Xheladin Çelmeta:Ne, skënderbegasit e viteve ‘70

    553
    Sigal

    Përkujtimorja: Mall dhe nostalgji në 68 vjetorin shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”. Ajo u çel më 28 mars 1945 dhe u mbyll në vitin 1990

    Sot, mbushen plot 68 vjet nga çelja e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”. Në fakt, opinioni publik shqiptar ka 23 vite që nuk ja ka dëgjuar më emrin asaj. Në vitin 1990, ajo u mbyll një herë e përgjithmonë, për të lënë pas kujtimin e një legjende, të një epoke sakrificash pakufi; të një përkushtimi maksimal njerëzor “për interesat e mbrojtjes së Atdheut”. Po ndërkaq, nuk munguan edhe dashamirësit. Njerëzit që vazhdojnë të njohin dhe propagandojnë sot akoma vlerat e asaj shkolle në aspektin patriotik e atdhetar, nuk kanë lejuar që emri dhe historiku i saj të shuhen. Ndaj që prej disa vitesh, është krijuar shoqata “Skënderbegasi”, kryetar i së cilës është z. Mikado Shakohoxha, veteran, ish-skënderbegas. Në shkolla të tjera simotra të vendeve të Europës Lindore të po këtij profili, nxënësit me uniformë ushtarake quheshin “kadetë”. Kurse tek ne, populli i quajti skënderbegasit, me fjalën “begsa”. Ishte, jo thjeshtë një shkurtim emri, por një lloj përkëdhelje për moshën gati fëminore të djemve që guxonin t’i hynin aventurës për t’u bërë oficerë. Ata pranoheshin në këtë shkollë, kur sapo kishin mbaruar klasën e tetë. Siç dihet, kontingjentet e para të kësaj shkolle më 28 mars të vitit 1945, ishin djem partizanë të zbritur nga malet, nga llogoret e luftës çlirimtare. Më pas, nga një brez në tjetrin, nga etërit tek bijtë, stafeta e atdhedashurisë nuk u ndal. Ishte pikërisht kjo shkollë, kjo “fidanishte”, e cila frymëzoi kuadrot ushtarakë të të gjitha niveleve të dala nga bangat e saj, për të pasur një Shqipëri të pacenuar në kufijtë e saj, nga jugu në veri. Në vitet e pasçlirimit, kur ndaj vendit tonë frynë erëra shovinizmi, si dhe kur provokuan grekët në gushtin e ’49-ës, ashtu edhe më pas, teksa herë pas here serbët provokuan kufirin në pjesën veriore e verilindore të Shqipërisë, ata gjithmonë morën përgjigjen e merituar…

    Në këtë 68 vjetor të shkollës “Skënderbej”, nuk mund të harrojmë gjithë atë staf të përkushtuar pedagogësh e komanduesish që edukuan tek ne ish-skënderbegasit normat, cilësitë, vetitë e virtytet më të mira të ushtarakut-model, me një lajtmotiv: “Për t’i shërbyer me devotshmëri Atdheut”. Ç’të përmendësh më parë në këtë përvjetor… Agim Tepelena, Mikail Vaso, komandant dhe zëvendëskomandant shkolle. Petrit Boka e Çlirim Bello; Besnik e Kurshumi e Vasilika Vaso; Isak Mezini e Shaban Bardhoshi…  Jorgji Kona e Sotir Stavre, nipi i Asdrenit; të dy pedagogë… Ushtarakë të lartë komandues, kuadro e njerëz që i patëm gjithnjë pranë, si vëllezër e si prindër në vitet e formimit tonë si skënderbegas… Do të ishte e gjatë lista e emrave të atyre ushtarakëve në armë e shërbime të ndryshme, që në harkun kohor 1945-1990, u bënë komandantë, drejtues e titullarë të lartë në hierarkinë ushtarake shqiptare. U bënë marinarë, aviatorë, kundërajrorë, topografë, këmbësorë, ndërlidhës, specialistë lokacioni, transporti, artiljerë tokësorë e bregdetarë, etj, etj. Janë mijëra ushtarakë të tillë. U bënë edhe gjeneralë. Madje ka nga ata që sot ende ndodhen në radhët e ushtrisë pjesë e NATO-s. Në një mënyrë a tjetër, mes të tjerash ata reflektojnë edhe disiplinën e edukatën e transmetuar që nga koha e asaj shkolle. Të tjerë shkëlqyen në fusha të ndryshme të artit, kulturës e sportit. I madhi Perlat Musta i “Partizanit”, futbollisti që i dha emër Shqipërisë për shumë vite, ka qenë skënderbegas. Arben Duka, poeti që shumëkush sot e quan “Esenini shqiptar”, ka qenë skënderbegas. Skënderbegas kanë qenë edhe gazetarët e shkrimtarët e talentuar Thanas Tane, Apostol Duka, etj. Skënderbegasit u bënë pilotë klasi. Nga klasa jonë, e “4/6”,  të tillë “zogj të udhëve të kaltra” u bënë Skënder Demollari e Perlat Binaj. Skënderi është heroi, që arriti ta ulë në pistë avionin “Mig-19”, vetëm me një rrotë për shkak të një defekti teknik. Kurse Perlat Binaj arriti të bëhej deri dhe komandant i Forcave Ajrore shqiptare. Padyshim ishte nga më të mirët pilotë, aq sa në ShBA, në vitin 1995, në një stërvitje ajrore atje, ai arriti të pilotojë një tip avioni supermodern të NASA-s. Astrit Aliaj, oficer në Forcat tona Detare, u bë pjesë e elitës së këtij shërbimi. Deri para pak kohësh ai ishte atashe ushtarak në Itali. Petrit Zani, një tjetër skënderbegas. Në klasë i thonim “shkencëtari”. Pa rezerva, ai ka qenë skënderbegasi me horizont pedagogu. Pas studimeve të larta ushtarake, u bë oficer kundërajror. Ndërsa sot, është emigrant në ShBA. Petriti edhe atje, pavarësisht pozicionimit  në punë e profesion, nuk lë pas dore aktivitetet kulturore me bashkëatdhetarët e vet. Është kryetar i shoqatës “Emigrantët shqiptarë të Amerikës” në Toronto. Ndërkohë, ashtu si bima ushqen filizin e vet, skënderbegasit, në jetë u bënë edhe familjarë të mirë. Që rritën e mëkuan me edukatë fëmijët e tyre, duke mbetur kështu pjesa elitare e shoqërisë shqiptare. Miriam Cani, këngëtarja e re dhe e famshme, që për vite të tëra ka jetuar e studjuar në Gjermani, është vajza e skëndebegasit Agim Cani. Edhe Gimi hynte tek talentet, si dhe kolegu tjetër, Veri Talushllari. Një tjetër këngëtare, Ester Hoxha, është vajza e ish skënderbegasit Dilaver Hoxha. Po kështu edhe këngëtarja Himena Ymeri, është vajza e ish-skëndebegasit Adriatik Ymeri…

                                                          ***

    Po le të kthehemi një çast tek prologu i këtij shkrimi nostalgjik. Shkolla e mesme ushtarake “Skënderbej”, siç thamë, u mbyll në vitin 1990. Shenjat për “asfiksinë” e saj, në fakt ishin paralajmëruar që më parë. Shteti dhe qeveria e atëhershme shqiptare, të ndodhura në pragun e një rrokullime të sistemit politik, e lanë shkollën “Skënderbej” në “vdekje klinike”. Asnjë ceremoni për shkakun e mbylljes së saj. Asnjë akt nderimi e respekti për ata mijëra e mijëra skënderbegas që i shërbyen besnikërisht e heroikisht Atdheut, kudo që ai i kërkoi. Në disa raste, duke dhënë dhe jetën për të. Asnjë fjalë për historinë e lavdishme 45 vjeçare të saj. Asnjë fjalë për armatën e madhe të “begsave” që, krahas programit mësimor nën një disiplinë spartane, ndërtuan rrugë; si në Malësi të Madhe, shtrinë linja komunikimi, ndërtuan hekurudha, si ajo Elbasan Përrenjas, ndërtuan hidrocentralin e Fierzës, bashkë me minatorët dhe punëtorët e tjerë shqiptarë; ndërtuan brezaret e famshme të Ksamilit, gjurmët e të cilave dallohen edhe sot (natyrisht, aty ku nuk ka rënë sëpata e shkatërrimit). Mbyllja e kësaj shkolle të lavdishme, ishte një procesion “post mortum”, frustues, në një moment kritik, kur dalldia politike në vend ishte në apogje’. Korente të kësaj dalldie, atëherë synonin fshirjen nga faqja e dheut të veprës rrezëllitëse të shkollës “Skënderbej”. Madje synonin asgjësimin total të frymës së saj, si “motori gjenerues” i atdhedashurisë dhe patriotizmit të vërtetë. Mbase nuk do dëshironim ta shprehnim, por faktet tregojnë se politika (e djathtë dhe e majtë) në këto 20 e ca vjet demokraci, është treguar “alergjike” ndaj “produktit” të kësaj shkolle; ish- skënderbegasve. Pavarësisht suksesit të plejadës së ish skënderbegasve në karrierë dhe në jetë, në fakt nuk ka munguar edhe tjetra: Nëpërkëmbja e tyre nga politika. Skënderbegasit e dikurshëm, janë ish-ushtarakët e sotëm; të lënë në rrugë të madhe, të liruar nga “radhët e blerta” përmes urdhrash me siglimin standard “me reformë” të ministrave të radhës. Ish skënderbegasit, (apo ish ushtarakët), u braktisën nga qeveritarët e kësaj periudhe; pavarësisht se cila forcë politike qe në pushtet. Ata u lanë pa Status. Ai u zëvendësua me një akt normativ, i formuluar në mënyrë  cinike, enkas për të mos ua dhënë atyre pagesën financiare të pensionit të parakohshëm, sipas ligjit. Ky akt, automatikisht krijoi shtresën e re të “të varfërve” në Shqipëri. Mes mijëra e mijëra hallexhinjve të sotëm, pa punë e pa shtëpi ka edhe shumë ish-skënderbegas. Kjo është gjithë e vërteta për ish skënderbegasit, këta njerëz që koha i vuri në provën më të vështirë: Atë të mbrojtjes së vendit. Shtoj edhe një fakt: Kjo metamorfozë e imponuar degradimi, çdo gjë mund të ketë ndryshuar tek ish skënderbegasit e dikurshëm, me përjashtim të një gjëje: Të krenarisë së tyre për atë çka bënë në vite për Shqipërinë. E të tillë do jenë gjithmonë.