Xhemal Mato:Politikanët tanë, dritëshkurtër

    438
    Sigal

    Ambientalisti Xhemal Mato flet për harresën e ambientit në programet politike

    Ambientalisti i njohur Xhemal Mato sot në ditën ndërkombëtare të ambientit thotë se mjedisi i shkatërruar dhe i lënë në harresë na kërcënon në çdo moment. Ai shprehet i shqetësuar për indiferencën e politikanëve në këtë drejtim. Ambientalisti Mato  shpreh për gazetën “Telegraf” shqetësimin se në këto ditë fushate elektorale ka dëgjuar nga të gjitha, por asnjë fjalë për mjedisin. “Shoh që në programet e partive të cilat na paraqiten shpesh dhe brutalisht, nuk është vlerësuar fare mjedisi dhe ky sipas meje është një problem madhor. Për çdo qeveri që do vijë në pushtet duhet që ambienti të jetë prioritet, pasi me një mjedis të pastër, nënkuptojmë më pak sëmundje dhe  më shumë zhvillim. Dëgjojmë që partitë në programet e tyre flasin për mjekësinë që duhet ndihmuar dhe investuar, apo janë investuar miliona euro për këto pajisje apo për këto investime. Dhe bëjnë mirë që investojnë, se shërojnë të sëmurët, por duke harruar mjedisin harrojnë dhe shkaqet që të sëmurin. Pra për mua është e domosdoshme të parandalosh dhe për ta bërë këtë, duhet që kryefjala të jetë mjedisi. Pasi shkaqet e sëmundjeve gjenden pikërisht në shkatërrimin që i bëhet mjedisit. Kështu ndotja e ajrit është në një nivel shumë të lartë 12-30 % mbi normën dhe kjo sjell probleme në rrugët e frymëmarrjes, siç janë azmat, alergjitë, por dhe sëmundja vdekjeprurëse e kancerit. Kjo është një politikë dritëshkurtër e cila investon për të shëruar, por nuk parandalon apo paraprin problemit” shprehet ambientalisti Mato. Sipas tij programet e politikave nuk premtojnë prosperitet, ata nuk shohin më larg se sot. “Për mua është shumë shqetësuese, që nuk i japin mjedisit vëmendjen e duhur dhe nuk e shohin si prioritet. Kështu politikanët e së djathtës sloganin e tyre kanë rrugë, por ç’më duhen rrugët mua kur jam sëmurë nga ndotja e ambientit. Kam rrugë, por ç’më duhet rruga mua kur më përmbytet në dimër për shkak të shpyllëzimeve apo erozionit. Është një problem shumë shqetësues shkatërrimi i resurve bazë të njerëzimit, ajër, tokë , ujë. Kështu toka jonë është e helmuar nga ndotja, prandaj si do të prodhojë fshatari ku nuk zhvillohen produktet bujqësore si p.sh në Elbasan që nuk bëhet domatja. Nuk mund të kemi zhvillim pa resurset tona. Ne jemi në borxh miliona euro me tokën, ujin dhe  ajrin. Bregdetet dhe lumenjtë tanë janë shumë të ndotur. Si mund të zhvillojmë turizmin, kur nuk i mirëmbajmë resurset tona, këto janë borxhet që i kemi ne ambientit. Mjedisi është i rëndësishëm për shëndetin por dhe për ekonominë. Një mjedis i pastër është zhvillim, shëndet, pasuri që premton begati ekonomike” shprehet ambjentalisti Mato.