Ylber Merdani: “Nderimi i Feçor Shehut, si të kujtosh litarin në shtëpinë e të varurit”

    445
    Sigal

    Rrëfimi i pjesëmarrësit në revoltën e Spaçit, Ylber Merdani: Pa u miratuar Ligji i Lustracionit do të vijojë nderimi i kriminelëve

    Kur dëgjova se Këshilli Bashkiak i qytetit të Ballshit kishte shpallur qytetar nderi Feçor Shehun, nuk desha ta besoja. Ajo që kisha dëgjuar nuk mund të ishte kurrsesi e vërtetë. Për mua ishte e pamundur. Një gjë e tillë nuk mund të ndodhte kurrë. Nderime të tilla mund të ndodhnin vetëm në një botë ireale, në një botë iluzionesh ku e vërteta nuk ekziston, shprehet me shumë dhimbje, Yleber Merdani, një nga njerëzit e revoltës së Spaçit. Pyeta njerëzit që kisha pranë, vijo të na tregojë Merdani, nëse e kishin dëgjuar edhe ata po atë lajm që kisha dëgjuar edhe unë dhe mbeta i tronditur nga përgjigjja e tyre: “Po më thanë, e dëgjuam: Feçor Shehu u shpall qytetar nderi i qytetit të Ballshit!”. Nuk di, pse atë çast më dolën para syve njerëz që kishin lyer duart me gjak, që kishin marrë jetë njerëzish e kishin nëpërkëmbur mijëra jetë të tjera. Shtanga një çast. Nuk po dilja dot nga tronditja që kisha pësuar. Habia ishte e madhe. “Pse habitesh, më pyetën sërish njerëzit që kisha rrotull meje, edhe kryekrimineli Enver Hoxha, mban edhe sot e kësaj dite titujt dhe medaljet. Ai është heroi i madh i Shqipërisë! Nuk mund të ndodhë ndryshe, edhe shërbëtorët e tij do të shpallen qytetar nderi”! “Ky është veçse një turp, ishte përgjigjja ime, ata nuk mund të jenë gjë tjetër veçse qytetarë të turpit”, por gjithë ata që atë çast gjendeshin aty, kishin mbetur të tronditur po aq sa unë. Askush nuk ishte i aftë të thoshte diçka më shumë”.

    Karshillëk

    “Nderimi i Feçor Shehut ishte një karshillëk që u bëhej gjithë njerëzve që kishin vuajtur, të afërmit e të cilëve ose ishin ekzekutuar, ose ishin burgosur, ose ishin internuar, ose ishin zhdukur pa lënë asnjë gjurmë, – vijon të shprehet Ylber Merdani. Nderimi i tij ishte një litar në shtëpinë e të varurit. Lajmi shkaktoi shumë dhimbje të zemrat e atyre që ende i kanë të plagosura. “Kështu do të ndodhte, – më thanë miq të mi, ndoshta për të ngushëlluar, – Ligji i Lustracionit nuk u miratua kurrë në Parlament, dënimi i krimeve të komunizmit nuk ndodhi kurrë. Kjo gjë u kërkua me ngulm edhe nga institucionet ndërkombëtare, por sërish nuk u hodh asnjë hap përpara. Mos u mërzit Ylber, – më thanë, – ish-ministrat e diktaturës, funksionarët e saj, ata që shërbyen në qendër dhe në bazë, do të vijojnë të konsiderohen si heronj. Tradhtarët do të quhen patriotë e patriotët tradhtarë. Në Shqipëri vazhdon të jetë gjithnjë ashtu si edhe më parë”. Ata që dëshironin të ma lehtësonin dhimbjen, ndiheshin edhe për tejet të lënduar.

    “Do t’u thyejmë kafkat!”

    “Dhe ndërsa bisedonim për shpalljen qytetar nderi të Feçor Shehur, vazhdimisht e vazhdimisht dëgjoja zërat e deputetëve të asaj kohe, që thërrisnin në Kuvendin Popullor: “Do t’u thyejmë kafkat gjithë atyre që kërkojnë të rrëzojnë pushtetin popullor!”. Sot ata njerëz nderohen, marrin tituj e grada, shpërblehen me pensione të majme si ish-ministra dhe ish-deputetë, ndoshta disa herë më të mëdha në krahasim me pensionet që marrin qytetarët e thjeshtë të këtij vendi dhe veçanërisht të përndjekurit nga regjimi i kaluar. Ata janë shndërruar në burim korrupsioni e vjedhjesh të pronës publike dhe të qytetarëve. Shteti ligjor nuk ka funksionuar asnjëherë dhe duket sikur nuk ka për të funksionuar kurrë. Zhgënjimi është i madh. Që nga dita e lindjes së shpresës së madhe kanë kaluar 24 vjet, por ëndrra e fuqishme shqiptareve tashmë ka mbetur veçse një ëndërr e zbehtë. Zërat që thërrisnin: “Do t’ua thyejmë kafkat” ende i dëgjoj në veshët e mi, na thotë Ylber Merdani, pa fshehur aspak tronditej që kishte pësuar nga lajmet e fundit për dekorime.

    Dëshmitari i revoltës së Spaçit

    “Unë jam dëshmitar okular dhe pjesëmarrës i Revoltës së Spaçit më 21 maj 1973, vijoj rrëfimin e tij, Ylber Merdani. Ishte ora 6.20 minuta kur më në fund në burgun e Spaçit plasi. Prej kohësh në shpirtrat e të burgosurve ishte akumuluar urrejtja. Padrejtësitë që na bëheshin, trajtimi si skllevër na nxitën të ngrinim krye. Ishte një përballje për jetë a vdekje me regjimin e asaj kohe. Njerëzit e sigurimit famëkeq, provokonin vazhdimisht. Gjendja ishte rënduar mjaft dhe jeta ishte bërë e padurueshme. Ata provokuan edhe atë ditë. Nisën të rrihnin disa të burgosurit në sy të të gjithë të burgosurve të tjerë, të cilët po bëheshin gati për të dalë në punë. Sigurisht të burgosurit nuk mund të qëndronin të heshtur, nuk mundeshin. U bënë bashkë të gjithë dhe si një llavë që nuk mund të ndalet nga asgjë, rrëshqitën përpara drejt njerëzve të tyre që po masakroheshin. Trimëria e njerëzve të regjimit nuk zgjati shumë. Braktisën kapelet me yll që po u binin nga koka dhe pa hedhur vështrimin mbrapa, iknin tutje për të shpëtuar vetëm kokën. Përballë urrejtjes së të burgosurve, njerëzit e regjimit po e shihnin veten të humbur. U duhej të gjenin një kompromis, furtuna duhej të qetësohej. Dhe kështu do të kishte ndodhur në rast se atë çast nuk do të kishte mbërritur Feçor Shehu”.

    Mbërritja e Feçor Shehut 

    “Po, sapo kishte mbërritur nga Tirana Feçor Shehu. Në atë kohë mbante postin e zëvendësministrit të Brendshëm. Ky njeri kishte qenë me kohë pjesë e Sigurimit të Shtetit dhe diktaturës që po instalohej në Shqipëri. Më pas do ta shpërblenin me postin e ministrit të Brendshëm. Dhe ai i shërbeu me zell diktatorit Hoxha, duke sajuar sa herë që ia kërkonin klane antiparti dhe grupe armiqësore. Më kujtohet gjithnjë mbërritja e tij në burgun e Spaçit. Që në çastin e parë ra në sy prepotenca dhe arroganca e tij. Hyri në oborr dhe si doli përpara komandës, ku e ndanin nga të burgosurit dy rrethime telash me gjemba, me tre metra lartësi, hodhi vështrimin e gjakshëm mbi të burgosurit. Palët gjendeshin larg njëra-tjetrës 15-20 metra. Vendi ku qëndronte Feçori dominonte në gjithë kampin. Rrethimi ruhej nga truprojat. “Le të vijë një përfaqësi e juaja të bisedojmë”, – tha ai, – por në fjalët e tij nuk kishte asgjë të vërtetë, ndihej vetëm cinizmi dhe urrejtja e tij. Si për të mos fshehur atë që mendonte, Feçor Shehu tha: “Edhe kaq që po bëjmë për ju është e tepërt, sepse ju edhe kështu të vdekur jeni”. Mbaj mend që përgjigja e të burgosurve erdhi e menjëhershme: “Edhe nëse vdesim, kemi për të mbetur të gjallë!” U shkëmbyen replika të njëpasnjëshme. Palët kërkonin marrëveshje, por dukej qartë që mirëkuptimi nuk do të gjendej, në mes ishte urrejtja”.

    Bij kriminelash

    “Ju jeni bij kriminelësh, – tha Feçor Shehu. Kjo e acaroi edhe më shumë situatën. Nuk voni shumë dhe Feçor Shehu solli aty korpusin e Burrelit, rrethoi kampin me tre kordonë ushtarësh. Solli edhe repartet speciale. U pa aty edhe shefi i përdorimit të lëndëve kimike me gjithë trupën e tij të specialistëve. Po përgatitej vdekja e madhe e gjithë kampit të të burgosurve. Mes terrorit dhe përplasjes kaluan dy ditë me radhë, kishte gdhirë dita e tretë. S’kishte më as bukë, as ujë për të burgosurit. Megjithatë ata mundën të ngrinin flamurin dhe t’i tregonin regjimit se për ta nuk kishte rëndësi as vdekja, përveçse liria. Të burgosurve nuk u kishte mbetur më asnjë mundësi rezistence. Makina e dhunës kishte ndërhyrë me të gjitha mjetet dhe arsenalin e saj. Të 600 të burgosurit, pa asnjë përjashtim u prangosën dy e nga dy dhe u rreshtuan më hapësirën ndërmjet dy rrethimeve të qarkuar nga dhjetëra policë dhe oficerë të shumtë. Një prej oficerëve lexoi rreth 100 emra. Në krye të listës ishte Hajri Pasha, i cili duke shkuar drejt tyre u tha: “Pushkatimet tuaja nuk i shuajnë dot patriotët e vërtetë. Ne jemi shumë. Fundi juaj është i sigurt”.

    Torturohen të burgosurit

    “Pse, çfarë ka për të ndodhur sipas jush, – deshi të dinte Feçor Shehu dhe papritur asnjë përgjigje nisi ta godiste me se të mundej. Në vend të Hajriut iu përgjigj Luan Burimi, të cilit sapo i ishte thirrur emri: “Shumë shpejt do të vini ju në vendin tonë dhe ne do t’u bashkohemi njerëzve të ndershëm, fisnikëve të këtij vendi”. Ndoshta këtë përgjigje Feçor Shehu nuk e kishte pritur. Vështrimi i tij u bë edhe më i egër. Hakmarrja “shkëlqeu” në sytë e tij. “Torturojini!”- ishte urdhri i tij. Shërbëtoret e tij rrëmbyen 12 burra. Disa prej tyre ishin të moshuar si Hodo Sokoli, Sami Dangëllia, etj, por ai nuk donte t’ia dinte për askënd. Përgjigjet e të burgosurve e kishin shndërruar në një qen të tërbuar. Ai po hakmerrej me njerëz të pafajshëm. Dëgjoheshin vetëm rënkime nga goditjet me kamxhik dhe shihej gjaku që u rridhte nëpër fytyrë. Ai nuk ndjente asnjë lloj mëshire. Ishte pjellë e së keqes dhe e vdekjes. Të burgosurit po rriheshin nga sampistët, të cilët i kishin sjellë enkas që nga Tirana”.

    Të pushkatohen!

    “Ishte po ky njeri që dha urdhër: “Të pushkatohen 6 prej tyre!” Ndërsa për gjysmën e të burgosurve kërkoi ridënim me burg. Me vendim të Gjykatës u pushkatuan 4 të burgosur. Mes tyre ishte dhe Hajri Pasha, bashkëpatrioti i Feçor Shëhut. Ishin nga e njëjta zonë. Gjithashtu me vendim të Gjykatës u ridënuan 100 të burgosur. Kampi u vu në gjendje hetuesie. U ndaluan takimet me familjarët dhe u ndërpre këmbimi i letrave me të afërmit për më shumë se 6 muaj. Që të gjitha këto m’u kujtuan atë ditë kur dëgjova lajmin se Feçor Shehu ishte shpallur qytetar nderi i qytetit të Ballshit. Edhe Hajri Pasha ishte nga Mallakastra. Ky njeri meriton të jetë qytetar nderi, por jo Feçor Shehu, ai mund të jetë vetëm Qytetar Turpi”. Kështu e mbylli rrëfimin e tij, Ylber Merdani, poeti dhe shkrimtari, autori i 12 librave të shkruara nga viti 1992 e deri më tani. I diplomuar për mësues në vitin 1959. I burgosur politik dhe i internuar për 24 vjet (1966-1990). Gjithashtu nënkryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur dhe për bashkëpunim mes gazetarëve Korçë-Shkup dhe Korçë-Selanik.

    Vepror Hasani