Xhim Barnhart: Suksesi i sistemit shëndetësor varet nga mënyra se si i përgjigjemi pacientëve

    468
    Sigal

    Projekti/Përmirësimi i eksperiencës së vizitorit dhe pacientit në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”

    Në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, në Tiranë, në bashkëpunim me projektin e USAID për “Mbështetjen e Reformës në Shëndetësi”, u përurua dje një paketë e integruar ndërhyrjesh, të prezantuara në spital nga ky projekt, njoftoi Ambasada e SHBA-së në Tiranë.  I pranishëm në prezantimin e kësaj pakete ishte Ministri i Shëndetësisë Halim Kosova, drejtori i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, Robert Qirko dhe përfaqësues të USAID. Sipas ministrit Kosova kjo paketë ripërcakton ndërlidhjen e pacientit dhe vizitorit me spitalin, duke përmirësuar shërbimin shëndetësor të ofruar. Drejtori i Misionit të USAID në Shqipëri, z. Xhim Barnhart u shpreh gjatë fjalës së tij se “suksesi i sistemit shëndetësor varet nga mënyra se si i përgjigjemi pacientëve”. Ndërsa  drejtori i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, Robert Qirko  u shpreh gjatë fjalës së tij se “shërbimi sa më cilësor ndaj nënës dhe foshnjës është një nga sfidat e mjekësisë shqiptare dhe inaugurimi i sotëm për mbikëqyrjen e vizitorëve  në spital synon respektimin themelor të të drejtave të grave, sigurinë e nënave dhe foshnjave në spital duke redaktuar infeksionet në mjediset spitalore”. Ndërsa lançoi dhe krijimin e Fondacionit Spitalor të Nënës dhe Fëmijës që sipas Qirkos, do t’i bëhet krah institucionit në rrugën e gjatë të përmirësimit të kushteve spitalore dhe do të ndihmojë nënat dhe foshnjet në nevojë.

       Projekti

    Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” do të ketë një mjedis të përmirësuar për pritjen e vizitorëve, që është më mikpritës, më i organizuar dhe më informues, pajisjet e reja kompjuterike për menaxhimin e mirë të vizitorëve në spital, të cilat do të ndihmojnë në menaxhimin e trafikut të vizitorëve, do të përmirësojnë kontrollin e infeksioneve dhe do t’u ofrojnë pacientëve qetësinë e nevojshme gjatë qëndrimit. I gjithë personeli i spitalit mban Karta Identifikuese me emrin dhe titullin e tyre, një mjet që e bën personelin më të aksesueshëm dhe më të përgjegjshëm ndaj pacientëve. Ndërkohë, kompjutera personalë dhe printera janë vendosur në pavionet e spitalit për të lejuar futjen e të dhënave dhe printimin e informacionit rreth pacientit nga personeli i spitalit, të cilët janë trajnuar dhe asistuar teknikisht. Si rrjedhojë e këtyre ndërhyrjeve, më shumë kohë shpenzohet tani me pacientin në vend të kohës së gjatë për plotësimin e dokumentacionit, kjo falë lidhjes së re ndërmjet aparatit të Ekografisë dhe sistemit të informacionit spitalor. Paketa e ndërhyrjeve, prezantuar nga Projekti i USAID, e përkufizon rishtazi ndërveprimin mes pacientit dhe vizitorit me spitalin, duke përmirësuar kështu përmbushjen e pritshmërive të pacientit dhe duke lejuar më shumë kohë në dispozicion të mjekëve që të kujdesen për pacientët. Projekti i USAID për “Mbështetjen e Reformës në Shëndetësi” është në vitin e tretë të zbatimit dhe po ofron asistencë teknike për Ministrinë e Shëndetësisë dhe tre spitale publike, Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, Spitalin Rajonal Lezhë dhe Spitalin Rajonal Korçë në zbatimin e reformave në fushën e kujdesit shëndetësor.

    Koncesioni për pullat, Kosova: Zero, rreziku i mbetjes së qytetarëve pa barna

     “Zero, rreziku që qytetarët të mbeten pa barna, për shkak të pullës koncesionare, është zero. Do ta kenë çdo gjë që do ju duhet” u shpreh në prononcimin për gazetën “Telegraf”, Ministri i Shëndetësisë Halim Kosova. Ministri pas ceremonisë së përurimit të sistemit të mirëmenaxhimit të vizitorëve në maternitetin “Mbretëresha Xheraldinë”, projekt i USAID, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve rreth pasojave të pullës koncesionare, denoncim i bërë në media nga kreu i Urdhrit të farmacistëve Arjan Jaupllari, si dhe për situatën e rënduar në Spitalin Ushtarak. Kështu, urdhri i ministrit të Shëndetësisë, i firmosur në 12 gusht të këtij viti, i kërkon Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave të mos regjistrojë asnjë medikament pa deklaratën e aplikuesit, që prodhuesi merr përsipër vendosjen e pullës në vendin e prodhimit. Ministri Kosova u shpreh se pulla koncesionare është siguria  për cilësinë e barnave. “Udhëzimi thotë që çdo ilaç që do të regjistrohet këtej e tutje duhet të ketë garancinë këtej e tutje që do ta shoqërojë më këtë pullë. Këto janë përpjekje për të rritur sigurinë në tregun farmaceutik, por çdo gjë do të sigurohet sipas momentit”, shprehet numri një i shëndetësisë shqiptare. Gjithashtu Kosova tha se po angazhohet maksimalisht për zgjidhjen e situatës në Spitalin Ushtarak, ndërkohë që deklaroi abuzime të mëdha për të cilat do t’i drejtohet Prokurorisë dhe KLSH-së në lidhje me mirëmbajtjen e aparaturave ne spitale, siç është mosfunksionimi i skanerit atje, apo dhe i aparaturave mjekësore në përgjithësi në qendrat spitalore. “Deri në momentin e fundit që do të jem ministër Shëndetësie do të jem përkrah personelit mjekësor kudo që ai ka vështirësi. Abuzimet më të mëdha kanë ndodhur me mirëmbajtjen me aparaturës mjekësore, ku ajo është shumë e ndërlidhur edhe me ndërgjegjjen e atij që e përdor. Abuzimet jashtëzakonisht të mëdha janë bërë me mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore”, tha Kosova. Ndërsa duke iu përgjigjur shqetësimit të gjithë qytetarëve shqiptarë Ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova sqaroi se urdhri i firmosur prej tij, do të ketë efekte për medikamente të reja që do të kërkojnë të futen në tregun shqiptar, pasi medikamentet bazë janë tashmë të regjistruara.