Xhemal MEÇI/ Akademiku Mentor Quku, i jepet titulli i lartë shkencor “Profesor Nderi”

    569
    Sigal

    (Një studim kolosal, 10 vëllime me 6300 faqe për Ndre Mjedën)

    *“Mjeshtër i Madh”

     Këto ditë (26 prill 2014), në sallën e bibliotekës së Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u mbajt ceremonia e dorëzimit, prej këtij Universiteti, të titullit të lartë shkencor “Profesor Nderi” z. Mentor QUKUT, studiuesit të mirënjohur të përmasave akademike të kolanës në 10 vëllime, me 6300 faqe, për jetën dhe veprën e Ndre Mjedës, të këtij personaliteti madhor të Kulturës sonë Kombëtare.

    Senati i këtij Universiteti me kryetar, Rektorin, prof. dr. Artan Haxhi, me propozim të Sektorit shkencor albanologjik, nga prof. dr. Fatbardha Hoxha, dekane e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, vendosi unanimisht që t’i jepet z. Mentor QUKUT titulli i lartë shkencor “Profesor Nderi”. Në ceremoni ishin të ftuar studiues, kolegë, shokë e miq bashkë me familjen e tij. Përshëndeti të ftuarit Rektori, prof. dr. Artan Haxhi, Drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike Tiranë, prof. dr. Ardian Mirashi, Zv. Ministri i Ministrisë së Kulturës, Zef Çuni, nga Ulqini përshëndeti dr. Nail Draga, nga rrethet studiuesi Xh. Meçi etj.

    Në vazhdim, nga Universiteti u mbajtën kumtesa nga prof. Fatbardha Hoxha, prof. Alfred Çapaliku etj., nga fusha e studimeve të prof. Mentor Qukut për Ndre Mjedën, si edhe recitime nga poezitë e Mjedës.

    Rektori, prof. dr. Artan Haxhi, në mungesë të z. Mentor, për arsye shëndetësore, ia dorëzoi znj. Ixhlal Qukut, bashkëshortes, titullin e lart shkencor “Profesor Nderi”. Në emër të familjes falënderoi Valbona Mentor Quku, Lisha.

    Për studiuesit e krijuesit nga rrethet, nga Puka, shpreha gëzimin dhe urimin e përbashkët për titullin e lartë shkencor profesor zotëri Mentor Qukut, studiuesit të mirënjohur  të përmasave akademike të jetës dhe veprës së Ndre Mjedës, të këtij personaliteti madhor të kulturës sonë kombëtare.

    Por, prof. Mentor Quku duhet çmuar dhe vlerësuar edhe për një vepër tjetër madhore, për “Seminarin Ndërkombëtar Shkodra në Shekuj”, që me iniciativë dhe vullnet, përpjekje e vizion ideoi, përgatiti dhe organizoi bashkë me kolegët e tij: Paulin Perja dhe Zamir Tafilica, katër seminare shkencore në 7 vjet (1993-2000); për më tepër, kumtesat e tyre u botuan në 9 vëllime; punë shkencore aq e vyer, e vazhduar  me sukses edhe me dy seminare të tjera: Seminarin V e VI (2002 e 2005) me drejtor Mexhid Cungu, duke e kthyer, kështu, Shkodrën për 12 vjet në qendër akademike kombëtare të studimeve albanologjike me studiues, profesorë dhe akademikë brenda e jashtë vendit, me Kosovë, Maqedoni, Ulqin, Diasporë dhe profesorë nga vende të ndryshme të Europës etj.

    Prej dhjetëra vitesh prof. Mentor Quku, jo rastësisht, nuk iu nda Ndre Mjedës, këtij kolosi shkodran të Kulturës sonë Kombëtare, sepse, ndofta, do të mjaftonin, për këtë angazhim shembullor edhe vetëm vargjet e poezive, si  “Po nuk u shuejti dhe, jo, Shqyptaria!/… “Lirim, lirim”-bërtet gjithkah Malsia! Vargje që ngjajnë me gjëmimin e një vullkani  që shpërthen nga thellësia e tokës. “ Sepse mijëra trima, dëshmorë e heronj luftuan për Liri e Pavarësi, se u rritën dhe u edukuan prej nënash iliro-arbërore me fjalët e tyre hyjnore:

    “Nji nan tjeter,-thoshe,-ke,/ bir n’ ket dhe, / nana jote a Shqyptaria,/ mend e zemer per te shkriji/ e pertriji / nam e lavd kur t’vin dita!”

    Në të kundërtën do të vinte mallkimi i pamëshirshëm i poetit patriot:

    “Kjoft mallku kush qet ngatrrime,/ nder kto vllazen shoq me shoq,/ kush i dan me fjalë e shkrime çka natyra vet perpoq!”  Këto vargje janë aq aktual edhe për sot: kur na duhet aq shumë atdhedashuria, bashkimi, uniteti, dashuria e përkrahja vëllazërore kundër përçarjes e dasinave gjithfarësh, kundër urrejtjes e çoroditjes morale, kundër cubnisë e hakmarrjes së verbër.!

    Shembulli për punë studimore të suksesshme jashtë institucioneve shkencore universitare dhe akademike, siç është rasti i M. QUKUT, i D. LUKËS, i Sh. HOXHËS etj., sadoqë i vështirë, tregon se nuk është i pamundur, dhe si i tillë shërben si mesazh për këto institucione shkencore që të mos jenë të mbyllur, por  të hapur edhe për bashkëpunëtorë të jashtëm. Sigurisht, duhet edhe legjislacioni përkatës, i cili nuk ka krijuar deri tani kushtet e duhura për tituj e grada shkencore, të mohuara deri tani, sidomos këto 15 vjetët e fundit.

    Shkodra, si në çdo kohë, ka mjaft personalitete në shërbim të kulturës sonë kombëtare, por duhen trajtuar me kujdes, se, siç shihet, duhet një jetë e tërë, në mos më shumë, për të arritur te një studiues i shquar i përmasave kombëtare e më gjerë, siç ishte prof. Jup Kastrati, “Mjeshtër i Madh” dhe “Mësues i Popullit”, siç është edhe prof. David Luka, “Mësues i Popullit”, prof. Ahmet Osja  -“Mjeshtër i Madh” dhe “Anëtar Nderi i Akademisë së Shkencave,” Villy Kamsi, Fadil Kraja,“Mjeshtri i Madh”, prof. Mentor Quku etj., që, fatmirësisht, i keni, por të mos kujtohen vetëm me raste përvjetorësh, titujsh e gradash shkencore, por të ndihmohen gjithnjë si për shëndetin e dobësuar, si për veprat e tyre që presin të botohen, se nesër do të jetë vonë dhe me pasoja për dijen, kulturën dhe traditën e çmuar shkodrane, si dhe kombëtare.

    E themi këtë se, ne të rretheve kemi nevojë shumë për studiuesit e krijuesit tuaj. Këtë e thotë edhe prof. Shefqet Hoxha nga Kukësi, gjithashtu e thotë edhe prof. Mark Tirta, akademik, nga Mirdita. Po kështu, unë prej më se 40 vjetësh kam gjetur ndihmë e përkrahje në Shkodër për punën time shkencore. Në mënyrë të veçantë prej prof. Jup Kastratit dhe në vazhdim edhe prej prof. David Lukës, prof Bajram Xhafës, prof. Tomorr Osmanit, “Mjeshtër i Madh”, prof. Mahir Hotit, prof. Njazi Kazazit, prof. Ahmet Osjes, prof Mentor Qukut, studiuesit Villy Kamsi, prof. Paulina Hoxha, Kabashi e të tjerë, të cilët kanë ardhur edhe në rrethe, deri në Pukë e Kabash, dhe kanë mbajtur kumtesa së bashku me ne, si edhe prof. Eqrem Çabej e prof. Mahir Domi etj. Pra, është edhe ndihma tyre bujare, që unë sot të jem nderuar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” dhe të kem  botuar deri tash kolanën “Puka që në lashtësi -6 dhe të kem edhe më se 6 vëllime të tjera në dorëshkrim. Por, ky nderim që na është bërë në Pukë, na duket si i mangët, kur shohim që ende nuk e kanë Urdhrin “Mjeshtër i Madh” studiues si: Mentor Quku, David Luka, Villy Kamsi etj.