursës shqiptare, duhet të kemi një formalizim dhe funksionim të ekonomisë shqiptare. Pra, parësore është formalizimi i ekonomisë, parësore është lufta kundër evazionit, kontrabandës dhe  krimit financiar, parësore është formalizimi i bilanceve dhe aseteve të kompanive shqiptare dhe pastaj shtrohet një rrugë e sigurt drejt funksionimit të bursës, pasi bursa është e krijuar me ligj, por nuk funksionon.

    Qeveria ka në program e saj taksën progresive. Por ju nuk jeni dakord me implementimin e kësaj takse?

    Është në programin e qeverisë taksa progresive, por realisht është biseduar, qoftë gjatë fushatës elektorale dhe pas fushatës elektorale me maxhorancën e re, ku është rënë dakord që për ndryshimin e sistemit të taksave në Shqipëri do ketë një konsultim dhe dialog me sipërmarrjen private dhe grupet e interesit. Në rast se, qëndrimet tona kanë qenë të prera, kanë qenë gjithmonë në sinkron që ne mbështesim sistemin fiskal që është sot i lidhur me taksën e sheshtë, 10 % për korporata, por lemë një opsion të hapur, madje duke kaluar dhe në rolin e propozuesit që të ketë një taksë pre rentabiliteti për të gjitha aktivitetet që përfitojnë apo kanë imunitet nga Vendimet e Qeverisë apo aprovimet e Parlamentit.

    Qeveria ka ndërmarrë nismën për të shlyer detyrimet që i ka biznesit. Por, Konfindustria këto detyrime i ka kërkuar me interes. Si e shikoni ju këtë?

    Unë jam shprehur qartë në prononcimin tim, që është një përgjegjësi dhe njëkohësisht duhet përshëndetur angazhimi që Qeveria ka marrë për të likuiduar borxhet e sipërmarrjes private. Nga ana tjetër, unë mendoj që biznesi duhet të jetë i matur, gjakftohtë, por duhet të jetë i kujdesshëm me kontratat, në zbatimin e kontratave. Ashtu siç Qeveria kërkon në rastet e mosshlyerjeve të detyrimeve tatimore, kamatëvonesat, apo penalitetet, unë mendoj se edhe kompanitë shqiptare, që janë tashmë kreditore ndaj buxhetit të shtetit, me avokatët e tyre të ulen e të shohin rast pas rasti penalitetet që përcaktojnë kontratat, që ata kanë kryer me entet prokuruese.