Ylli Spahiu: Patenta me pikëzim nuk mund të aplikohet me ligjin aktual, ja problematikat

    513
    Sigal

    Flet z. Ylli Spahiu, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor: Së shpejti testimi praktik me pikë, njësoj si ai teorik

    Patenta me pikëzim nuk mund të aplikohet pa u miratuar projektligji i ri për disa ndryshime të Kodit Rrugor të Shqipërisë. Këtë e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf” z. Ylli Spahiu, kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor. “Në fakt është e pamundur aplikimi i saj me ligjin aktual për një sërë problematikash, të cilat janë evidentuar dhe pasqyruar nga specialistët tanë. Me nismën e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës është hartuar projektligji për disa ndryshime të Kodit Rrugor të Shqipërisë, i cili bën të mundur dhe vënien në zbatim të këtij sistemi me pikëzim”, shprehet z. Spahiu. Ai parashikon që brenda muajit Maj 2014 institucioni që ai drejton do të përfundojë specifikimet teknike për sistemin e lejeve të drejtimit me pikë. Gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor tregon për lexuesin edhe ndryshimet që do të ndodhin në testimin për marrjen e patentës si në atë teorik, ashtu dhe në praktikë.

     Ka vite që përflitet sistemi me pikëzim i lejeve të drejtimit të automjeteve…

     Më parë më duhet të sqaroj disa gjëra thelbësore, të cilat anashkalohen, përsa i përket aktorëve kryesorë dhe detyrat e gjithsecilit prej tyre në sistemin me pikëzim të lejeve të drejtimit.  Sistemi me pikëzim bazohet në ndryshimet e Kodit Rrugor në dhjetor të 2011-s në Nenin 120/1 si dhe VKM Nr. 543, datë 13.06.2013, ku jepen penalizimet në pikë, sipas neneve të Kodit Rrugor. Në këtë sistem marrin pjesë aktorë të ndryshëm që janë: Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), e cila ka për detyrë të ndërtojë dhe mbajë regjistrin e pikëve të lejeve të drejtimit, të shtojë pikët siç e parashikon Kodi Rrugor, të ritestojë shtetasit të cilët humbasin të drejtën e mbajtjes së lejes së drejtimit si rezultat i shkeljeve të ndryshme siç e parashikojnë aktet ligjore; Një tjetër aktor është Policia e Shtetit, organi i cili raporton pranë drejtorisë sonë heqjen e pikëve apo pezullimin e lejes së drejtimit të një shtetasi, i cili gëzon një karton lejedrejtimi të lëshuar nga ne. Dua të theksoj këtu që vendimi i policisë pranë drejtorisë sonë ekzekutohet në momentin kur i ka kaluar të gjitha fazat e kontestimit të penalitetit të qytetarit. Për këtë qytetari i drejtohet Gjykatës Administrative (një nga aktorët e këtij sistemi), e cila ka të drejtë të revokojë një vendim të policisë në rastet kur ajo gjykon si jo të drejtë vendimin e saj; dhe aktori kryesor padyshim që është qytetari, i cili gëzon lejen e drejtimit. DPSHTRR nëpërmjet faqes VVEB të saj duhet t’i ofrojë mundësinë qytetarit të kontrollojë gjendjen e tij të pikëve në çdo moment.

     Çfarë po bëhet aktualisht në lidhje me sistemin me pikëzim të lejeve të drejtimit nga drejtoria juaj?

     Aktualisht Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor ka ngritur një grup pune për realizimin e një projekti për sistemin me pikë të lejeve të drejtimit, i cili duhet të përfundojë brenda këtë viti. Ky grup pune ka si objektiv ndërtimin e udhëzimeve përkatëse; përcaktimin e mënyrave të shkëmbimit të informacionit me policinë e shtetit si dhe me organet e tjera, të cilat mund të kenë nevojë për informacion nga regjistri i lejeve të drejtimit; si dhe analizën e problematikave që mund të lindin gjatë këtij procesi dhe propozimet për zgjidhjen e tyre.

     Kur do të bëhet i mundur aplikimi i sistemit me pikë të lejes së drejtimit?

     Në fakt, është i pamundur aplikimi i saj me ligjin aktual për një sërë problematikash, të cilat janë evidentuar dhe pasqyruar nga specialistët tanë. Me nismën e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës është hartuar projektligji për disa ndryshime të Kodit Rrugor të Shqipërisë, i cili bën të mundur dhe vënien në zbatim të këtij sistemi me pikëzim të lejes së drejtimit. Gjithashtu Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor parashikon që brenda muajit Maj 2014 do të përfundojë specifikimet teknike për sistemin e lejeve të drejtimit me pikë.

     A janë të regjistruar të gjithë kartonat e lejedrejtimeve të automjeteve?

     Aktualisht drejtoria jonë ka rreth 740,000 kartona lejedrejtimi të lëshuar, të cilët janë përputhur me regjistrin kombëtar të shtetasve dhe këto kartona u përkasin afro 625,000 shtetasve. Ekzistojnë edhe disa kartona të lejeve të drejtimit të cilët nuk janë të mundur që të verifikon me anë të regjistrit kombëtar të shtetasve për arsye të ndryshme siç janë: Kartoni i përket një shtetasi të huaj; Kartoni i përket një shtetasi shqiptar i cili nuk jeton më; Kartoni i përket një shtetasi i cili ka ndryshuar gjeneralitet e tij; Kartoni i lëshuar është para Qershorit 2005, kur ka filluar edhe prodhimi i kartonave plastik me element sigurie. Për të gjithë këto raste drejtoria jonë ka ndërtuar modulet me qëllim që këto lejedrejtimi të jenë pjesë e regjistrit të lejeve të drejtimit.

     A do ketë ndonjë risi në testimin e kandidatëve që duan të marrin leje drejtimi?

     Aktualisht, për të marrë lejen e drejtimit nuk duhet të bësh më shumë se 7 gabime, nga 10 që ishin më parë. Në frymën e direktivave të KE-së është përmirësuar testimi teorik, duke larguar ujërat e tepërta dhe pyetjet provokative. Tani pyetjet janë më të drejtpërdrejta. Shumë shpejt drejtoria jonë do të verë në dispozicion të autoshkollave programin e testit teorik që paktikantët të përgatiten dhe të dinë se me çfarë do të përballen në test. Gjithashtu shumë shpejt do të aplikohen më shumë masa sigurie për të identifikuar personin që do të testohet. Kështu, përpara se kandidati të testohet do të fotografohet dhe do t’i merren shenjat e gishtërinjve për të shmangur që një tjetër person të testohet në vend të tij. Ajo çfarë do të desha të theksoja është se janë ngritur dy grupe pune për ta bërë dhe testimin praktik me pikë, njësoj si ai teorik. Kjo bëhet që kandidati mos të penalizohet dhe të digjet vetëm për një gabim, por në një sistem pikësh vetëm nëse nuk kalon pragun, atëherë ai nuk e merr praktikën.

    Problematikat e ligjit aktual për zbatimin e patentës me pikëzim

     VKM Nr. 543, datë 13.06.2013 është ne kundërshtim me Kodin Rrugor neni 120/1 për të cilën DPSHTRR ka bërë propozimet në vijim:

    -Në pikën 2 të Nenit 312/1 të VKM Nr. 543, dt. 13.06.2013 thuhet: “Programet dhe kohëzgjatja e kurseve të trajnimit për të rimarrë pikët e humbura përcaktohen nga ministria përgjegjëse për transportin rrugor në aktet, që rregullojnë veprimtarinë e autoshkollave dhe të programeve të testimit”, si dhe në pikën 3 të Nenit 312/1 të VKM Nr. 543, dt. 13.06.2013 thuhet: “Për të rimarrë pikët e humbura drejtuesi i mjetit duhet t’u nënshtrohet kurseve të kualifikimit dhe provimeve për kategorinë më të lartë të shënuar në lejen e drejtimit të anuluar”. Për mendimin tonë këto pika bien në kundërshtim me piken 6 të Nenit 120/1 të Kodit Rrugor ku thuhet: “Me humbjen totale të pikëve, mbajtësi i lejedrejtimit duhet t’i nënshtrohet një provimi të kualifikimit teknik të përmendur në nenin 128 të këtij Kodi. …. “, ndërsa Neni 128 i Kodit Rrugor nuk kërkon që i interesuari për të rimarrë pikët e humbura t’i nënshtrohet kursit të kualifikimit, por i interesuari mund të procedojë drejtpërdrejti duke dhënë provimet. Konkretisht në piken 2 të Nenit 128 të Kodit thuhet: “Kur nuk ekzistojnë më motivet që kanë përcaktuar marrjen e masës për anulimin e lejedrejtimit, i interesuari mund të procedojë drejtpërsëdrejti, duke dhënë provimet dhe duke bërë verifikimin e kërkesave fizike e psikike të parashikuara për konfirmimin e vlefshmërisë…”. Kjo mospërputhje krijon konfuzion për përgatitjen e infrastrukturës së nevojshme për rimarrjen e pikëve të humbura.

    – Në piken 3 të nenit 312/1 të VKM Nr. 543, dt. 13.06.2013″ thuhet: “Për të rimarrë pikët e humbura drejtuesi i mjetit duhet t’u nënshtrohet kurseve të kualifikimit dhe provimeve për kategorinë më të lartë të shënuar në lejen e drejtimit të anuluar”. Kjo pikë e detyron drejtuesin e mjetit i cili dëshiron të marrë pikët e humbura që t’i nënshtrohet kurseve të kualifikimit dhe provimit për kategorinë më të lartë të shënuar në lejen e drejtimit dhe në këtë mënyrë i heq te drejtën që drejtuesi i mjetit të heqë dorë nga një kategori lejedrejtimi në bazë të preferencave të tij. Për zgjidhjen e këtij problemi propozojmë që kjo pikë të ndryshohet si në vijim: ” Për të rimarrë pikët e humbura drejtuesi i mjetit duhet t’u nënshtrohet provimeve sipas nenit 128 të Kodit Rrugor për kategorinë më të lartë të shënuar në lejen e drejtimit të anuluar, ose për një kategori tjetër sipas dëshirës se drejtuesit të mjetit i cili heq dorë nga kategoritë më të larta se kategoria për të cilën dëshiron t’i nënshtrohet provimit”.

    -Kodi Rrugor në Nenin 120/1 pika 1 është në kundërshtim me pikën 2 të këtij Neni dhe kjo e bën të pamundur zbatimin e lejeve të drejtimit me pikë. Neni 120/1 në piken 1 thotë: “… më poshtë regjistri kombëtar, pëson shkurtime (zbritje), në masën e treguar në tabelën e pikëve, në bazë të njoftimeve për shkeljet e normave të sjelljes, për të cilat është parashikuar një sanksion administrativ plotësues i pezullimit të lejedrejtimit, parashikuar në kapitullin V të këtij Kodi”.

    Sipas kësaj pike është e pamundur të hiqen pikë për rastet kur nuk është hequr leja e drejtimit, duhet te jetë: “… më poshtë regjistri kombëtar, pëson shkurtime (zbritje), në masën e treguar në tabelën e pikëve, në bazë të njoftimeve për shkeljet e normave të sjelljes, për të cilat nuk është parashikuar një sanksion administrativ plotësues i pezullimit të lejedrejtimit, parashikuar në kapitullin V të këtij Kodi.”