Ylli Shehu: “Pres një kampionat tepër të nxehtë”

572
Sigal

Ish-sulmuesi i njohur i Partizanit: “Skënderbeu, Tirana dhe Flamurtari janë favoritët për titull”

Ylli Shehu, ish-lojtar i njohur i Partizanit (aktualisht zëvendëstrajner i kësaj skuadre), tha për “Telegraf” se, tri javët e para të Kategorisë Superiore, me rezultatet që kanë dhënë ato, treguan se skuadrat që kanë investuar në merkato dhe kanë bërë përgatitje serioze kanë pasur edhe rezultate më të mira. “Në fund të sezonit do të bien direkt katër skuadra, dhe kjo e bën edhe më të fortë këtë kampionat. Pres një sezon tepër të nxehtë. Edhe pse jemi në fillim të sezonit, mund të them se pesë janë skuadrat që do të luftojnë për titullin Skënderbeu, Tirana dhe Flamurtari, ndërsa Laçin dhe Vllazninë i shoh në luftë për zonën europiane. Për mua, Kukësi është duke bërë një fillim sezoni mjaft premtues”, – tha Shehu. Ish-lojtari i Kombëtares e konsideroi si një gjë normale ndryshimin e disa bankinave. “Kjo, – theksoi ai, – e parë në këndvështrimin e realitetit shqiptar, ku presidentët e klubeve dhe trajnerët, shpesh kanë një marrëdhënie jo shumë të qartë midis tyre”. Shehu e vlerësoi investimin që bëri Flamurtari duke marrë spanjollin Rubio në bankinë. “Ai ka një mentalitet fituesi dhe këtë e tregoi dhe sezonin e kaluar me Tiranën”.

Zoti Shehu, janë zhvilluar tri javët e para të këtij edicioni të Kategorisë Superiore, ku shohim qysh tani kampionin Skënderbeu dhe fituesen e Kupës, Tiranën, të bashkëkryesojnë me Laçin. Në këndvështrimin tuaj si e keni parë këtë fillimsezoni?

Duke i parë ndeshjet në tërësi, mendoj se, kampionati ka dhënë sinjale e para se do të kemi një kompeticon të fortë. Tre kryesueset, Skënderbeu, Tirana dhe Laçi, duke mos përjashtuar edhe Flamurtarin dhe Vllazninë, kanë treguar se, ekipet që kanë ruajtur boshtin, apo kanë investuar në merkato, do të jenë dhe favoritet për titulli dhe pretedente për të hyrë në zonën e Europës. Kanë lojtarë cilësorë dhe më përvojë dhe kjo vlen shumë. Sigurisht, që financat ndikojnë shumë në një kampionat si i yni.

Kush ju ka surprizuar më shumë nga skuadrat?

Personalisht, jam i befasuar nga paraqitja e mirë e Kukësit, që debuton për herë të parë në Superligë. Pavarësisht se, nuk ka fituar asnjë ndeshje deri tani, por dhe nuk ka humbur, madje nuk është e vetmja që nuk ka pësuar dhe gol. Sigurisht, investimet e mëdha në merkato kërkojnë dhe kohën e përshtatjes së lojtarëve, pasi ka blerë futbollistë me përvojë. Skuadrat me probleme, të karaktereve të ndryshme janë në fund të tabelës së renditjes. Mendoj se, do ta kenë të vështirë mbijetesën.

Janë zhvilluar disa ndeshje pa shikues në Superligë, dhe në javën katërt do të jenë dy të tilla. A mund të flasim për stadiume të nxehta?

Tifozët janë shumë të ndjeshëm ndaj ecurisë së skuadrës së tyre, pasi zhgënjehen shpejt. Reagojnë fort, dhe ndonjëherë edhe e teprojnë ndaj vendimeve të gjyqtarëve, që atyre u duken të padrejta. Për mua, nuk është një gjë e mirë kur luhet në një stadium bosh. Kam qenë vetë futbollist dhe e di sa të rëndësishëm janë ata në një ndeshje.

Në tri javët e para kemi parë katër lëvizje bankinash, përfshirë Tiranën, Flamurtarin dhe Teutën. I konsideroni normale, apo të pazakonta?

Jemi mësuar tashmë. Ndodhin gjithmonë në kampionatin tonë, kjo duke iu referuar edhe sezoneve të fundit. Nuk mund të gjykoj dot mbi vendimet që kanë marrë presidentët e klubeve, apo të vetë trajnerëve në rastin kur janë dorëhequr, por besoj se ka të bëjë me rezultatet dhe objektivat që kanë marrë klubet.

Tirana solli në drejtimin e skuadrës, një bashkëkohës tuajin, në futbollin e viteve 1985-1997, Artur Lekbellon. Në opinionin tuaj, a do t’ia arrijë ai t’i rikthejë titullin që i mungon prej tre sezonesh?

Lekbello ka qenë një mesfushor i dalluar me Tiranën, dhe në ndeshjet Partizani-Tirana, ku ne kemi qenë kundërshtarë direkt gjithmonë ka bërë lojëra të mira. Gjithsesi, si trajner ai po provohet për herë të parë në Shqipëri. Ende nuk e ka zhvilluar ndeshjen e parë të tij. Por, Tirana gjithmonë është ndërtuar për të fituar trofe. Fakti, që ajo është skuadra me më shumë trofe në Shqipëri do të thotë se, edhe objektivi kryesor i Lekbellos është fitimi i kampionatit.

I vetmi trajneri i huaj ndër 14 skuadrat e Superligës është Hulian Rubio, i cili pasi e nisi kampionatin në stolin e Tiranës, tani drejton Flamurtarin. Sa mund ta justifikojë spanjolli investimin për të?

Rubio e tregoi veten te Tirana, ku fitoi një Kupë dhe një Superkupë të Shqipërisë. Mendoj se, pavarësisht kostos së lartë financiare që ai ka si trajner, investimi i Flamurtarit tek ai është një gjë pozitive, pasi Rubio ka një mentalitet fituesi. Mbetet për t’u parë sesi do të ecë skuadra vlonjate, pasi në dy ndeshjet para me Rubion në bankinë deri tani ka një fitore dhe një barazim.

Shehu, në përfundim të këtij sezoni të Kategorisë Superiore do të dalin katër skuadra. Sa e nxit kjo luftën sportive?

Vetë formula e përzgjedhur nga ana e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, natyrshëm të krijon bindjen se do të kemi luftë të fortë, pasi asnjë nga skuadrat nuk dëshiron të bjerë një kategori më poshtë. Gjithsesi, nuk mund të shmangë edhe ndonjë problem. Dihen tashmë ato. Sinqerisht, pres një kampionat të “nxehtë’, por nuk përjashtoj edhe kompromiset që janë bërë rutinë në fund të sezonit, nga ana e atyre që do të sigurojnë qëndrimin disa javë më parë.

_____________________________________________________________________________________

KATEGORIA E PARË ME PROBLEME FINANCIARE

Ylli Shehu është zëvendëstrajneri i Partizanit. Skuadra e kuqe merr pjesë në Kategorinë e Parë. Tri javët e para kanë treguar disi portretin e të gjitha ekipeve: “Mendoj se Lushnja, me paraqitjet e deritanishme, ku ka marë pikë të plota, është skuadra më e fortë. Gjithsesi, do të ketë disa skuadra që do të rivalizojnë për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore, pasi siç dihet do të ngjiten vetëm dy të tilla. Edhe Partizani, apo Dinamo, pavarësisht rezutatave në këto javë të para, do të jenë ndër pretetendetet për të hyrë në Superligë’. Sipas Shehut, një pjesë e skuadrave të Kategorisë së Parë vuajnë nga mbështetja financiare. Lushnja kryeson me 9 pikë të plota, e ndjekur nga Iliria me 7 pikë. Dinamo ka 4 pikë dhe Partizani, 3. Java e 4-t ka këtë kalendar: Besëlidhja-Mamurrrasi, Gramshi-Pogradeci, Himara-Iliria, Naftëtari-Dinamo, Kamza-Burreli, Partizani-Tërbuni, Lushnja-Elbasani, Ada-Butrinti.