Xhenierët ndërtojnë urën në fshatin Stojan të Matit

599
Xhenierët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë përfunduan ndërtimin e një ure “bailey” në fshatin Stojan, Njësia Administrative Ulëz në Bashkinë e Matit, e cila pritet të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e banorëve të kësaj zone.
Në përfundimin e punimeve për ndërtimin e kësaj ure, e cila ishte një kërkesë e vazhdueshme e këtyre banorëve, ishte e pranishme edhe ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, e cila shoqërohej nga komandanti i Komandës Mbështetëse kolonel Ardian Bali dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
Ministrja Kodheli theksoi mungesën prej 25 viteve të investimeve në infrastrukturën e kësaj zone dhe foli për impaktin që pritet të ketë kjo urë për këto fshatra.
Kodheli: Fshatrat që lidhen, Stojanin ku jemi Bushkashin, Ulzën, rrugën nacionale, lidhjen që krijohet me qendrën shëndetësore, lidhjen që do të krijohet me shkollën, fëmijë që nuk do të ecin më në ujë, pleqtë dhe plakat që do të keni mundësi më tepër për të pasur siguri në lëvizjet e tyre. FA bëjnë atë që shumëkush në këtë vend e bën me vështirësi ose nuk e bën fare. Ta gëzoni urën të gjithë banorët edhe shpresoj shumë shpejt të mundësojmë vepra të tjera, që jo vetëm i rezistojnë kohës, por që janë të bëra me dashuri dhe me përkushtim ndaj njerëzve në uniformë.
Ura mbi përroin Hotaj në fshatin Stojan është e gjatë 18 m dhe ka një peshëmbajtje prej rreth 20 ton. Ajo i shërben rreth 3200 banorë të disa fshatrave në Njësinë Administrative Ulëz, të cilët i lidh me rrugën nacionale. Ura u lehtëson lëvizjen nxënësve për në shkollën e fshatit Bazë, por edhe banorëve që marrin shërbim në qendrën shëndetësore të po këtij fshati.
Sigal