Xhevahir Spahiu/ Poezi

    603
    Sigal

    GRI…

    Qielli është gri
    Toka është gri
    Gri dhe puthja

    Buka s’ka erë
    Era s’ka erë
    S’ka erë lulja

    Ëndrra është gri
    Gjaku është gri
    Gri dhe zjarri

    Molla s’ka erë
    Uji s’ka erë
    S’ka erë bari

    Moti është gri
    Shpirti është gri
    Gri dhe kënga

    Era pa erë
    Buka pa bukë
    Pa zemër zemra

    VAJZË E BUKUR…

    Bora e bardhë, e bardhë pas xhamave,
    në kafe “Tirana” hyre,
    ti e rralla si dëbora
    që në Tirane bie.

    Vajzë e bukur, si vajze e dashuruar,
    qofsh e dashuruar dhe prej meje,
    prej syrit tënd
    lulëzojnë dhe sendet.

    Ekspresi gjallërohet
    e gjthçka bëhet sy.

    Në tavolinën e fundit
    dy pleqve kafja po u ftohet.
    Të shikojnë ty.

      

    VJESHTA E TRETË…

    Dëbora ende pa rënë
    në vend të natës
    në vend të çative
    është zemra
    Zemra ime që thinjet…

    Dashuri e ndaluar

    Lëshoje drerin Artemidë.
    Harkoje harkun, shigjetën shigjetoje,
    pikën e lotit që shket nga syri i drerit,
    nëse te ngushëllon, qëlloje.

    Lëshoje drerin Artemidë.
    Se dashuria ka uri,
    dhe vjeshta,vjeshta e llahtarisur
    vë kujën si të jetë në zi.

    Shigjeta e nisur kurrë s’kthehet pas
    dhe mosha s’është gaforre që shkon praptas.
    Kllapitë e lindjes të tmerrojnë?
    Rrëshqit, rrëshqit në sipërfaqen e jetës,
    gjahtare e vetvetes.

    Mbi kokën tënde rri mbërthyer një çerdhe gjysmëhënë,
    nën dritën e saj në kopsht të Luksemburgut,
    pëllumbat dashurohen gjersa çmenden.
    Lëshoje drerin Artremidë
    dhe mos e nis atë shigjetë.

    Sorkadhja veshur me të zeza,
    kah mot pas blirit pret.