Xhevahir Spahiu nderohet me titullin “Qytetar Nderi”

665
Sigal

Në 11-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, Komuna e Rahovecit nderon poetin e mirënjohur

Propozimi i Kryetarit të Komunës së Rahovecit Z. Smajl Latifi u miratua unanimisht nga Kuvendi i Komunës së Rahovecit shoqëruar me duartrokitje të të pranishmëve.

Titulli “QYTETAR NDERI” iu dorëzua poetit nga Kryetari S. Latifi.

Për të falënderuar dhe përshëndetur të pranishmit, djali i tij Orgesi solli një nga poezitë e tij kushtuar Kosovës, shkruar prej tij në vitin 1990:

KËNGA E LIRISË

Toka, qengj i therur, përpëlitet.
Pyet bari: Ç’do të thotë jetë?
Pyet i vrari: Hyj a dal në Mesjetë?
Si lumenj të turbullt,
nga zemërimi flasin përçart
poetët.
Plumbin ua vodhën,
me plumb i goditën,
gotat delirante kryeqyteteve ngritën.
Po foshnja e mbytur në gjak,
po plaku i këputur në prag,
edhe të vdekur
shpallin shpagë e fjalë zgjimi:
Bashkim vëllazërimi – perde krimi.
Po këngët,
këngët a do të gdhihen pa pranga?
A do ta shkulë jeta me dorën e vet
atë thikë të ngulur mbi shpinë?
Kosova është në muajin e nëntë
dhe do të pjellë lirinë.
(1990)