Xheladin Çelmeta/ Morali i deputetëve përballë dhimbjes së Kristit

    34
    Gazetari i RTVSH, Engjëll Ndocaj, pasi deklaroi dhurimin e rrogës së tij mujore për vogëlushin e sëmurë Kristi Maze, apeloi ndërkaq edhe për deputetët tanë, që dhe ata të bënin të njëjtën gjë në emër të jetës së një fëmije. Ka jo pak ditë, që kutia me mbishkrimin “Ndihmoni Kristin që të shpëtojë”, po bën xhiron e shpresës nëpër Tiranë; ajo po zhvendoset nga një shkollë në tjetrën, nga një shoqatë në tjetrën, nga një shesh publik në tjetrin; dhe e vërteta është se njerëz të të gjitha moshave, shtresave e profesioneve, që nga nxënës shkollash, të papunë, nëna-shtëpiake të kthyera nga “psonisja” e mëngjesit, veteranë, studentë, etj, kanë kontribuar me sasi të hollash, sipas mundësive të tyre. Kutia e Kristit, kudo që u stacionua, pati vështrimet dashamirëse të njerëzve, bashkuar me vuajtjen e shprehur në fytyrat e tyre për dhimbjen në fjalë, por edhe me një farë mllefi për “shtetin e pamundur” që nuk arrin dot të bëjë diçka për veprimet urgjente që kërkohet të kryhen në dobi të vogëlushit. Pranë kësaj kutie me thirrjen humane “Ndihmoni Kristin…”, në eter u dëgjuan këto ditë lloj-lloj fjalësh ngushëlluese; pati bekime nënash e urime zemrash si “shërim sa më të shpejtë, bir”, “Zoti të shëroftë, engjëll i nënës”, etj, etj. Vetëm në një vend kutia e Kristi Mazes u ndje “jetime”: Në sheshin pranë Parlamentit shqiptar. Fare pak deputetë iu afruan asaj, për të dhënë ndihmën e vet. Nuk ka mbetur cep i Shqipërisë pa e marrë vesh fatkeqësinë e Kristi Mazes. Përfitoj nga rasti për të thënë se, një shenjë shumë e mirë bamirësie e humanizmi, (madje për t’u përshëndetur, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe ndërkombëtarisht), ishte ai i dy deputeteve femra, njëra e majtë dhe tjetra e djathtë, të cilat u bënë bashkë për sensibilizimin e rastit të Kristi Mazes. Ndihmuan edhe vetë financiarisht, por edhe u bënë “zëdhënëse” këmbëngulëse për përshpejtimin e procedurave për kurimin e Kristit në klinikat më të mira jashtë vendit. Se gjithkush sot e di: Ky është kapitalizëm. Dhe kapitalizmi e ka në natyrën e vet, që nuk njeh lutjen dhe mëshirën. Nëse i ke të hollat, dollarë apo euro, mund të shkosh në spitalet më të mira të Botës; nëse jo, rri në mëshirën e fatit dhe prit fundin! Por u deshën vetëm kaq ditë, që nga apeli i parë i Kristit, për të kuptuar se sa e egër dhe e pandjeshme është bërë klima e kapitalizmit shqiptar. Askush nuk ka ndonjë mëri me kategorinë e biznesmenëve shqiptarë, se ky shtet e kjo shoqëri, fundja, nuk mund të bëjnë dot pa ta. Por në konsideratën time, nuk e di pse më shtjellohet ideja, se po e tillë, indiferente dhe e pandjeshme është bërë edhe politika dhe politikanët tanë, parlamentarët, ministrat, drejtorët, nëndrejtorët, etj, etj. Edhe ata kanë fëmijë. Dhe ne e dimë se si është sjellja e tyre për rastet e ndonjë të sëmuri në familjet e tyre. Kurrë nuk do dëshiroja ta shprehja këtë lloj gjykimi (krejt personal) sot, s’mund të rri i qetë, kur si shumë shqiptarë të tjerë, shoh si avancon dita-ditës sëmundja e Kristit dhe ajo e shkretë “paketë financiare prej 150 mijë eurosh” ende nuk po mblidhet edhe pse qytetarët çdo ditë vazhdojnë të derdhin qindarkat në atë kuti, i vetmi tempull shprese për Kristin e vogël. Unë jam i bindur se që në ditën e parë të apelit për Kristin, sikur 140 deputetët tanë të linin nga një rrogë mujore, vogëlushi do ish nisur me avion të posaçëm drejt klinikës më moderne të Botës. Dhe makthi do kish marrë fund. Gjithsesi, le të shpresojmë se edhe ditët e mbetura mund të sjellin sihariqin për shumën e duhur të eurove për nisjen sa më parë jashtë shtetit të Kristi Mazes