Ymer Deliallisi, nënshkruesi nga Shijaku i Aktit të Pavarësisë më 1912-n

    703
    Sigal

    Shoqëruesi i parë i Ismail Qemalit, që për shumë dekada, nuk u përmend kurrë

    Shijaku, qyteti i vogël, por me histori të madhe, ka nxjerrë në shekuj njerëz të rëndësishëm dhe me kontribute të jashtëzakonshme për fatet e kombit. I ndodhur gjeografikisht mes Tiranës dhe Durrësit, qyteti i Shijakut, gjithmonë ka qenë përfshirë në fatet dhe ngjarjet e bujshme të kombit, duke u cilësuar shpesh si  “vendi që lind burra”. Në librin e tij “Shqipnia në vitin1927”  Teki Selenica shkruan se: “Shijaku është themeluar më 1880 prej Sali bej Deliallisit, i cili kur ka ardhur në Shijak nuk ka pasur as një shtëpi dhe ka qenë pyll. Qyteti asht pagëzuar Shijak nga një kishë që ka qenë në kodrën përmbi qytet (kisha e Shën- Jakut)”. Ndër më të shquarit e fisit të Deliallisve është Ymer bej Deliallisi, i cili u lind në Shijak në vitin 1827. Mësimet e para i mori në mejtepin e Shijakut, më pas vijoji studimet në Stamboll. Qysh në vitin 1900 u lidh me atdhetarë të njohur në kolonitë shqiptare në Egjipt dhe Bukuresht. Në vitin 1908 merr pjesë aktive në përhapjen e ideve kombëtare. Shtëpia e tij ishte kthyer në “fole patriotësh” të ndjekur nga regjimi turk, dëshmon H . Ibrahim Dalliut, në librin “Patriotizma në Tiranë” (1930). “Kah mezi i qershorit të këtij viti (1908) formova, bashkë me vllanë tim Masarin, çeta pjesëmarrëse në deklarimin e luftës kombëtare- shkruan Ymer Deliallisi në kujtimet e tij- Shkumë në Sara Salltik të Krujës, ku u poqëm me çetat e Abdi Toptanit tue formu’ pjesën ma të gjallë të kryengritjes”. Në nëntor të vitit 1912, Ymer Deliallisi mori pjesë në Kuvendin e Vlorës si delegate i Shijakut, është nënshkrues i aktit të Pavarësisë, bashkë me kushëririn e tij Xhemal Deliallisi. Në kujtimet e tij Ymer bej Deliallisi shkruan: “Në vitin 1912 kur Plaku i Vlonës dul në Durrës e do të nisesh për në Vlonë me shpall indipendencën shqiptare, mora pjesë bashkë me kushërinin tim Xhemal Deliallisi, si delegatë të nënprefekturës së Shijakut. Sot, ruj kujtimin e shtrejtë të asaj tube historike atdhetarësh qi përçau fushën e Myzeqes, e cila ato ditë kje e transformume në nji knetë të gjanë nga shiu i dendur”. Ishte Ymer Deliallisi me njerëzit e tij të armatosur që morën përsipër sigurimin e karvanit të Ismail Qemalit drejt Vlorës. Ja çfarë shkruan nënshkrues i aktit të Pavarësisë Ferit Vokopola, për këtë ngjarje historike: “Më 21 Nandor na lajmëronte Hamid bej Toptani me Servis Telegrafik nga Durrësi se Ismail beu arriti  dhe janë marrë masat e duhura deri në Shkumbin në shoqërim të z. Ymer bej Deliallisit me shokë..” (Revista Njeriu, “Ngritja e flamurit kombëtar” (Nr 5, 1942 fq 3-7) “Kur mbërritëm në Vlonë – vazhdon në kujtimet e tij Ymer bej Deliallisi- i drejtova nji telegram parisë së Shijakut qi të ngrishin Flamurin Kombtar” . Teksti ndodhet në Dokumentet historike, Lef Nosit, 1924, Nr.4. fq 107. “Durrësi, Tirana, dhe Elbasani shpallën independencën. Ju në mos e paçi shpallë, shpallnie sa ma parë dhe na lajmëroni. Për formalitetet e shpalljes pytni Durrësin, Tiranën dhe Elbasanin.” Ymer Deliallisi, Xhemal Deliallisi. Dhe shijakasit vepruan me shpejtësi. Nën drejtimin e parisë dhe vëllait të tij, ushtarakut të shquar Masar Deliallisi shpallën pavarsinë në Shijak. (Lef Nosi, Dokumente Historike). Më vonë, Ymer bej Deliallisi u radhit në mbrojtje të Princ Vidit. “Më 1914- shkruan në kujtimet e tij- në kohën e princ Vidit, bana pjesë në nji grusht patriotësh qi u ndoqën nga rrebelët dhe bashkë me pjestarët e familjes time luftumë kryengritjen drejtue kundra Qeverisë të asaj kohe deri sa Princi la Durrësin; në kët moment edhe unë bashkë me at grup atdhetarësh, nën kryesinë e Aqif Pashë Elbasanit, shkuem në Itali, tuj lanë në durët e rrebelëve babën tim Dalip Deliallisi i cili qe burgos e dërgu në burgun e Elbasanit. Ktu, ky përfitoi nga arratia e shkoi e gjet streh në Mat, në shtëpinë e N. M. Tij Mbretit, e cila asi kohe ishte çerdhe patriotësh”. Ymer bej Deliallisi më 25 dhjetor1918, mori pjesë si delegat i Nënprefekturës së Shijakut në Kongresin Kombetar të Durrësit; fakt që dokumentohet në librin “Shqipnia më 1927 e Z.T.Selenicës.Në vitin 1920 Kongresi i Lushnjës e zgjodhi Ymer bej Deliallisin senator. Për tu theksuar është se rrugës për Tiranë qeverija e krijuar në Lushnje u sigurua gjatë udhëtimit nga forca të drejtuara nga vëllai i tij, ushtarak i shquar Masar Deliallisi. Qeveria dhe kongresistët e Lushnjës për disa ditë qëndrun në shtëpinë e Deliallisëve në Shijak. Në kujtimet e Ymer Deliallisit me rastin e 25 vjetorit të pavarsisë së Shqipërisë (1937) shkruan “Vij e mbyll shërbimet e mia patriotike tue mos qit në harresë dhe pritjen bujare, e përkrahjen e duhun, qi gjetën kongresistat e Lushnjës, prej shtëpisë tonë, me rastin e qindrimit të tyne ne Shijak. “Gjatë kohës së mbretnisë Ymer Deliallisi ka kryer funksione shtetrore si kryetar bashkie në Shijak, Nënprefekt në Lushnje, Peqin etj. Ymer Deliallisi, sëbahku me Abaz Kupin, Ndoc Çobën, Rauf Ficon, etj., është pjesmarrës në Kongresit e Herit më 21 nëntor 1943, ku u formua Organizatën Kombëtare. Vdiq në vitin 1944. Ymer Deliallisi mbetet një figurë me kontribute të shquara patriotike, jo vetëm e Shijakut por gjithë Shqipërisë.