Xheladin Çelmeta/ Kërkesa e familjarëve të dëshmorëve të Atdheut

    422
    Ka gati 9 vjet, që Organizata Kombëtare e Dëshmorëve të LANÇ i kërkon shtetit, rikthimin e shpërblimit financiar prej 50 mijë lekë (të vjetra), të cilin, qeveria e mëparshme ua hoqi përmes “Ligjit Nr. 9650 datë 11.02.2006”. Për këtë kryesia e kësaj organizate, i ka paraqitur Komisionit Qendror Shtetëror për dhënien e Statusit “Dëshmor i Atdheut”, një kërkesë publike për rikthimin e këtij shpërblimi. Argumenti bazë i tyre është se ky ligj, përjashton vetëm pjestarët e familjeve të dëshmorëve të LANÇ. Po si u ndryshua ky ligj nga qeveria e mëparshme, më 11.02. 2006? Po paraqisim nenet që pësuan “ndryshim”. Konkretisht: Neni 14; sipas nenit 13 të ligjit, u jepet familjarëve të dëshmorëve të LANÇ. Më realisht; në rrethin e familjes, (sipas ligjit të ndryshuar), bëjnë pjesë bashkëshorti/bashkëshortja, fëmijët nën 18 vjeç ose deri 25 vjeç, kur kryejnë studimet e larta, prindërit bashkëjetues dhe personat në kujdestari, sipas çertifikatës së gjendjes familjare, në çastin e vdekjes së dëshmorit të Atdheut. Ky ligj përjashtoi nga shpërblimi vëllezërit dhe motrat, që përfshihen në trungun familjar të dëshmorit; në nenin 14 të ligjit 8607 datë 27.04.2000, që përfitonin shpërblim financiar mujor, pa kufizim moshe. Kërkesa e familjarëve të dëshmorëve të LANÇ, është e drejtpërdrejtë: Të shfuqizohet ligji nr. 9650 datë 11.02.2006 dhe rikthimi i nenit 13, të ligjit 8607, 27.04.2000 dhe VKM nr. 151 datë 24.04.2002. 
    Po citojmë përmbajtjen e tyre: “Ligji nr. 8670, 27.04.2000 ‘Për Statusin e Dëshmorit të Atdheut’ i ndryshuar. Neni 13: Familjet e dëshmorëve të Atdheut gëzojnë nderim e përkrahje të veçantë nga shteti. Ata përfitojnë shpërblim financiar. Kushtet dhe masat e shpërblimit përcaktohen nga Këshilli i Ministrave. Neni 14: Në familjen e dëshmorit bëjnë pjesë bashkëshorti/bashkëshortja, fëmijët, prindërit, vëllezërit dhe motrat. Vendimi Nr. 151 datë 24.04.2002 i Këshillit të Ministrave për “Statusin e Dëshmorit të Atdheut” (kreu 5.a) shpërblimi financiar mujor për familjet e dëshmorit të atdheut caktohet në masën 5000 (pesë mijë) lekë të reja. Komisioni qendror për “Statusin e Dëshmorit të Atdheut” i dërgon Institutit të Sigurimeve listën e familjarëve që përfitojnë shpërblim, i cili merret nga familjari i autorizuar për këtë qëllim nga përfituesi i këtij shpërblimi. Një kopje e vendimit të komisionit për çdo rast vendoset në dosjen përkatëse të dëshmorit të atdheut. Kur familjari i autorizuar sipas listës dhe vendimit të komisonit qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut” për tërheqjen e shpërblimit vdes, kjo e drejtë i kalon njerit nga pjestarët e trungut familjar të përcaktuar sipas ligjit për Statusin “Dëshmor i Atdheut”, i cili paraqitet në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, çertifikatën e trungut familjar dhe prokurën e lëshuar nga përfaqësuesit e tyre. Tjetër, në pikën “b)”: Shpërblimi financiar i familjes së dëshmorit të Atdheut jepet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, sipas vendimit të komisionit qendror për Statusin “Dëshmor i Atdheut”, çertifikatës së gjendjes civile, familjare e personale. Me miratimin e këtij ndryshimi nga qeveria e kuvendi, familjet e dëshmorëve të LANÇ përfitojnë të drejtat e mohuara. 
    Dalan Buxheli, sekretar i përgjithshëm i organizatës Kombëtare të Dëshmorëvë të LANÇ, thotë jo pa indinjatë, se “vetëm familjet e dëshmorëve të LANÇ janë përjashtuar nga e drejta e shpërblimit financiar, ndërsa gjithë familjet e dëshmorëve të tjerë, që kanë rënë ose bien pas çlirimit, vazhdojnë përfitimin e plotë në të drejtën e shpërblimit financiar”. Mjafton kaq, për të kuptuar lëndimin e sedrës së kësaj kategorie shoqërore sot. Bëhet fjalë për pjestarë të trungut të ngushtë familjar të dëshmorëve të LANÇ, siç janë vëllezërit dhe motrat e tyre, pasi prindërit e dëshmorëve, dihet, që nuk jetojnë më. Nga ky këndvështrim, duke parë moshën e madhe që ka ky grup shoqëror, si dhe faktin që tashmë ata janë shumë pak; numërohen “me gishtat e dorës”, mendoj se asgjë nuk do ta gjente; as arkën e Shtetit, dhe as Qeverinë aktuale, që t’ua rikthente ligjin e mëparshëm të shpërblimit të pjestarëve të familjeve të dëshmorëve të LANÇ dhe bashkë me të edhe shpërblimin simbolik prej 50 mijë lekë (të vjetra). Me këtë gjest rikthejmë respektin dhe nderimin e duhur ndaj tyre. Ata janë shtresa që meriton të respektohet. 
    Organizata Kombëtare e Dëshmorëve të LANÇ përbëhet nga pjestarë të familjeve të dëshmorëve. Ata janë “rojet” e përhershëm të simboleve të LANÇ, që bëjnë një punë të jashtëzakonshme për mbrojtjen e vlerave të luftës, si dhe të mesazheve të shenjta të idelaleve të të rënëve. Me një përkushtim të paparë, pa asnjë lloj shpërblimi, por thjeshtë se ashtu “i komandon” shpirti i tyre atdhetar; ata shkojnë cep më cep të Shqipërisë, ku evidentojnë gjendjen e varrezave të dëshmorëve, të memorialeve; të lapidarëve, të cilët pas vitit 1990, sikurse dihet, pësuan dëmtime serioze. Ata janë krejtësisht vullnetarë. Ishte pikërisht angazhimi i tyre, që bëri të mundur t’u rikthehej dinjiteti “5 Heronjve të Vigut”, të cilët u vendosën që para 29 Nëntorit 2014, në një terren të përshtatshëm në Shkodër. Edhe rivendosja e statujës së “Partizanit”, po ashtu në Shkodër, është meritë e tyre. Ishte këmbëngulja e kësaj organizate të familjeve të dëshmorëve, që gjithashtu një rruge në Tiranë iu rivendos emri “Dëshmorët e 4 shkurtit”. Ndaj, pra, duke ndjerë këtë angazhim të pjestarëve të familjeve të dëshmorëve, mendoj se edhe shpërblimi simbolik financiar i tyre, i cili ishte në fuqi deri në vitin 2006, të rivendosej sërish tani në këtë 6 mujor të vitit 2015.      
    Sigal