Ylber Merdani, kreu i të persekutuarve politik dhunohet nga drejtori i OSHEE-së

    454
    Sigal

    Denoncon intelektuali Merdani: Shkova të ankohesha për diskriminimin që u bëhet të përndjekurve, u përballa me dhunën

    Kujdes! Nëse shkoni te drejtorët e Korçës të ankoheni për padrejtësitë që mund t’ju jenë bërë, mund të rriheni edhe prej tyre. Sigurisht jo të gjithë drejtorët (e përzgjedhur me konkurs, siç pretendohet) janë të tillë, por mes tyre mund të hasni edhe ndonjë agresor dhe nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë. Të paktën kështu i ka ndodhur Ylber Merdanit, kryetar nderi i shoqatës të ish- Burgosurve Politikë, gjatë një takimi që ka pasur me Artur Qeramxhiun, aktualisht Drejtor rajonal i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Themi, aktualisht punon si drejtor i OSHEE-së, pasi pak kohë më parë ka qenë drejtor i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Pikërisht kjo gjë; kalimi i Qeramixhiut nga INUK-u te OSHEE-ja e ka lënë të tronditur z. Ylber Merdani, pasi, sipas tij, tashmë ai do të jetë në kontakt me shumë njerëz, madje duke qenë Drejtor i Rajonit për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike, ai do të jetë i detyruar të ketë takime të vazhdueshme më shumë qytetarë nga gjithë qarku i Korçës, por kur një drejtor i tillë kërcënon me mënyrat nga më të ndryshmet, pavarësisht nëse je i ri apo i vjetër, pavarësisht nëse je i shoqëruar ose jo, pavarësisht nëse ke të drejtë ose jo, ai mund të ushtrojë dhunë fizike dhe kjo gjë nuk është aspak çudi.  Megjithatë për të mësuar më shumë se çfarë ka ndodhur konkretisht mes z. Ylber Merdani dhe Artur Qeramixhiut, po e sqarojmë më hollësisht më poshtë

    Zoti Ylber: Përse dëshironi ta denonconi publikisht Drejtorin rajonal të OSHEE-së, pikërisht tani?

    -Të them të drejtën e kisha harruar këtë njeri, ndoshta nga që doja ta harroja, sepse nuk besoja kurrë që në një institucion shtetëror të gjeja një njeri të paedukatë, pa asnjë lloj fisnikërie, dhe mbi të gjitha pa gjërat më elementare të sjelljes, të cilat edhe një fëmijë fillon t’i mësojë që kur nis të bëlbëzojë. Të paktën gjithkush, drejtor ose jo, duhet të dijë fjalët e arta: të lutem, faleminderit… por ai nuk dinte asgjë nga të gjitha këto. E megjithatë unë e kisha harruar atë, por para pak ditësh mendova të shkoja në OSHEE-që të ankohesha për diskriminimin që po u bëhet të ish-të persekutuarve politik në ndërprerjen e energjisë elektrike, por kur mora vesh që drejtori rajonal i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ishte Artur Qeramixhi, mbeta i shokuar. Si mund të zgjidhen ankesat kur në krye të institucioneve qëndrojnë njerëz të tillë?!

    Domethënë, ju nuk do të shkoni të ankoheni më te ai?

    -Ne do të shkojmë të ankohemi te ai ose të institucione të tjera të shtetit, ky është një problem tjetër, ndërsa atë që po ndodh realisht me të ish- të persekutuarit politikë (për sa i përket energjisë elektrike), do ta bëjmë publike përsëri në vijim, në gazetën “Telegraf”, por ajo që desha të them sot, ka të bëjë me faktin se vetëm unë e di cila është sjellja e këtij njeriu që mban postin e drejtorit rajonal të OSHEE.-së

    Atëherë, mund të na thoni konkretisht diçka më shumë?

    Po, kur Artur Qeramixhi ishte drejtor në Inspektoriatin e Ndërtimit Urbanistik Kombëtar, më akuzoi për një ndërtim pa leje. Bëhej fjalë për ndërtimin e dy mureve në katin e dytë, por në të vërtetë ato nuk ishin në shtëpinë time, sepse shtëpia është e ndarë në mes. Për këtë arsye unë dhe bashkëshortja ime, Shpresa Merdani, sekretare e shoqatës të ish-të Përndjekurve Politikë morëm një takim me të, madje me kërkesën e tij, por pritja që na u rezervua ishte më shumë se skandaloze. Nuk e kishim besuar kurrë se si mundej një titullar institucioni të kishte atë lloj sjellje.  Gjatë gjithë kohës ne u përpoqëm t’i tregonim Qeramixhiut se ndërtimi i dy mureve nuk ishte bërë nga ana jonë, por ai këmbëngulte vazhdimisht se ishim ne autorët e ndërtimit të paligjshëm. Ndoshta ashtu dëshironte ai, që të ishim ne ndërtuesit e dy mureve, madje na çoi dhe në Prokurori, ku kjo e fundit na nxori të pafajshëm.

    Si shkoj më tej komunikimi mes jush?

    -Kur u binda se Qeramixhiu kërkonte medoemos që shkelësi i ligjit të isha unë, mendova të dilja nga zyra e tij e të shkoj në instancat më të larta ku të ankohesha. Për këtë arsye e pyeta:

    – Nga kush vareni ju z. Artur Qeramixhiu?

    Përgjigja e tij erdhi me një ton tejet shpërfillës, gati asgjësues, si për të na treguar se përpara tij nuk ishte askushi. Ai ishte vetë Perëndia.

    – Nuk varem nga askush, – u përgjigj ai.

    Nga kjo përgjigje kuptuam se ai vërtet mendonte ashtu siç shprehej, ndoshta dikush tjetër ia kishte dhënë këtë siguri kaq të madhe, që të bënte si të donte e të sillej si të donte, por në një rend demokratik nuk mund të ndodhë kurrsesi kështu, ndaj  i thashë:

    – Po pse kush jeni ju, Ismail Qemali?!

    Kur ju drejtova në këtë mënyrë kisha parasysh zhgënjimin që po pësonim me “Rilindjen” e pretenduar nga Partia Socialiste, sepse me Ismail Qemalin nuk mund të krahasohet askush tjetër përveç Ismail Qemalit

    – Nuk jap llogari,- erdhi përgjigja e radhës nga Artur Qeramixhiu.

    Atëherë edhe unë nxitova t’i bëja pyetjen tjetër:

    – Do të më japësh llogari, sepse për rrogën tënde paguaj edhe unë.

    Pas këtyre fjalëve ai u irritua edhe më shumë. Dukej hapur që nuk pranonte t’i thuhej asgjë, e aq më pak ta kundërshtoje. Pas kësaj erdhi edhe kërcënimi i hapur i tij.

    Cila ishte forma e kërcënimit drejtuar kundër jush?

    -Po përpiqem ta sjell ashtu siç ndodhi. Vura re që ai u tensionua edhe më tepër. Kjo ishte e dukshme në gjithë qenien e tij, që nga vështrimi deri te fjalët. Ishte i gatshëm të ushtronte edhe dhunën fizike:

    – Je i moshuar se dija unë si të rregulloja ty!- m’u drejtua Qeramixhiu duke më hedhur vështrimin e tij nga sipër.

    Për një çast nuk i ktheva asnjë përgjigje. Isha vërtet i tronditur. Nuk po kuptoja, isha në zyrat e shtetit tim apo në xhungël, ku fitonte më i forti. Sipas tij, unë kisha qëlluar me fat që isha i moshuar se po të kisha qenë pak më i ri, vetëm Qeramixhiu e dinte se “si kishte për të më rregulluar”. Por nuk ishte vetëm kaq. Ai po më poshtëronte në sytë e bashkëshortes time.

    – Nuk ke turp,- i tha ime shoqe,- po flet me një njeri të nderuar të qytetit të Korçës, me Kryetarin e Nderit të Shoqatës së ish- të Burgosurve Politikë. Pas kësaj ndërhyra edhe unë:

    – Nëse je kaq i zoti, eja dhe me prek me dorë, – i thashë. Unë i kam bërë 24 vjet burg, ku qëndrova me dinjtet dhe nuk u tremba nga “tigrat” e diktaturës e jo më nga “macet e zeza”. Megjithatë, pavarësisht nga të gjitha këto, atë çast ndjeve thellë shpirtit tim se një njeri i vendosur në krye të institucionit kishte tentuar të më vriste për herë të dytë, ashtu si dikur edhe pse isha i pafajshëm, sepse siç e thashë edhe më sipër, edhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë,  më nxori të pafajshëm. Edhe diçka tjetër: në një njoftim të Inspektoriatit Qendror Teknik bëhet e ditur se në emër të zotit Artur Qeramixhi OSHEE, Korçë, është vendosur një gjobë prej 100.000 lekë (të rinj), gjë që tregon qartë se ai është një shkelës i ligjit dhe i rregullave të shtetit

    Bisedoi Vepror Hasani