Ylli Ballta: Albtelekom shkurton 1000 punonjës, sindikata paralele “shtet”, palë në pushimin e tyre

    605
    Sigal

    Intervistë/ Flet Ylli Ballta, President i Federatës Sindikale të Punonjësve të Post-Telekomunikacioneve të Shqipërisë

    Reformat në Albtelekom kanë sjellë shkurtimin e rreth 1000 punonjësve. Por ajo që është më e çuditshmja për Ylli Balltën, Presidentin e Federatës Sindikale të Punonjësve të Post-Telekomunikacioneve të Shqipërisë, është se e gjithë kjo, është bërë me marrëveshje ndërmjet sindikatës nënshkruese “bashkëpronare në qeverisje” me punëdhënësin, Albtelekom.  “Një sindikatë shqiptare të jetë dakord me shkurtimet nga puna, të punonjësve!?” shprehet me habi, në një intervistë për “Telegraf”, z.Ballta. Gjithashtu, z. Ballta bën të ditur se punonjësit e Albtelekom ndihen të terrorizuar, për shkak të survejimit të tyre me kamera gjatë gjithë kohës dhe kudo. Ndërsa për shpërblimin e punonjësve nga “suksesi i privatizimit” të Albtelekom, ballta shprehet se ende nuk janë marrë. Por “të paktën, të përfitojnë nga bonuset e letrave me vlerë që kanë depozituar këta njerëz”, shprehet ai.

    A ishte i domosdoshëm privatizimi i Albtelekomit, në gjykimin tuaj?

    Në këtë bashkëbisedim me ju, bëtë një sërë pyetjesh që janë me interes dhe për publikun. Le të kthehemi te pyetja. Tani gati pas 5 vjetësh privatizim, mendjet janë më të kthjellëta, ashtu si jo gjithçka që vinte nga ekonomia e tregut rezultoi pozitive në analizat e ekonomistëve dhe drejtues shteti në botë. Ne në atë kohë e kundërshtuam privatizimin për dy arsye: E para: Shpejtësia me të cilën kërkohej të privatizohej kjo pasuri kombëtare. E dyta. Çmimi i ulët, vetëm 120 mln euro, ose dollarë pak rëndësi ka. Presioni nga punonjësit qe i madh për sindikatën, pasi vihej në lojë ekzistenca e tyre në punë dhe për opozitën e asaj kohe, që kundërshtonte këtë privatizim dhe luante në favorin tonë si të thuash. Sigurisht, privatizimi u shty për të dyja arsyet, por ishte dhe në favorin tonë për të shpresuar për një frymëmarrje dhe përgatitje për çka mund të ndodhte…Si përfundim, privatizimi u realizua, pavarësisht se erdhi në pushtet PD-ja, që premtoi çmim më të lartë të arsyeshëm dhe zbatim të kontratës dhe ligjit për punonjësit për përfitim nga suksesi i privatizimit. “Suksesi” u arrit me 120 mln euro ose $, sa nuk shiten këmbët e një futbollisti në treg, ndërsa qeveritë falën pasurinë më rentabël për momentin, Albtelekomin ,ose e thënë ndryshe “Banka e vërtetë e Shqipërisë”. Them kështu se në ditët më të këqija të tranzicionit, ajo dilte me fitim të konsiderueshëm. Dua të ndalem këtu, sepse këtu nuk u shitën vetëm asetet si; godinat në qendër të çdo qyteti dhe të dala pas një rikonstruksioni total, por këto u “shitën” bashkë me vlerat intelektuale si inxhinierë të talentuar me dy ose tre gjuhë të huaja, teknikë, specialistë më kontribute e stazh për t’u patur zili etj,etj. Atëherë del një përfundim i madh, kur s’të rri korrekt shteti me shtetarët e tij, çfarë pret nga një privat!? Nga kontrata doli e fituar qeveria dhe sekserët.

    Po punonjësit e morën shpërblimin për “suksesin e privatizimit”, sipas ligjit?

    Punonjësit nuk morën as dhe një qindarkë, ndonëse ligji shprehet shumë qartë se: “Punonjësit nga suksesi i privatizimit përfitojnë nga 1 deri në 12 paga mujore fitim. Komenti është i tepërt. Përplasjet dhe ecejaket tona, duke takuar deputetë të asaj kohe, por që janë dhe sot si: Spaho, Ruli, Biberaj, Leskaj etj., ishin të kota. Të gjithë thoshin “PO, s’ka asnjë pengesë”, por e vërteta doli JO e madhe. “Për ne, – thonë politikanët -, s’ka aleatë të përhershëm, të përhershme janë interesat tona” dhe vërtetë që zhgënjimi ishte i madh dhe i paprecedent. Unë besoj, se kjo mund të rishikohet nga qeveria “Rama” megjithëse kanë kaluar disa vite, por gjithçka është e mundur… Ajo shifër e shpërblimit nuk i kalonte 3 mln euro.

    Po përfitimet si aksionerë që janë, a i kanë marrë punonjësit e Albtelekomit dhe Postës Shqiptare?

    Ende jo, por, të paktën, të përfitojnë nga bonuset e letrave me vlerë që kanë depozituar këta njerëz, që Federata e Sindikatës së Post-Telekomit (FSPT), jo vetëm një herë i ka quajtur “heronj të heshtur, të thjeshtë deri në madhështi”. Këtu pa dyshim ka një pjesë të mirë dhe Posta Shqiptare, 3% të aksioneve dhe falas.

    Çfarë sindikatash operojnë te Albtelekom për mbrojtjen e punonjësve?

    Tani të vijmë tek situata pas privatizimit, sepse deri para saj, të dyja sindikatat që operojnë në Albtelekom, por dhe në Postë kanë nënshkruar kontrata të përbashkëta. Por, çudia ndodhi pas privatizimit! Sindikata tjetër, tashmë “bashkëpronare në qeverisje”, kishte luksin që të gjithë drejtuesit të ishin të asaj partie dhe listat e sindikatës u bënë me urdhër nga brenda. Loja ishte e qartë; të negocionte e vetme me pronarin turk dhe ia arriti. Ky ishte akti i parë i mosmarrëveshjes mes dy sindikatave tona, pasi më parë kemi dialoguar (para privatizimit) dhe idetë e hedhura ishin të qarta, bashkim. Por jo, nuk është e thënë. I “yti” ta nxjerr syrin dhe më thellë, thotë populli. Ne u përpoqëm mesa kishim mundësi, por frika qe e madhe, kërkuam votim për çdo rreth dhe nuk u lejuam, kërkuam ndihmë nga Ministria e Punës, por jo, heshtja mbizotëronte, secili kishte “hallin” e vet. Konfederata e Sindikatave ku bëjmë “de juro” pjesë, as që lëvizi, ajo po krijonte sindikata paralele brenda nesh?! Ne jemi atje, edhe pas humbjes së të drejtës për të qenë palë në kontratë, me shpresë se një ditë (dhe kjo mund të jetë e shpejtë) të bëhemi pjesë e një hapi cilësor dhe bashkëpunues me Albtelekomin, pasi punonjësit e dinë tashmë se çfarë përfaqëson FSPT-ja e Shqipërisë. Sindikata nuk duhet të shihet si “armik” i punëdhënësit, por si partner konstruktiv, pasi ajo menaxhon hallet dhe problematikat që dalin, ndërkohë, ato janë në të njëjtën barkë. Humbja e njërit është dhe humbja e tjetrit, ose anasjelltas.

    Si veprohet për shkurtimin e punonjësve dhe cili është roli i sindikatave në këtë rast, për mbrojtjen e punonjësve?

    Filloi reforma e parë, e dyta, e treta, e katërta dhe në shkresat e përbashkëta del: Marrëveshja e sindikatës nënshkruese me punëdhënësin për shkurtimet nga puna!? Janë shkurtuar më shumë se 1000  veta. Ne e kuptojmë se drejtuesit e sistemit Albtelekom kanë planin e tyre financiar, teknik, të jenë konkurrentë në treg dhe shikojnë që dhe shkurtimi i fuqisë punëtore të vazhdojë. Por sindikata në asnjë rast s’duhet të bëhet palë për shkurtimet, ajo mund ta kundërshtojë, të abstenojë dhe të argumentojë pse JO. Ka një ligj për të shkurtuarit nga reforma, që i jepet punonjësit sasia e viteve të punës herë paga e një 15 ditshi… Për ata që janë në prag pensioni, ose duhet të kenë dhe 3, 4, 5 vjet për dalje në pension është një zgjidhje e pranueshme, por për ata që kanë një jetë pune të gjatë përpara, është e rëndë. Këtu do ishte sfida e vërtetë e punonjësve që përmes sindikatës të inicionin takime, lëvizje etj,etj, në mënyrë që të ndërgjegjësonin punëdhënësin se kush është zgjidhja më e mirë për rrugën drejt zhvillimit dhe rrugë ka.

    Si është mjedisi ku punojnë punonjësit e Albtelekom? Sa të qetë janë ata në punën e tyre?

    Punonjësit e Albtelekomit tani janë spostuar rreth 6 km larg qendrës, ku ishin më parë. Sigurisht, kushte më të mira pune kanë, por ka disa elementë që të bëjnë të hedhësh dritë: E para, janë larg familjes dhe fëmijëve në shkollë, kopshte, çerdhe etj. dhe nuk i del koha e pushimit për të kontrolluar. E dyta, janë të survejuar jashtë çdo të drejte privatësie nga kamerat në çdo vend pune. Presioni psikologjik i ushtruar dhe të vëzhguar, të duket se i kalon caqet e sigurisë. Ato, domethënë vëzhgimi mund të bëhet rreth godinës nga jashtë dhe atje ku është arshiva, ose llogaria bankare, të tjerat jo. Kjo është shkelje.

    “Të privatizohet” shteti, nuk është rentabël

    Dhe vijmë në fund tek suksesi i privatizimeve në përgjithësi dhe i ndërmarrjeve që, për fat, kanë mbetur ende me kapital shtetëror. Recensioni i madh tregoi, sipas mendimit tonë, se etja për fitim të pamerituar sjell varfëri ekstreme. Privatizimi ka sjellë në “pushtet” njerëz tepër të fuqishëm, sa detyrojnë, jo një herë, shtetin të “thyejë” rregullat, shkurtime masive nga puna, vetëm për të mos rënë fitimi, sa për problem social gati nuk bëhet fjalë. Unë kam dëgjuar rastësisht nga një pronar, kur u shpreh me mendjemadhësi dhe përbuzje: “Unë dua në punë shërbëtorë…” dhe ashtu gati ka ndodhur, përpara apatisë së shtetit dhe mosfunksionimit të levave të tij. Po mirë, lind pyetja me të drejtë, vetë shteti, pse duhet?! Një ndërmarrje privatizohet, kur nuk është rentabël, por kur shteti nuk mbron shtetarët e tij, çfarë duhet të bëjmë?! Sipas logjikës së parë dhe “KY SHTET” duhet të “privatizohet”, përderisa del jo rentabël me bashkatdhetarët e tij. Ndaj, mbajtja në një raport ekuilibri të pronës shtetërore me atë private, përmes ligjeve që zbatohen, sjell besim dhe përkrahje për më të pambrojturit, punonjësit e thjeshtë. Shikoni në KESH, Naftë, Miniera, shkelje të rënda, flagrante, humbje kolosale, kush paguan? Fukarai, populli. Në takimin e fundit, të zhvilluar në Madrid, ku merrnin pjesë mjaft personalitete politike dhe shtetërore, në diskutimin e K/Ministrit Skocez u tha se “ne do shtetëzojmë disa kompani private dhe se një shtet i fortë mund të ekuilibrojë dhe t’i sjellë në favor të qytetarëve të saj qetësinë e munguar prej vitesh…”. Komenti do ishte i tepërt, salla e mbushur plot duartrokiti në aprovim të kësaj ideje. Në mbyllje do thosha se “Jeta është dhe duhet të mbetet një kompromis i gjatë… Kush prish ekuilibrat, sjell pasoja, ndoshta të pariparueshme për jetën” dhe shembuj ka plot. Shikoni spitalet, njerëz me viroza, sëmundje të pashërueshme, njerëz që flasin me vete, divorce, vrasje, një treg i lirë pa liri…, megjithatë unë dhe sindikata që drejtoj them se: Pas çdo perëndimi, dielli ka një lindje tjetër të tij dhe jam për rilindjen e shpresës.