Xheladin Çelmeta:Kush e nxit shkeljen e mëtejshme të Statusit të Ushtarakut?

    57

    Dje, në dy të përditshme, botohej një lajm me dy interpretime të ndryshme. Në njërën shkruhej se, “ushtarakëve nuk iu lejohet pjesëmarrja në mitingje politike”, kurse në tjetrën “ushtarakëve aktivë iu lejohet që pas kohës së punës, pa uniformë, të marrin pjesë në aktivitetet politike”. Me këtë rast, le t’i referohemi pikë për pikë Ligjit Nr. 9210, datë 23.03.2004 “Për Statusin e Ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Në nenin 19 të tij, thuhet: “Ndalimet për shkak të detyrës ose shërbimit”, pika 1, Ushtaraku aktiv për shkak të detyrës ose shërbimit i ndalohet: a) të jetë anëtar i partive politike, organizatave ose shoqatave me karakter politik, si dhe të marrë pjesë në veprimtaritë politike që organizohen prej tyre”. Kurse në nenin 42, “Të drejtat e ushtarakëve në rezervë, në lirim dhe në pension”, pika 1, Ushtarakët (oficer dhe nënoficer), në rezervë, lirim dhe pension, përveç të drejtave të përcaktuara në nenet e tjera të këtij ligji, gëzojnë edhe këto të drejta: a) të anëtarësohen në shoqata ose në parti politike dhe të marrin pjesë në veprimtaritë e tyre”. Ekzaktësisht, vetëm kaq. Ligji është shkruar qartë dhe nuk lë vend për keqinterpretime. Sipas tij, tjetër gjë u kërkohet ushtarakëve aktivë dhe tjetër gjë ushtarakëve në rezervë, lirim e pension. Njëra palë është kontingjent aktiv, nën uniformë, në shërbim vetëm të Atdheut e Kombit, i cili me ligj pjesëmarrjen në aktivitete politike e ka të ndaluar, (me përjashtim të vetëm një akti; atij të hedhjes së votës në kutinë votimit) dhe pala tjetër, ushtarakët në rezervë, lirim e pension, të cilëve u lejohet edhe pjesëmarrja në parti politike dhe në aktivitetet e tyre. Pra, vetëm kësaj kategorie ushtarakësh (në rezervë,lirim e pension), u lejohet pjesëmarrja në parti politike dhe aktivitetet e tyre. Pikë. Dikush tha se po përgatitet ligji i ri për ushtarakët. Dhe lajmet e këtij lloji, duket se kanë dalë nga ky informacion. Nëse është kështu, atëherë më duhet ta them që shoqatat e ish ushtarakëve duhet të reagojnë menjëherë, pasi kështu po shkatërrohet thelbi i përmbajtjes së vetë Statusit të Ushtarakut të Republikës së Shqipërisë. Ushtarakët aktivë, mendoj se nuk është e arsyeshme të kthehen në turma elektorale. Asnjëherë nuk ka qenë kështu. Thuhet “në kohën pas punës”. Përsëri, “jo”, sepse dihet, që edhe në kohën e pushimit ata mund t’i thërresë detyra, misioni luftarak. Kurse vullnetin e tyre politik ata e shprehin me votë, në mënyrë të heshtur, në ditën e votimit. Nuk jam në gjendje të them se çfarë ka në plan maxhoranca e ardhshme për ushtarakët dhe ish- ushtarakët, por di që për ushtarakët në rezervë, për këtë “ushtri tjetër” të madhe të papunësh, ende vazhdon të aplikohet Akti Normativ, i cili ligjërisht, sipas Gjykatës Kushtetuese, duhej të ishte shfuqizuar 45 ditë pas daljes së tij, në korrik të vitit 2009. Dhe pas kësaj, ish ushtarakët duhej të merrnin pagesën që iu takonte. Por kjo nuk ndodhi…

    Siç duket, po ngjan ajo që thotë Shinasi Rama në një nga shkrimet  tij, botuar këto ditë në disa gazeta, për “arixhofkat shtypit”. Duket se në momente të tilla të nxehta politike si këto që po kalojmë, përpara zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013, ka segmente mediatike në shërbim të politikave të caktuara, të interesuara për sa më shumë thashethemnajë e deziluzion, për tjerrje frazash pa sens ligjor, për gjëra që Statusi i ka sanksionuar shumë qartë. Po këto ditë, një ushtarak i lartë i FA, pjesë e elitës profesionale të Forcave të Armatosura shqiptare, gjeneral Sandër Lleshi, u përfol nga këto segmente mediatike që, siç e thotë edhe vetë ushtaraku i lartë, “gjenerojnë lajme të kota, pa asnjë burim zyrtar”. “Gazeta, mizat dhe të tjerët”, ishte artikulli që ai botoi si përgjigje në disa të përditshme, për sqarimin e opinionit publik. Artikulli ishte përgjigje pikërisht ndaj kësaj kategorie fallxhorësh. Ishte një veprim dinjitoz i këtij hierarku të FA, për t’i prerë rrugën thashethemnajës. Dhe ishte mese e domosdoshme ajo përgjigje. Situata e re politike në vend, sërish duket se po trazon problematikën e ish ushtarakëve. Ish ushtarakët nga ana e tyre, secili në shoqatën përkatëse simotër (ShKURSh, AKURSh, Shoqata e Xhenierëve, etj.), po presin që formacionet politike që garojnë, të artikulojnë qartë programet për rikuperimin e neneve kryesore të Statusit të Ushtarakut të “shpërbëra” totalisht; sidomos ato që lidhen me pagesën, trajtimin me banesa, ripunësimin e tyre, të drejtat e shërbimit shëndetësor falas, etj.,etj.. Këtë herë, ish -ushtarakët e kanë një favor. Ai është shfrytëzimi e shansit për të kontribuar për atë forcë politike apo koalicion, që me argumente precizon saktë mënyrën e zbatimit real të Statusit të Ushtarakut nesër. Jo vetëm me fjalë, por me matematikë. Ish ushtarakët duhet t’u drejtohen liderëve politikë. T’u bëjnë “zbor” atyre. E kanë rastin. Ky është momenti i duhur. Asnjë lider politik, në cilëndo forcë politike të ndodhet, nuk mund të shpëtojë më, me premtime boshe. Ish ushtarakët do jenë kontingjentet që do synojnë lënien në opozitë të atyre koalicioneve garuese në këto zgjedhje, që nuk i përfillin kërkesat e tyre.