Xhemal Mustedanagiç: “Shërim të shpejtë, miku im Kuzhe!”

517
Sigal

 Trajneri i Kombëtares U-17 të Shqipërisë, flet para ndeshjeve miqësore me Slloveninë dhe Kosovës

Trajneri boshnjak i Kombëtares U-17, Xhemal Mustedanagiç, ishte shumë i shqetësuar në lidhje me shëndetin e rënduar të ish-trajneri të Shqipërisë, Josip Kuzhe, i cili është shtruar një prej spitaleve të Zagrebit, kryeqytetit të Kroacisë. “Fola në telefon më të, – tha Mustedanagiç gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Telegraf”, – po bën një sërë analizash të specializuara, por vetëm Kuzhe është optimist në lidhje me shëndetin e tij”. Mustedanagiç foli për gazetën dhe për tri ndeshjet miqësore të radhës të Kombëtares U-17, dy me Slloveninë (në Kavajë dhe në Krujë), si dhe një me Kosovën, takim që do të luhet në Kukës. “Xhemo” nuk ka pa përmendur edhe seleksionimet që do të bëhen në muajt e ardhshëm në Itali, Zvicër dhe Greqi, kjo në funksion të eliminatoreve të Kampionatit Europian 2013-2014, ku Shqipëria do të jetë në një grup me Bjellorusinë, Rumaninë dhe Finlandën. Ndeshjet kualifikuese do të zhvillohen në vendin tonë, nga datat 18-23 tetor 2014. “Është një grup aspak i lehtë, – tha ish-ndihmësi i Josip Kuzhesë. – Por, fakti që, ndeshjet kualifikuese do të luhen në Shqipëri, jam i bindur se do t’i motivojë më shumë djemtë”. Para dy sezonesh eliminatore, Shqipëria U-17 u kualifikuar për herë të tretë në historinë e saj, në fazën e “Elite Round”, pra midis 28 ekipeve më të mira të Europës, duke bërë një paraqitje shumë të mirë. Me “Xhemon” në bankinë, Shqipëria arriti të kualifikohej për herë të tretë në “Elite Round”, pas atyre në vitet 1994 dhe 2003. Kuqezinjtë e drejtuar nga boshnjaku Xhemal Mustedanagiç do të jenë mysafirë në Kavajë, në stadiumin “Besa”, ku do t’i presin bashkëmoshatarët e tyre të Sllovenisë. Qëllimi për të dyja palët është i njëjtë: provimi i lojtarëve të rinj dhe konsolidimi i grupit në funksion të ndeshjeve të ardhshme zyrtare. Miqësorja e parë do të luhet të martën e javës që vjen, pra më 19 shkurt, ora 14:00.

  Zoti Mustedanagiç, ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, ndodhet në një moment të rëndë përsa i përket gjendjes shëndetstore. A jeni i informuar mbi shëndetin e tij dhe cila është gjendja e tij?

 – Po, është e vërtetë që ai është sëmurë. Unë fola më të sot (dje), dhe ai më tha se kishte disa probleme me shëndetin. Dje ai iu nënshtrua një kontrolli të hollësishëm në një spital të Zagrebit. Dhe unë shpresoj që, ai të bëhet mirë. Vetë Kuzhe shpreson që ai të bëhet shumë shpejt mirë. Ky është një problem jo i vogël, pavarësisht se nga natyra Josipi është shumë optimist. Ne kemi qenë shpesh në kontakt me njëri-tjetrin, pavarësisht se ai drejtoi vitin e kaluar në Kinë.

 – Ju keni qenë ndihmësi i ish-trajnerit të Kombëtares, Josip Kuzhesë, duke lënë dhe një emër të mirë, kështu që Kuzhe kujtohet me respekt në vendin tonë.

 – Së bashku me Kuzhenë ne u përpoqëm të bënim një punë të mirë këtu. Ai e donte Shqipërinë, ashtu si dhe unë. Gjithsesi, unë vazhdoj të punoj në vendin tuaj, ndërsa ai punoi diku tjetër. Kjo është jeta dhe puna e trajnerit, gjithmonë me valixhe në dorë. Personalisht jam optimist, për punën që po bëj me Kombëtaren U-17, pasi dhe atmosfera futbollistike është shumë e mirë. Nuk mund të them se, mund të jemi ndërmjet ekipeve të mëdha, por që do të kemi një skuadër të fortë po.

– Zoti Mustedaniç, Kombëtarja U-17 që ju drejtoni do të luajë tri ndeshje miqësore, dy me Slloveninë dhe një me Kosovën e asaj moshe. Cili është qëllimi i tyre?

 – Janë ndeshje miqësore, të programuara qysh më parë nga Sektori i Ekipeve Kombëtare pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Do të luajmë dy herë kundër Sllovenisë dhe një takim tjetër e kemi kundër Kosovës. Nesër (sot) do të fillojmë edhe seleksionimin e lojtarëve, pasi do të grumbullohemi në Durrës. Të gjitha këto janë në funksionin të kualifikueseve të Kampionatit Europian.

 – Ku do të zhvillohen ndeshjet miqësore?

 – Ndeshjet e parë me Slloveninë do të luhet në Kavajë (19 shkurt), ndërsa e dyta me sllovenët, në Krujë. Me Kosovën do të luhet në Kukës, pasi është afër për të dyja vendet, dhe për më tepër mesa di unë kjo do të jeta hera e parë që në Kukës do të luhet një ndeshje e tillë.

 – Çmendim keni për lojtarët që do të thërrisni?

 – Sigurisht, që do të thërrasim, me synimin edhe të seleksionimit të lojtarëve më të mirë që janë për momentin. Dua të them se, në raport me ata që kam pasur në dispozicion në eliminatoret e kaluara, cilësia nuk është po ajo. Pas ndeshjeve miqësore, kemi programuar grumbullime dhe seleksionime të lojtarëve të shqiptarë në Itali, Greqi dhe Zvicër.

 – Nga janë lojtarët që keni thirrur?

 – Pjesa më e madhe janë nga kampionati shqiptar, por nuk mungojnë dhe ata që luajnë në Kosovë.

– Në eliminatoret e kaluara (tetor 2012), Shqipëria luajti me Italinë, Hungarinë dhe Lihtenshtejnin. Humbëm me nga një gol me italianët dhe hungarezët dhe fituam thellësisht me lihteshtejnasit. Si i kujtoni ato ndeshje?

 – Mendoj se ishte fati, ai që vendosi se cili nga ekipet do të kualifikohej për në raundin tjetër. Me Italinë e pësuam golin e vetëm të ndeshjes e pësuam në minutën e 82-të. Në ndeshjen me Hungarinë, portieri ynë, Elezaj, priti një penallti, e cila për mua nuk ishte. Nëse do të barazonim me to, ne do të kishim kaluar në turin tjetër. Me Lihtenshtejnin ishte një festival golash. Specialistët e huaj thanë se në ekipin shqiptar kishte më shumë lojtarë të talentuar se në atë italian.

– Zoti Mustedanagiç, shorti i Kampionatit Europian të futbollit për moshën U-17 e vendosi Shqipërinë përballë Bjellorusisë, Rumanisë dhe Finlandës. Cila është komenti juaj?

 – Dua të theksoj se, tani në Europë nuk ka ekipe të lehta, dhe unë besoj se dhe kundërshtarët tanë, na vlerësojnë po kështu ne. Bjellorusia po bën një punë të mirë me moshat dhe po ecën mjaft mirë në rezultatet e saj. Finlanda është një ekip i konsoliduar, ndërkohë që Rumania i ka pasur shpesh skuadrën e saj të U-17 në finalet e Europianëve.

 – Si do ta vlerësonit Shqipërinë në raport me to?

 – Shqipëria është duke bërë një punë të mirë. Presidenti i FSHF-së, zoti Duka, ka qëndruar vazhdimisht pranë ekipit dhe e ka mbështetur fort strategjinë e zhvillimit të moshave. Është tepër i interesuar. Prej një viti ka filluar një punë shumë e madhe dhe rezultatet janë po shihen. E kam thënë shpesh, edhe me gazetarët, se Shqipëria ka një perspektivë shumë të madhe, sidomos në futbollin e moshave. Jam i bindur se në harkun e pesë viteve Shqipëria do të jetë në elitën e futbollit europian. Po punohet me shumë seriozitet. Shqipëria ka potenciale. Ka shumë talente.

– Xhemo, ju keni hyrë në historinë e futbollit shqiptar të moshave, si trajneri i tretë që keni kualifikuar Kombëtaren U-17 për në “Elite Round”, më parë kjo ka ndodhur në vitin 1994 dhe 2003. Çdo të thotë kjo për ju?

 – Mbetet një nga kënaqësitë e mia më të mëdha me Shqipërinë. Më vjen keq që, nuk u kualifikuam për më tej, pasi në “Elite Round” ne kishim kundërshtarë shumë të fortë si Holanda dhe Serbia, teksa fituam me Irlandën. Me ndeshjet që ne bëmë edhe trajnerët e tjerë shprehën keqardhjen, që ne nuk kaluam turin.

 – Ju jeni boshnjak, a mund të na bëni një krahasim të nivelit të futbollit boshnjak të moshave në raport me atë të Shqipërisë?

 – Futbolli boshnjak ka një nivel të mirë për momentin, por dhe ata kanë qenë në nivelin e Shqipërisë para pak kohësh. Ka shumë talente. Dëshira ime është që, si Bosnja dhe Shqipëria të jenë në nivelin e lartë europian.

Ka stërvitur Luka Modriçin

 Luka Modriç, mesfushori i talentuar i Realit të Madridit, ka kaluar në “filtrin” seleksionues të Xhemal Mustedanagiçit. Modriç konsiderohet si një lojtarët më të mirë që, ka nxjerrë shkolla kroate e futbollit. “Xhemo” e ka stërvitur atë, por edhe emra të tjerë të rëndësishëm si Dario Sërna, Niko Kranjçar, kur trajneri aktual i Kombëtares U-17 ishte në Akademinë e Moshave të Dinamos së Zagrebit.

  

EURO U-17 2014

SHORTI I RAUNDIT

TË PARË KUALIFIKUES

 Grupi 1

(18-23 tetor 2013):

Bjellorusia

Rumania

Finlanda

Shqipëria

 “Europianët” e Shqipërisë

 Kjo do të jetë hera e tretë që, në vendin tonë do të zhvillohen eliminatoret e Kampionateve Europiane të moshave. Në shtator të vitit 2007, u zhvilluan në Tiranë dhe Durrës, kualifikueset e U-17, ku morën pjesën përveç Shqipërisë, edhe Franca, Holanda dhe Lituaninë. Në tetor të vitit 2012, në Vlorë dhe në Fier, u zhvilluan kualifikueset e U-19, ku përveç kuqezinjve të Foto Strakoshës ishin dhe Belgjika, Italia dhe Bjellorusia.

   Tre kualifikimet e Kombëtares U-17 në Elite Round

 Shqipëria është kualifikuar vetëm tri herë në fazën e dytë eliminatore të një Kampionati Europian. Kjo ka ndodhur në vitin 1994, 2003 dhe 2012.

  1994

Në turin eliminator të Kampionatit Europian 1994 të moshës U-16, Shqipëria bënte pjesë në grupin 5, së bashku edhe Lihteshtejnin dhe Maltën, në këtë të fundit u zhvilluan edhe ndeshjet (28 shkurt-4 mars 1994). Kombëtarja jonë i fitoi të dyja takimet: 1-0 me Lihtenshtejnin dhe 2-0 me Maltën, duke zënë vendin e parë në grup dhe kualifikuar për finalet e turneut, i cili u zhvillua në Irlandën e Veriut (26-30 prill 1994). Kombëtarja jonë bënte pjesë në grupin A, së bashku edhe me Bjellorusinë, Austrinë dhe Spanjën. Në ndeshjen e parë humbi 1-0 me Austrinë, barazoi 1-1 em Bjellorusinë dhe humbi 4-0 me Spanjën, por fitues të grupit dolën Bjellorusia dhe Austria.

 2003

Në turin e parë eliminator të Euro 2003, ndeshjet e të cilit u luajtën në në Lituani, 21-25 tetor 2002, Shqipëria U-17 bënte pjesë në grupin 10, së bashku edhe me Holandën, San Marinon dhe Lituaninë. Kuqezinjtë barazuan 1-1 me “tulipanët” si dhe fituan 3-1 me Lituaninë vendase dhe 1-0 me San Marinon. Ekipi ynë zuri vendi e dytë, me 7 pikë, po aq sa Holanda dhe u kualifikua për turin pasardhës. Në turin e dytë kualifikues (24-28 mars 2003, takimet u luajtën në Kastoria të Greqisë), ekipi ynë bënte pjesë në grupin e 5-të, së bashku edhe me Hungarinë (fituese të grupit), Zvicrën dhe Greqinë. Shqipëria humbi ndeshjen e parë 1-0 me Greqinë, po 1-0 humbi me Zvicrën dhe barazoi 3-3 me Hungarinë, duke zënë vendin e fundit (1 pikë).

 2012

Kualifikim për herë të tretë i një turi të parë eliminator: Shqipëri-Sllovaki 2-1, Gjermani-Shqipëri 1-0 dhe Estoni-Shqipëri 1-1. Vendi i dytë në grup dhe automatikisht në Elite Round. Meritë e trajnerit boshnjak, Xhemal Mustedanagiç, autorëve të golave, Franca Ymeraliaj dhe Amri Jonuzi, dhe, sigurisht gjithë skuadrës. Kështu, Gjermania (vendi i parë) dhe Shqipëria (vendi i dytë) u kualifikuan për raundin tjetër. Në shortin e hedhur, më 29 nëntor 2012, Shqipëria ra në një grup me Holandën, Serbinë dhe Irlandën. Kombëtarja jonë humbi 4-0 me Holandën, 3-0 me Serbinë dhe fitoi 2-1 me Irlandën.