Xheladin ÇELMETA/ Ushtarakët nuk do të heshtin për të drejtën e tyre kushtetuese

    374
    Nuk ka shtet pa ushtri. Dhe nuk ka ushtri pa status. Të dyja janë aksioma strikte. Ndërsa kjo që po ngjan prej gjashtë vitesh me shkeljen e të drejtave të ushtarakëve në rezervë, të njohura me status, nuk ka precedent të ngjajshëm. Kjo po ndodh vetëm me ushtarakët shqiptarë. Do t’u lutesha ekspertëve të ISSh-së, të pyesnin homologët e tyre, në disa shtete që kanë pak a shumë ngjajshmëri me vendin tonë, me kushtet ekonomiko-shoqërore tonat; si, ta zemë: Maqedonia, Bullgaria, Mali i Zi, Sllovenia, Bosnje-Herxegovina, etj. Nuk po flas për ShBA, Angli, Francë, etj, se e di që jemi shumë larg tyre, madje as për vendet e tjera fqinje afër nesh, si; Italia e Greqia, se përsëri jam i bindur që jemi po ashtu, shumë “të distancuar” lidhur me të drejtat që iu takojnë me ligj ushtarakëve. Rrjedhimisht, pra, as “nuk do guxonim” të bënim krahasimin me ta. Por, ja që, një miku im, ish ushtarak në emigracion, mjaft i interesuar për të drejtat e ushtarakëve në rezervë, (pasi edhe vetë është një i tillë, ndaj dhe ka marrë rrugët e botës), nuk më lë të qetë dhe më informon herë pas here se si trajtohen ushtarakët në rezervë të vendeve të rajonit. Dhe më flet për homologët tanë në Maqedoni, Bullgari, Mal i Zi, etj. Konfidencialisht, më sqaron se një oficer maqedonas në rezervë merr mbi 750 euro në muaj; një oficer bullgar në rezervë merr mbi 900 euro në muaj; kurse një oficer malazez në rezervë merr rreth 670 euro në muaj. Për të qenë i sinqertë me publikun, sqaroj se këto shifra, fatkeqësisht nuk janë të dhëna zyrtare, por të nxjerra nga burime konfidenciale. Nuk ka diskutim që janë reale. Gjithsesi, mjaftojnë vetëm kaq referenca, për të kuptuar se sa larg parametrave normalë jemi, lidhur me trajtimin tonë financiar si ushtarakë në rezervë. Dhe jemi edhe vend i NATO-s tashmë (!). 
    Diskriminimi i ushtarakëve
    Të trajtohesh vetëm me 140-170 mijë lekët (të vjetra) në muaj, si ushtarak në rezervë, është në fakt, jo vetëm fyerje, jo vetëm një mjerim skandaloz, por edhe një turp që të vjen rëndë ta pohosh, kur hyn në biseda me homologë të vendeve që cituam më lart. Këto kohë, kam arritur të nxjerr më së fundi edhe “minimumin jetik”, që INSTAT-i shqiptar është i detyruar ta pranojë si të mirëqenë për kushtet e vendit tonë. Ai qenka rreth 2 dollarë në ditë për person. Kur bën shumëzimin me ditët e një muaji, kupton që as minimumi jetik nuk është arritur dot të garantohet përmes formulës famëkeqe të “aktit normativ” për ushtarakët shqiptarë në rezervë! Dihet, që qeveria e mëparshme e miratoi atë në kushtet e një zelli të jashtëzakonshëm dhe të një anti-kushtetueshmërie të plotë. “Minimumi jetik”, 2 dollarë në ditë, është nocion që bën fjalë “për mbijetesën e një personi”. Ndërsa ushtarakët në rezervë nuk janë “një person”, por janë kryefamiljarë, shpesh me prindër në ngarkim e me 3 apo 4 fëmijë që duan të mbajnë frymën gjallë; që duan edhe të shkollohen; të vishen e mbathen… Se për gjëra të tjera, as që mund të bëhet fjalë. Parë nga ky këndvështrim, duket haptazi, që eleminimi i statusit të ushtarakut dhe zëvendësimi i tij me aktin normativ, le ta themi hapur; është një sjellje brutale e shtetit, ndaj shërbenjësve të vet: ushtarakëve. Le ta themi, se në këto 25 vjet, ky është ligji më i dëmshëm që ka krijuar edhe precedentin më alogjik që mund të ketë pasur ndonjëherë legjislacioni shqiptar. Shteti shqiptar, që prej 6 vjetësh, i trajton ushtarakët, si një kategori shoqërore që duhen shpërfillur me çdo kusht. Habi e madhe, kjo! “Sa herë një qeveri prodhon ligje të padobishme, ajo me dashje dobëson ligjet e nevojshme”, thoshte filozofi i famshëm francez Lui Monteskje’. E një i tillë është akti normativ për ushtarakët në rezervë, që qeveria e mëparshme e miratoi, ndërsa qeveria e tanishme, vazhdon ta mbajë në fuqi me një këmbëngulje të hatashme; pa dhënë as më të voglin sinjal, se do ta shfuqizojë një ditë. Kemi kaq vite që pohojmë dhe ripohojmë në media efektet negative që ka krijuar në komunitetin e ushtarakëve akti normativ. Nga ky këndvështrim, shteti, qeveria, nuk duhet ta gjykojnë apelin e ushtarakëve, si “protestë destruktive”, apo si një gjë koti, si një…“lehje nëpër natë”. Jo! Shteti ka për detyrë të dëgjojë zërin e arësyes të ushtarakëve të vet. Se gjërat duhen thënë troç e fort: Ushtarakët në rezërvë e kanë të pamundur mbijetesën e tyre. E kanë të pamundur të ushqejnë veten dhe pjestarët e tjerë të familjes. E kanë të pamundur të ndihmojnë fëmijët e tyre; të cilët i kanë; ose nëpër shkolla ose të papunë e me diploma në xhep. Dhe…shkurt, kjo gjendje e rënduar, e ka emrin: “Mizerabilitet, mjerim!”. 
    Dinjiteti i nëpërkëmbur
    Shteti nuk mund të sillet më me ushtarakët në rezervë, si me një kavie eksperimentale; njëlloj si në një laborator, ku vëzhgohet se sa mund të mbijetojë apo të vdesë një qenie bilogjike. Shteti ka për detyrë t’ua kthejë ushtarakëve atë që iu takon konformë ligjit të Statusit, dhe jo t’u mbajë atyre 2/3 e pagesës së pensionit të parakohshëm, siç po ndodh. Teksa logjikojmë kështu, nuk ka se si të mos na dëshpërojë edhe sjellja e Gjykatës Kushtetuese. “E teprove”, mund të më thotë dikush, “se kur flet Kushtetuesja, ne duhet të heshtim, dhe pikë!”. Po si mund të heshtim me gjithë këto “çudira”? Si mund të jemi të qetë kur konstatojmë një pasiguri juridike marramendëse; kur për të njejtin problem, në kohë të ndryshme gjykata sillet me dy standarte. Vetëm në Gjykatën Kushtetuese shqiptare ndodh që për të njejtin problem, ajo mban dy qëndrime, që kundërshtojnë njeri-tjetrin. Shembujt janë konkretë: vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nr. 33 datë 24. 06. 2010, i mbrojti ushtarakët në rezervë, duke hedhur poshtë aktin normativ. Kurse 3 vjet më pas, më 20 shkurt 2013, po Gjykata Kushtetuese krijoi precedentin e pabesueshëm: Hodhi poshtë kërkesën e ushtarakëve në rezervë (të shoqatës së Xhenierëve) për Statusin, me justifikimin dhe pretendimin (absurd) se “ushtarakët e shoqatës së xhenios, nuk mund të përfaqësojnë gjithë komunitetin e ushtarakëve”(!). Dhe la në fuqi aktin e turpshëm normativ. Ku është arësyeja këtu, ju lutem? Se kur analizon thellë, ngado që ta kapësh problemin, asnjë argument juridik nuk gjen dot që ta rrëzojë Statusin e Ushtarakut. Ndërkohë ka një mijë e një argumente të tjera; politikë, juridikë, logjikë, ligjorë dhe humanë, që e rrëzojnë menjëherë aktin normativ. Po kjo nuk po ndodh. Si mund të gjykohet, ashtu siç fliste në një intervistë të këtyre ditëve në një gazetë, një zyrtar i ISSh-së, që kur spjegonte formulën e pensioneve të pleqërisë për vitet e karrierës së oficerëve para vitit 1990, thoshte që “ushtarakët e reparteve, barazohen me kategorinë e…antarëve të këshillave popullore të lagjeve apo fshatrave”(!!), etj. Ç’lidhje ka, o Zot, ushtaraku me anëtarin e këshillit të lagjes(?!). Kjo është njëlloj si të krahasosh astronautin me fshesaxhiun; mjekun me berberin; gjeologun me zooteknikun, etj. Ushtarakët në rezervë nuk do të heshtin asnjëherë për të drejtën e tyre kushtetuese. Se askush si ata, nuk ka sakrifikuar aq shumë për Atdheun. Dhe sakrifica e tyre ka qenë reale, konkrete. Deri në kufijtë e vuajtjes. Kjo nuk mund të harrohet, sikur të mos ketë ngjarë kurrë. Shtetarë! Nuk keni pse përqeshni historinë e ushtrisë shqiptare shqiptare, të mishëruar në vetë jetën e vështirë që bënë ndër vite protagonistët e saj, ushtarakët! Dijeni, se ata, ndryshe nga profesionet e tjera, përbëjnë një kategori të veçantë institucionale. Dhe si të tillë, duhen trajtuar e respektuar sipas standardeve normale. 
    Sigal