Z. Kryeministër, na llogarisni edhe ne. Na jepni shpërblimin e fundvitit 2013

    359
    Sigal

    Letër, drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, nga Shoqata e Pensionistëve Dega Fier

    I nderuar  Kryeministër, pavarësisht nga vështirësitë ekonomike financiare dhe gropa e zezë e thelluar thellë e më thellë,  e krijuar nga maxhoranca e kaluar me ish kryeministër më diktatorin dhe grabitësin, Sali Berisha, që shpërdoroi dhe grabiti taksapaguesit Shqiptarë duke e çuar ekonominë në nivelin zero. Aktet kriminale, barbare, shpërdoruese arritën dhe tek invalidët e të verbrit të cilët i la pa paguar për tre katër muaj, mbasi rrogat e tyre i përdori për fushatën elektorale në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013. Pensionistët e të gjitha kategorive janë të ndërgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për gjithçka që bëri kupola qeveritare, korruptive e grabitëse dhe keq menaxhuese e Sali Berishës. Për këtë, jemi shumë të indinjuar e të vrarë shpirtërisht, moralisht dhe psikologjikisht akoma më shumë nga mospërballimi i kushteve social-ekonomike.  Kjo është krejtësisht e pa pranueshme dhe e dënueshme për cilindo që vepron në këtë mënyrë, sidomos për të moshuarit dhe për të verbrit. Të moshuarit e dinë mire se mbas humbjes së PD-së është hapur një gropë financiare e madhësive të mëdha saqë edhe po të futeshin të gjithë të korruptuarit dhe grabitësit, nuk mund të mbushet nga borxhi që zë rreth 70% të të ardhurave të shqiptarëve. Ajo mbushet vetëm duke zbrazur xhepat e atyre që kanë rrëmbyer me dhunë e abuzim lekët e taksa paguesve shqiptarë.

    Invalidët janë lënë në mëshirë të fatit pa asnjë përkrahje për dy tre muaj, të cilët dhe sot vuajnë nga kjo fatkeqësi. Po kështu se qeveria berishiane, gjatë qeverisjes për 8 vjet, synimin kryesor e ka pasur për grabitjen e pasurisë kombëtare, aferat korruptive dhe aktet kriminale. Maxhoranca humbëse e kaluar gjatë kësaj legjislature ka pasur si slogan se do të qeveriste me duar të pastra, por, ishte një mashtrim për shqiptarët dhe ndërkombëtarët, pasi duart e tyre të pista, rrëmbyen dhunshëm nëpërmjet abuzimeve prona me vlera të mëdha financiare. Politikanët dhe qeveritarët e ish maxhorancës janë pasuruar e kthyer në miliarderë, kurse shtresat e varfra sorollaten rrugës për bukën e gojës. Në këto kushte ish Kryeministri Sali Berisha e la Shqipërinë në  nivelin zero. Në këto rrethana, pensionistët e kuptojnë drejtë me ndjenjën  e idealit patriotik, shoqëror e politikë për gjithçka që ka bërë dhe vazhdon të justifikohet për dëmin e madh ekonomiko-financiar Partia Demokratike me ish lider dhe kryeministër Sali Berishën i cili i zhyti shqiptarët në një gropë të zezë që ka groposur gjithë shqiptarët në thellimin e varfërisë. Për këtë, shqiptarët kërkojnë me këmbëngulje drejtësi dhe ndëshkim të akteve kriminale si grabitje të pronave dhe aferave korruptive. Zotërinj politikanë dhe parlamentarë ju ndjekim vazhdimisht në seanca parlamentare apo konferenca shtypi, po, fatkeqësisht, fjalimet tuaja janë agresive, banale, hakmarrëse, ofenduese, mashtruese për njëri-tjetrin, karakteristika që nuk i takojnë një shqiptari. Aq më tepër një deputeti që presupozohet më i kulturuar në etikën e të folurit, sidomos kur tejkalohet te trungu familjarë. Këto veprime, të moshuarit i dënojnë maksimalisht, ashtu siç morën dënimin e merituar zotërinjtë paraardhës në 23 Qershor nga i gjithë populli shqiptar.

    Qeveritarë, politikanë dhe parlamentarë të ngjyrave të ndryshme, pensionistët nuk kërkojnë lëmoshë për t’u shpërblyer për festat, por duam, se kemi kontribuar dhe sakrifikuar për këtë ditë sot. Ne jemi prindërit tuaj të moshuar, që sot jemi dhe nesër nuk jemi. Po kështu, jemi brezi që kemi punuar dhe ndërtuar për 40-50 vjet vepra me potencial të madh ekonomik, që i  kanë sjellë të ardhura voluminoze ekonomiko–financiare të gjithë shqiptarëve. Mendojmë dhe kërkojmë nga maxhoranca e sotme me Kryeministër Edi Ramën të mos hidhemi jashtë listës për shpërblimin e festave të fund vitit. Ashtu siç na la qeveria berishiane, që për tre vjet mbetëm me kokë ulur para shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve.

    Zoti Kryeministër, në emër të pensionistëve të të gjithë kategorive, ju lutemi juve dhe kabinetit tuaj  qeveritar, të vlerësohemi për gjithçka që kemi bërë për këtë vend, për këtë shoqëri dhe në veçanti për Partinë Socialiste. Ne kemi punuar dhe do punojmë deri në vdekje për idealin dhe patriotizmin e kombit shqiptar. Për të ngritur lart e më lart nderin e shqiptarit, lavdinë dhe gjakun e dëshmorëve të rënë për këtë vend të lirë dhe demokratik. Shpresojmë me bindje shpirtërore, njerëzore, se pensionistët do të përfshihen në tavolinën e festave tradicionale të këtij fundviti.

    Edhe një herë, ju lutemi zoti Kryeministër, se ish/kryeministri Sali Berisha na veçoi nga tavolina familjare, tradicionale e festave të fund vitit. Po juve do të na bashkoni në këtë festë të rëndësishme tradicionale?! Shpresojmë se po!

    Me shumë respekt

    N/kryetari i Shoqatës “Bashkimi i përgjithshëm i pensionistëve të Shqipërisë” si dhe Kryetari i Shoqatës së pensionistëve, Dega Fier.

                                                                                                                            Z. Ramis BASHA