Ymer MINXHOZI/Vrasja e dytë e Bajram Currit

    549
    Sigal

    Kur Fan Noli shkroi elegjinë e famshme kushtuar Heroit të Dragobisë, Bajram Curri, me siguri nuk e kishte parashikuar edhe vrasjen e dytë të heroit, përkundrazi ai parashikonte se ky “Trim tribunë i Vegjëlisë” do të vazhdonte të mbetej i pavdekshëm, se ai do të vazhdonte të jetonte në “zemrat e Djalërisë” si një “Bajrak i gjallë” i shqiptarëve. “Thon’u shtri e thon’u vra, Po tis’vdiqe, or baba, As te shkëmb i Dragobisë, As te zemër’e Djalërisë”.

    Megjithatë, ajo që nuk parashikoi Noli, po ndodh para syve tanë. Madje atentatorët kësaj radhe nuk janë vetëm pinjollët e ish mbretit të vetshpallur, por edhe disa të vetquajtur demokratë, që popërpiqen hapur ta zhdukin Bajrakun e Gjallë nga zemrat e djalërisë shqiptare dhe në vend të Tribunit të Maleve të ngrenë në lart vrasësin e tij, Ahmet Zogun. Duke u rropatur ti japin një vend nderi ish monarkut, ata po mundohen njëkohësisht të zbresin nga piedestalet Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Azem Galicën, Avni Rustemin, Luigj Gurakuqin, Riza Cerovën e dhjetra patriotë të tjerë të shquar, që u vranë nga Zogolli, me ndhmën e drejtëpërdrejtë edhe të agjenturave serbe dhe të vendeve të tjera. Këtë fushatë intensive për të “vënë në vend” histrinë po e kryeson gjithnjë e më me zell vetë kreu i partisë Demokratike, zoti Sali Berisha. Ai del e deklaron në mes të Tiranës se “Zogu është një prej burrave më të shquar të kombit shqiptar dhe një prej personaliteteve më të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare”. “Ai bëri një shtet ku sundonte ligji, ku respektoheshin plotësisht liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë”.

    Siç shihet, Berisha shkoi mjaft larg me lëvdatat në adresë të Ahmet beut dhe unë jam i bindur se kjo nuk i bën nder. Ndryshimi i pikëpamjeve është një cilësi e natyrshme e njeriut, por pikëpamja nuk duhet të errësojë pamjen. Njeriu mund të ndryshojë, por jo të zhbëhet.

    Ndofta thjesht për snobizëm, apo se duan me të vërtetë të “vënë në vend” historinë, e vërteta është se disa intelektualëve duket se po iu digjet zemra për një çikë monarki zogiste. Ata vijnë rrotull monarkisë si macja rreth qullit të nxehtë. Duket sikur të gjitha i thonë, por gjithmonë lënë në heshtje pyetjet: Kush e solli dhe me çfarë mjetesh u vendos monarkia në Shqipëri? Si dhe pse e braktisi mbreti Shqipërinë, në prag të agresionit fashist? Unë mendoj se këto segmente të historisë që shënojnë fillimin dhe fundin e mbretërimit të Zogut, nuk duhen lënë në harresë, sidomos po të duam të “vëmë në vend” historinë.

    Vendlindja dhe starti i monarkisë shqiptare është Beogradi, ose, më saktë akoma, është hoteli “Bristol” i kryeqytetit të Jugosllavisë, ndërsa “pagëzuesi” i foshnjes ishte Nikolla Pashiçi, ish kryeministër. Zogu iku nga Sqipëria dhe vajti e bëri fole pikërisht te Karagjergjoviçët- armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve, që mbanin të pushtuar gjysmën e tokave shqiptare dhe që synonin të fusnin në kthetrat e tyre edhe gjysmën tjetër. Zogu qëndroi rreth gjashtë muaj në hotelin “Bristol”- nga qershori deri në dhjetor të vitit 1924. Gjatë atyre gjashtë muajve u gatua i gjithë komploti jugosllavo – zogist kundër Revolucionit të Qershorit. Atyre që iu pëlqen të tregojnë historira më mbret nuk iu pëlqen t’ua përmendësh hotel “Bristolin” dhe as Pashiçin, mirëpo historia përbëhet prej fakteve dhe atyre s’ke si u largohesh. Ahmet Zogu u kthye në Shqipëri i hypur mbi shtat topi të ushtrisë serbe.

    Vlen të përmendet këtu se, ndërsa Zogu me përkrahësit e tij, rrinte në hotel “Bristol” dhe iu nënshtrohej të gjitha kushteve poshtëruese të Pashiçit, në Kosovën e pushtuar derdhej gjaku i shqiptarëve dhe shtëpitë kosovare rrafshoheshin nga flakët. Atje zhvilloheshin luftime të ashpra midis ekspeditave ndëshkuese serbe dhe forcave çlirimtare, të udhëhequra nga Azem Galica, Sadik Rama, Mehmet Delija e të tjerë trima patriotë. Zogu numëronte verdhushkat dhe bënte orgji me djevojkat në hotel “Bristol”, ndërsa në Galicë ishte rrethuar çeta e Azem Galicës dhe në luftime plagoset për vdekje Legjenda e Kosovës martire. Dhjetra luftëtarë ranë në fushën e betejës. Fshatrat e Galicës, Zubovecit, Mikusnicës dhe Lubovacit u zhdukën thuajse krejt. Vrasja e Azem Galicës ishte humbje e madhe për Kosovën e mbarë Shqipërinë. Shtypi zyrtar serb e përshëndeti me të madhe “vrasjen e Azem Galicës me treqind kaçakë”.

    Kjo dha sinjalin për një fushatë të re genocidi që u shiri në të gjitha trojet kosovare. Shtypi njoftonte se në betejat e Galicës ishin përdorur edhe topa.

    Cili qe reagimi i mysafirit në hotel “Bristol”? Zogu fërkonte duart nga gëzimi, sepse Azem Bejtja kishte qenë përkrahësi i vendosur i Revolucionit të Qershorit dhe bashkëluftëtar me Bajram Currin. U krijua një tabllo makabër: Serbi vriste e priste në Kosovë, Zogu, që nga hotel “Bristol”, blinte mercenarë për të sulmuar Tiranën. Të dy palët luftonin kundër të njëjtit popull- shqipëtarëve!

    Duke justifikuar genocidin kundër shqiptarëve, qeveria jugosllave boton në ato ditë një Notë ku përdoren fjalët më fyese kundër shqiptarëve si komb e si popull. Në notën e saj të shpallur zyrtarisht thuhej: “Popullsia shqiptare nuk është as e urtë, as e qytetëruar… Eshtë një popullsi pa asnjë traditë kombëtare, ajo nuk ka ndërgjegje kombëtare dhe pra nuk është e aftë dhe e gatshme, veçse për punën mercenare të kondotierit”.

    Në qoftë se mbreti ynë i ardhshëm do të kishte edhe një pikë gjak atdhetari, ai nuk do të mund t’i kapërdinte këto fyerje raciste të pushtuesve jugosllavë. Me gjithë atë, ai, pa iu nxi fytyra, i vazhdonte bisedimet me Pashiçin, të cilat përfunduan me një marrëveshje prej 16 pikash, ku njëra ishte më poshtëruese se tjetra për shqiptarët e Shqipërinë. Me atë marrëveshje, të cilët sot e lënë në heshtje ithëtarët e monarkut, Shqipëria binte nën vartësinë e Jugosllavisë, duke pranuar edhe një cungim të ri të trojeve shqiptare. Zogu mori angazhim të shpërndante edhe komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, gjë që e bëri sapo erdhi në pushtet. Qeveria jugosllave angazhohej që, “me të gjitha mjetet diplomatike e ushtarake do të njohë Zogun si kryetar shteti përsa të jetojë dhe i atribuon me nje herë një të ardhur vjetore”.

    Marrëveshja që nënshkroi Zogu me Pashiçin u ngjante marrëveshjeve që Esat Pashë Toptani pat nënshkruar me qarqet serbe në vitet 1914-1915. Madje dhe hartuesi i atyre marrëveshjeve nga pala jugosllave ishte po ai: Nikolla Pashiçi!

    Në hotel “Bristol” u përpunuan me hollësi të gjitha detajet e ndërhyrjes ushtarake që do të çonin në përmbysjen e qeverisë së ligjshme të Shqipërisë. Gjatë gjashtë muajve të qëndrimit në Beograd, Zogu arriti të grumbullojë një ushtri të tërë mercenarësh, e paguar dhe e armatosur nga qeveria jugosllave. Përkrahësit e tij kryesor si Ceno bej Kryeziu, Muharrem Bajraktari, Abdurrahman Krosi, Llesh Topalli e të tjerë u shpërndanë nëpër Kosovë e Maqedoni dhe rekrutuan mercenarë me katër napolona në muaj. Vetë Zogu u takua me komandantin e zonës së tretë ushtarake të Shkupit, gjeneralin Terziç. Në bandat e armatosura që sulmuan Shqipënnë u përfshinë edhe oficerët bjellogardistë që kishin ikur nga Rusia dhe ishin strehuar në Jugosllavi. Ata, edhe pse nuk arritën të mbronin carin e tyre, angazhoheshin t’iu sjellin shqiptarëve një careviç. Në organikën e ushtrisë së Ahmet Zogut, prej vitit 1927 e deri sa iku nga Shqipëria më 1939, ka ekzistuar edhe një repart ushtarak rg§, me rusë të bardhë, nga ata që e ndihmuan të vinte në fuqi, përmes Jugosllavisë. Ky qe shpërblimi për ndihmën që i dhanë bandat bjellogardiste ruse për ta sjellë carëviçin tonë në fron. Në këtë repart rus ka bërë pjesë edhe një farë Beleski, me gradën nënkolonel. Pushtuesit italianë e graduan Beleskin, e bënë kolonel dhe ai erdhi në Mat, në prill të vitit 1943, me ekspeditat ndëshkuese fashiste, vrau patriotin Dyleman Çela dhe i dogji shtëpinë.

    Në mesin e dhjetorit 1924, në kufirin jugosllav u renditen rreth 7-8 mijë mercenarë të armatosur, si edhe ushtarë e oficerë të ushtrisë jugosllave. Më 14 dhjetor nisën operacionet ushtarake në të gjithë harkun e kufirit, që nga Dibra e deri në Mal të Zi. Po atë ditë, banda të armatosura sulmuan në Kakavijë, nga Greqia. Monarkitë ballkanike e kishin halë në sy Revolucionin Demokratiko-Borgjez në Shqipëri. Një Republikë në Shqipëri e prishte uniformitetin e hartës monarkiste të Ballkanit!

    Ndeshjet më të ashpra me intervencionistët që vinin nga Jugosllavia, u zhvilluan në frontin Krumë- Kukës, ku rezistonin forcat e komanduara nga Bajram Curri. Aty u kapën rob edhe ushtarë serbë, bashkë me topat e tyre. Kur u pa se fronti i Bajram Currit nuk po çahej, drejtimin e operacioneve e mori i dërguari i Beogradit, M. Jeliç, që solli nga Prizreni një batalion dhe dy kompani këmbsorie serbe.

    Se si u zhvilluan ngjarjet më tej, dihet, Zogu ynë mori fletë nga bajonetat jugosllave dhe ia arriti të shtypë Revolucionin Demokratik në vendin e tij. Kjo qe një humbje kolosale për mbarë kombin tonë, në të dy anët e kufirit shtetëror. Revolucioni i Qershorit qe një kthesë e madhe progresive në historinë e Shqipërisë. Ai ishte revolucioni më përparimtar, në gjithë Ballkanin. Shtypja e tij e ktheu Shqipërinë shumë dekada prapa. Kundërrevolucioni serbo- zogist bëri që populli ynë të humbiste atë demokraci që nuk e kishte asnjë popull tjetër në Ballkanin e sunduar nga monarkitë.

    Sapo mori pushtetin, Zogu filloi nga zbatimi i detyrimeve që kishte marrë në marrëveshjen me Pashiçin. Tre muaj më vonë, xhandarët e Zogut rrethojnë Dragobinë dhe vrasin Bajram Currin. Disa vite më vonë Zogu organizoi edhe vrasjen e Hasan Prishtinës, patriotit e luftëtarjt të madh për liri e demokraci, politikanit me përmasa ndërkombëtare, themeluesi i “Komitetit për Çlirimin e Kosovës”. Hasan Prishtinën e patën dënuar gjashtë herë me vdekje: edhe xhonturqit, edhe Esat Pashë Toptani, edhe serbët. Tre herë ai qe dënuar me vdekje edhe nga regjimi i Zogut dhe ja, më në fund, qëllimi i armiqve të kombit u realizua. Përfaqësuesi i klasës së feudalëve vrau edhe Luigj Gurakuqin, ministrin e parë të arsimit në historinë shqiptare, njeriun që pat vendosur arsimin e detyruar fillor për të gjithë djemtë e vajzat.

    Një vit pas kthimit nga Beogradi, Z@gu- përmes Parlamentit të Pykave- i dhuron Jugosllavisë një perlë nga trojet shqiptare- Shën Naumin; A thua se Jugosllavia kishte pak troje shqiptare nën pushtim! Shën Naumi i ishte dhënë Shqipërisë edhe nga organizmat ndërkombëtare të kohës, por Zogu duhet të paguante për shërbimet që i kishte bërë Jugosllavia. Karrikja e beut i kushtoi kombit edhe gjak, edhe territore.

    Do të mjaftonte vetëm ky akt për t’i vënë vulën e trathtarit të atdheut cilitdo politikani.

    Gazeta “Liria Kombëtare” e datës 12 gusht 1925 e shprehu me këto fjalë zemërimin e thellë të popullit shqiptar: “Thika e përgjakshme e matianit të pashpirt po pret dy gjymtyrë të trupit të gjallë të shtetit shqiptar… Kjo tradhëti nuk ishte e papritur për ne. Milionët që mori Zogu prej “Pallatit të Verdhë” në Belgrad dhe ushtarët e Vrangelit… nuk do të mbeteshin pa shpërblim. Me dokumente të pakontestuara na pranon Zogu vetë se për ‘të, karrika e artë vlen më shumë se atdheu arbnor… Ai na dëshmon qartë se për ‘të një grusht ar i Iyer me gjak shqiptari ka vleftë shumë më të madhe se gjithë kombi shqiptar”.

    Por ndërsa shqiptarët i përjetonin me lot trishtimi dhe protesta këto cungime të reja të trojeve të tyre, në Beograd festonin fitoren.

    Në një intervistë më 13 gusht, në gazetën “Politika”, Pashiçi nuk e përmbante dot entuziazmin e fitores së tij. Ai thotë: “Ne kemi marrë atje (në Shqipëri) disa pika shumë të vlefshme, si nga pikëpamja strategjike ashtu edhe komunikative, siç është përshembull gryka e Vermoshit. Diplomacia jonë e ka kryer këtu detyrën ashtu siç duhet.”

    Ahmet Zogu dhe Ceno beu u vunë në qendër të shtypit të Beogradit, si “miq të vërtetë të Jugosllavisë”. Gazeta “Samouprava” e Pashiçit shkroi me 20 tetor se”… çështja e caktimit të kufijve ndërmjet Shqipërisë dhe shtetit tonë mori fund në mënyrën më të pëlqyeshme” dhe se “sjellja miqësore e zotit Ahmet Zogu është marrë kurdoherë në konsideratë, në rrethet tona politike”.

    Ky pra, ishte ai burrë i madh i shtetit që paska bërë aq shumë për kombin e tij!

    Zogu, në gjithë veprimtarinë e vet, u bë një barrierë dhe ndërpreu rrjedhën progresive në historinë shqiptare, ai konservoi feudalizmin e analfabetizmin, në fshatin shqiptar u thur legjenda e misrit, ndërsa shteti i tij ligjor u përcaktua aq sakt në këto tre vargje- lapidartë Gjergj Fishtës:

    Lala Kros o lala Kros,

    Vetë shkru e vetë vulos!

    Askush nuk të thotë mos!

    Këto tre vargje të Fishtës së madh (siç e dini ai s’ishte majtist), ishin një sarkazëm e pamëshirshme për gjithë lala krosët, vërlacët, resulët dhe gjithë aparatin shtypës të monarkut tonë. Këto vargje shkojnë shumë mirë edhe si epitaf mbi varrin e “shtetit ligjor” të asaj kohe. E që na reklamohet me paturpësi

    Tani le të kthehemi edhe një herë te fillimi i këtij artikulli.

    Pas gjithë atyre vlerësimeve pozitjve për “shtetin ligjor” të Zogut, duhet pritur që zoti Berisha të shkojë edhe në vendlindjen e tij, në Tropojë, dhe t’iu shpjegojë tropojanëve se Bajram Curri dhe bashkëluftëtarët e tij janë vrarë jo nga xhandarët e mbretit të ardhur nga Jugoslavia, por nga “shteti ligjor”, pra Bacë Bajrami nuk është ai që kemi njohur deri më sot, sepse “shteti ligjor “vret vetëm kriminelat. Po të thuash “a” duhet të thuash edhe “b”. Apo jo zoti Berisha? Sipas kësaj logjike, malësorët e Tropjës, Gjakovës e mbarë Shqipërisë duhet t’i harrojnë tashmë rapsoditë, baladat dhë këngët, ata duhet të shembin edhe monumentet për heroin e dragobisë, për Hasan Prishtinën, për Azem Bejten e Shotën.

    Natyrshëm, lind edhe një pyetje tjetër: Pas lëvdatave në adresë të “shtetit ligjor” zogist, a mendoni, zoti Berisha, se Bajram Curri e luftëtarët e tjerë të mëdhenj për pavarësi, i duhen kombit tonë edhe sot, edhe në të ardhmen, apo duhet të bashkohemi me vrasësin e tyre dhe t’i harrojmë? Serbia, si do që të ndodhë, gjithmonë do të jetë në portat tona. “Hanibali para portës”- paralajmëronte senatori romak, Katon. Mos harroni Kartagjenën! Dhe Kartagjena mund të përballohet vetëm me patriotë trima, jo me politikanë që, për hir të karrikes, i ndërrojnë parimet si këmishat, jo më politikanë që iu falin serbëve copa trojesh të Atdheut për të siguruar një fron për vete, apo duke sulmuar popullin e tyre. Popullit tonë do t’i duhen edhe heronjtë, edhe patriotizmi masiv, edhe memorja historike, se Hanibalin ja ku e kemi, prapa portës! Historia nuk “vihet në vend” sa herë të duam ne. Historia është fakte. Të vësh në vend historinë nuk do të thotë ta përdhosësh atë, duke nxjerrë nga balta një careviç që e fitoi fronin me ndihmën e bajonetave serbe dhe e nxori atdheun në ankand sa te Serbia, sa te fashizmi italian, dhe pastaj, në ditën më të rrezikshme e tragjike i braktisi Shqipërinë e shqiptarët dhe ia mbathi me kuç e me maç, nëpër Europë, si një trupë cirku në turne, me valixhet të mufatura me arin e grabitur.

    A. Zogu, siç erdhi edhe iku. Ai erdhi me komplot dhe u arratis si dezertor.

    Historia, ashtu siç ka piedestale për heronjtë, ka edhe kosha për tradhëtarët e dezertorët.

    Për të fituar simpatinë e monarkistëve, zoti Berisha deklaroi se referendumi i ’97-ës qenka manipuluar. Kjo do të thotë, sipas tij, se po të mos ishte manipuluar referendumi, në Shqipëri tashmë do të kishte fituar monarkia. E habitshme! Vetë Berisha ka thënë se ka votuar kundër vendosjes së monarkisë, pra s’duhet të ketë votuar pro as partia e tij. Po kështu votuan kundër edhe socialistët dhe partitë që ishin në aleancë me ‘ta e që morën shumicën e votave në ato zgjedhje. Ma ha mendja se edhe republikanët e Godos e të Mediut nuk dotë kenë votuar për rivendosjen e monarkisë. Atëherë,

    kush mbeti? Ku mund të gjendej gjithë ai elektorat që do të dilte mbi të gjitha këto parti? Një proverb i popujve të lindjes thotë: “Mendoje atë që thua dhe përtype atë që ha”. Jeta është aritmetikë, Olimbi! Siç shikoni, këtu ka një kontradiktë të madhe e të koklavitur saqë edhe truri i holluar i atyre që janë specializuar posaçërisht në tregimin e përrallave me mbret, nuk mund t’iu japim dum këtyre hesapeve!

    Berisha është duke kaluar disa vështirësi, si në planin e brendshëm ashtu edhe të jashtëm. Atij i duhen vota, se zgjedhjet janë në prag të derë§, Por sido që të vijë puna, monarkistët me një mikrobus elektrodat s’kanë s’e ç’japin. Kështu, pra, nuk e vlen barra qeranë të merresh edhe aq shumë me ta.

    “Shumë zhurmë e pak lesh”- paska thënë djalli kur po qethte macen!