Xhaxhiu: Mosha e tretë, një univers i papërsëritshëm dijesh!

    65
    Laura Xhaxhiu thotë se ka një mekanizëm magjik që do të fisnikërojë edhe më moshën e tretë në Shqipëri: Dialogu dhe komunikimi i kësaj kategorie me gjeneratën e re. Ajo që zonja Xhaxhiu e cilëson si gjeneratat së bashku. Sipas saj, nëse do të donim të shikonim një brez të moshës së tretë larg vetmisë, izolimit dhe injorimit, atëhere na takon të gjithëve nga pak të shtrijmë një dorë e të nismim një bashkëbisedim me ata që janë universitete më vete, biblioteka më vete me plot dije dhe eksperiencë. Kjo është arsyeja, thotë ajo, që «Open Doors» organizata që ajo drejton dhe që punon me rininë gjeti gjuhën me «Asag», shoqatën e Mira Pirdenit, zonjës së hekurt që nuk rresht të sjellë mes nesh energjinë e brezit të tretë.
    Çfarë janë gjeneratat së bashku?
    Gjeneratat së bashku është thelbi i takimit të hapur mes brezave që mblodhi bashkë përfaqësues të dy gjeneratave të ndryshme: të rinj dhe studentë nga njëra anë dhe përfaqësues të brezit të moshës së tretë nga ana tjetër. Ky takim ishte në vazhdën e të gjithë veprimtarive të zhvilluara në mbarë Europën me rastin e Ditës Europiane të Solidaritetit mes brezave dhe kishte si qëllim krijimin e një lloj komunikimi mes dy gjeneratave.
    A është e vështirë të jesh sot moshë e tretë në Shqipëri?
    Më shumë se sa e vështirë është pothuajse trishtim. Sepse është një masë e madhe e një brezi të tërë i cili është i mënjanuar, i veçuar që lëviz brenda «pleqërisë» së vet, e cila është dyfish e tillë pasi një pjesë të madhe e tyre u duket vetja të tepërt, pa vlera dhe pa energji.
    Nga vjen ky qëndrim ndaj moshës së tretë; a është më shumë një lloj perceptimi se pleqëria është vetëm për pleqërim apo realisht mosha e tretë tek ne e meriton këtë çmim?
    Nuk besoj se e meriton këtë çmim. E gjitha është më shumë rrjedhojë e një steriotipi të gabuar, por edhe e qëndrimit tërësisht mospërfillës që të gjitha qeveritë kanë pasur ndaj këtij brezi që prej viteve ’90-të. Shikoni, po flas këtu për një armatë të tërë njerëzish të moshuar, të cilët janë profesionistë karriere në fusha nga më të ndryshmet si art, kulturë, shkenca humane apo ekzakte, profesorë të nderuar e mësues po kaq të ditur. Të gjithë këta janë potenciale me vete, janë eksperienca të çmuara që nëse do të dimë t’i shfrytëzojmë do të mund të bënim gjëra të vlefshme për shoqërinë.
    Për çfarë shfryëtëzimi e keni fjalen; si do ti rikthenim ata në rinine e tyre?
    Nuk flas për rininë biologjike të tyre, por për një lloj eksperience që ata bartin, për atë bagazh të madh që dikur e kanë vënë në shërbim të shoqërisë dhe që sot e kanë sërish brenda vetes. A nuk do të ishte diçka e veçantë që profesorët në pension, mësuesit, artistët, ekspertët e ekonomisë e të bujqësisë t’i kishim sërish pranë, t’u merrnim eksperiencen, ta shfrytëzonim atë, ta kthenim në burim energjie dhe frymëzimi. Kjo është një praktikë që bota jashtë e bën rregulisht.
    Ju thoni gjenerata së bashku; po çfarë mund ta afrojë një brez të ri me brezin e moshës së tretë të pensionit dhe të vetmisë?
    Së pari komunikimi. Nëse vendoset një komunikim dhe një dialog reciprok, do të shikoni se çfarë informacioni dhe eksperiencë e dyfishtë do të shkëmbehet. Brezi i teknologjisë së shekullit të 21-të dhe brezi i eksperiencave i HEC-ve të ndërtuara, i bonifikimeve të dikurshme, i albanologjisë së vërtetë do të dijë se çfarë të përçojë drejt brezit të vrullit dhe të kompjuterave. Ky është thelbi i gjeneratave së bashku. Le ta fillojmë dhe më pas do të shikoni se ku do të arrihet. Bota ka dekada që e bën këtë.
    Çfarë ju lidh juve të dy organizatat së bashku?
    «Asag» ose shoqëria shqiptare për të gjitha moshat është një organizatë lider në Shqipëri që lufton për të drejtat e të moshuarve sidomos të grave. Znj. Mira Pirdeni, drejtoreshë e «Asag» mund të them që është simbol i përpjekjeve të parreshtura në mbështetje të një moshimi aktiv dhe të krijimit të një ambienti miqësor ndaj tyre. Me dëshirën për punë dhe me energjinë që e karakterizon ajo, ndonëse në moshë, duket një zonjë tejet e re, plot energji dhe që di të frymëzojë edhe brezat për kauzën e saj: rolin aktiv të moshës së tretë në një shoqëri që do të ketë gjithnjë nevojë për të. Realizimi i këtij aktiviteti është një fryt i bashkëpunimit mes brezave.
    Koha për gjeneratat së bashku
    Studentë dhe të moshuar u vunë dje ballë për ballë në takimin e titulluar si «Gjeneratat së bashku”. Në ditën europiane për solidaritet mes brezave, organizatat e shoqërisë civile «Open doors » dhe «Asag» organizuan një paradite sensibilizimi në mbështetje të kontributiti të njerëzve të moshës së tretë. Sipas Mira Pirdenit, drejtoreshë ekzekutive e «Asag» aprovimi i një projektligji të ananshkaluar ndër vite do të përcaktonte përfitimet e personave të moshës së tretë si dhe detyrimet e autoriteteve shtetërore për kujdesin e tyre. Ndërsa Laura Xhaxhiu, nëndrejtore e «Open Door» theksoi faktin se gjeneratat duhet të kuptohen dhe të bashkëveprojnë dhe që të arrihet këtu në fillim është komunikimi mes tyre. Sipas saj hendeku mes gjeneratave nuk është zhdukur ndaj që ai mos të thellohet edhe më kërkohet një vizion më i qartë i të gjithë aktorëve për një epoke të re që quhet gjeneratat së bashku. Znj. Xhaxhiu theksoi se gjeneratat kanë sot shpejtësi të ndryshme, por kjo nuk duhet t’i pengojë ato në vendosjen e një dialogu të qartë, të vazhdueshëm e konstruktiv, sepse vetëm kështu do të mund të arrihet në një gërshetim përvojash dhe energjish për të cilat ka nevojë shoqëria jonë. Takimi nxorri në pah faktin se solidariteti mes brezave duhet të marrë tashmë dimension të veçantë duke përkrahur vizionin e një shoqërie për të gjitha moshat, ku çdo njeri, burri dhe gruaja duhet të mbështeten për një rol aktiv në një shoqëri që respekton brezat dhe kontributin e tyre ndër vite