Ylli Ballta:Albtelekom mban “peng” prej 3 vjetësh ish- punonjësit, nuk u jep përqindjen që u takon nga privatizimi

    411
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Ylli Ballta, Kryetari i Federatës së Sindikatës së Post-Telekomit të Shqipërisë

     Rreth 8 mijë punonjës të Albtelekom-it janë penalizuar dhe nuk kanë marrë përqindjen që u takon nga privatizimi i Albtelekom. Në një intervistë për “Telegraf”, ka folur në lidhje me këto probleme i Federatës së Sindikatës së Post-Telekomit të Shqipërisë Ylli Ballta. Sipas tij, janë rreth tetë mijë persona që kanë letrat me vlerë, por nuk i kanë marrë akoma për shkak të një marrëveshje që është bërë për nja afat 5- vjeçar.

     -Zoti Ballta, çfarë po bëhet me ish- punonjësit e Albtelekom që janë aksionerë dhe që s’e kanë marrë përqindjen që u takon?

    -Është mbyllur çështja e përqindjes që u takon ish punonjësve për momentin sepse Telekomi shqiptar ka marrë një kredi nga Banka Europiane për Zhvillim me kusht që për 5-vjet të mos jepte asgjë nga fitimi. Deri tani kanë kaluar tre vjet gjysmë dhe duhet të kalojnë edhe gati dy vjet të tjera në mënyrë që të shihet se çfarë do bëhet me përqindjet. Jemi interesuar sepse është një numër i madh punonjësish që kanë letra me vlerë dhe që i kanë paraqitur letrat me vlerë. Dhe të gjithë janë të shqetësuar sepse nuk po jepet asgjë nga fitimi i Albtelekomit pjesës që i takon. Kështu që tre vjet kanë kaluar duhen edhe dy vjet të tjera dhe pastaj do të ecet sipas ligjeve që ka shteti shqiptar. Në këtë pikë ka humbur edhe posta shqiptare që duhet të merrte 3 %. Kjo është e gjithë arsyeja sepse ne jemi të shqetësuar. Pasi është bërë kjo marrëveshje që ka marrë kredinë Albtelekomi dhe pjese e marrëveshjes është dhe kjo që thamë me lart. Kjo na ka dëmtuar të gjithë personat që duhet të përfitonin nga letrat me vlerë.

     -Sa është përqindja e aksioneve që nuk po u jepet punonjësve nga Albtelekom?

    -Po është 3% dhe këtu futet edhe Posta Shqiptare si aksionere edhe ajo nuk e merr dot përqindjen e saj. Pra sipas kësaj marrëveshje as shteti shqiptar nuk e merr dot përqindjen e saj në bazë të kësaj marrëveshje. Pra pas përfundimit të marrëveshjes do të shpërndahet edhe pjesa që u takon aksionarëve. Madje, edhe punonjësit në rritjen e pagave kanë qenë gati të papërfillshme po ashtu edhe shpërblimet kanë qenë minimale.

     -Sa është numri i punonjësve që përfitojnë nga letrat me vlerë?

    -Është një numër i konsiderueshëm prej afro 8 mijë vetash. Kjo është një arsye që ne kemi ngulmuar, dihet që Telekomi është një kompani që merr shumë fitime. Po ashtu kjo kompani ka bërë dhe mjaft shkurtime të numrit të punonjësve. Ne jemi të kapur në vështirësi financiare mjaft të mëdha për të gjithë pasi prisnim që të merrnim fitime nga privatizimi. Po marr shembull një kompani tjetër celularë në momentin që u privatizua dha goxha shpërblime të majme për punonjësit kur u privatizua. Ndërkohë që ne jo vetëm nuk u shpërblyem kur u privatizua por nuk morëm as nga 1- 12 pagat shpërblim për çdo punonjës megjithëse  ligji është i shkruar, por i pazbatuar për ne…

     -A nuk ka ndonjë rrugë zgjidhje tjetër për punonjësit në mënyrë që të marrim pjesën që u takon, a keni kërkuar?

    -Jo nuk ka asnjë zgjidhje, ne e kemi parë dhe këtë mundësi. Është bërë një kontratë dhe duhet të plotësohen kushtet e kësaj kontrate. Po ashtu nuk besoj që i futet njeri në rrugë gjyqësore kësaj çështje në këtë kohë të vështira financiare.