Xhafer Peçi:Mehmet Shehu, Kamber Dinaj dhe Brigada e Parë Sulmuese

    447
    Sigal

    Një kontribut modest për LANÇ-in  dhe për Brigadën e Parë Sulmuese Partizane

    Studiuesi ushtarak dhe publicisti Dilaver Goxhaj, autor i disa librave dhe studimeve me tematikë ushtarake, pas një seri botimesh, së fundi iu prezantua publikut të gjerë me romanin voluminoz dokumentar biografik, të titulluar: “Komandanti i pararojës”, prej 400 faqe, i cili porsa ka dalë nga shtypi.

    Këtë vepër të veçantë nga pikëpamja e ndërtimit, autori  ka arritur, që projektin e  saj ideor me tematikë ta mbarështojë, duke kombinuar me sukses elementët dokumentare historike dhe duke i shkrirë ato me elementë të romanit modern, i cili tashmë kudo në botë ka thyer skemat tradicionale të ndërtimit. Kjo vepër i korrespondon përkufizimit  të romanit dokumentar biografik. Autori, në këtë vepër  mban gjallë vëmendjen e lexuesit duke ia zgjuar kureshtjen dhe duke mos e lënë për asnjë çast ta humb fillin e leximit, edhe pse vepra është voluminoze dhe  mjaft heterogjene nga pikëpamja e mbarështimit të lëndës, por autori me mjeshtërinë e  krijuesit, që e zotëron mjaft mirë lëndën, ka arritur që krejt pjesët, dokumentare, dialoguese e imagjinare t’ i lidh dhe t’ i sintetizojë në një tërësi, duke risjellë në kujtesë kohën e luftës përmes kujtimeve të liribërësve dhe duke e freskuar atë me dromca, dialogë, dokumente, me qëllim për ta paraqitur sa më besnikërisht realitetin, të cilin e ka trajtuar me realizëm e vërtetësi të faktuar dhe të dëshmuar.

    Në këtë roman historik, ku realiteti jepet me përpikmëri historike dhe që trajtesa artistike gjen shumë pak hapësirë, pasqyrohet figura e një partizani, për të treguar se ajo luftë nxori shumë heronj nga masat fshatare dhe punëtore, saqë është e vështirë të veçosh meritat e njërit nga të tjetrit. Partizani nga Golëmi i Kurveleshit, Kamber Sadik Dinaj, me pseudonimin “Skivoviku”, mishëron cilësitë më të arrira të një atdhetari të formuar, i mbushur me entuziazëm dhe progres për një aspiratë drejt një rendi të ri shoqëror të ngritur mbi drejtësinë dhe barazinë shoqërore. Gjithçka mbështetet në të dhënat arkivore, në botime si dhe në dëshmi të shumë bashkëluftëtarëve të atij partizani, pa retorikën e zakonshme të monografive. Shumica e personazheve të këtij libri, me të cilët Kamber Dinaj ka patur marrëdhënie në veprimtarinë e tij patriotike, jetojnë ende, gjë që është një dëshmi më shumë e asaj vepre të madhe historike çlirimtare, LANÇ-it. Kjo dhe dokumentacioni i bollshëm arkivor i japin rast lexuesit që jetën dhe veprën e atij heroi të mos e shikojë thjesht e vetëm nëpërmjet disa luftimeve, qoftë edhe të betejës ku ai dha jetën heroikisht…, por më gjerë.

    Përmes këtij studimi, pavarësisht se autori e quan roman historik, del shumë qartë pozicioni antikombëtar  i atyre  elementëve  atdhe e luftëmohues, që kanë pretenduar e mjerisht edhe po pretendojnë që t’i përdhosin vlerat e LANÇ-it, edhe pse janë vlera unikale historike që i njeh dhe i ka pranuar e tërë bota përparimtare demokratike, sidomos ajo bota demokratike perëndimore që pati krijuar Koalicionin e forcave Antifashiste në nivel botëror dhe që përmbushën misionin e shenjtë të çlirimit të atdheut nga bishat fashiste, koalicion në të cilin bënte pjesë edhe LANÇ-i ynë.

    Autori, përmes fakteve të shumta që i ka gjurmuar me këmbëngulje, shfletimit dhe leximit të një literature mjaft të pasur, kontaktit me bashkëluftëtarët e partizanit,  Kamber Sadik Dinaj, ka arritur që tërë lëndën e grumbulluar ta sintetizojë si një tërësi të lidhur mirë, e cila është stisur edhe më mirë me një gjuhë të pasur, me dialogë shpeshherë edhe ekspresive, me tipizimin e  një galerie të tërë personazheve, të cilëve u ka dhënë edhe tipare, që  akordojnë në raport me kohën e hapësirën e zhvillimit retrospektiv të ngjarjeve.

    Mendoj se kjo vepër do të jetë  një kontribut jo vetëm  modest për Luftën Nacionalçlirimtare  por  edhe një kontribut shtesë për Brigadën e Parë Sulmuese, të cilës i kishte dhënë shpirt, përkushtim, dije, aftësi, zotësi e zhdërvjelltësi, komandanti i saj, Mehmet Shehu, që njëherësh  kishte qenë edhe strumbullari kryesor i LNÇ-së, i ruajtjes së SHP të UNÇ-së kohën më kritike dhe i Çlirimit të Tiranës, brenda afatit që iu kishte premtuar forcave aleate antifashiste.

    Figura kolosale, luftarake e strategjike e Mehmet Shehut, me fundin e vet tragjik, në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë nuk e zbeh rolin që ai i ka dhënë LNÇ-së, pa e harruar edhe kontributin në luftë kundër fashizmit të Frankos në Spanjën e legjendave të internacionalistëve të mbarë botës përparimtare, si  dhe përkushtimin që i ka dhënë ndërtimit të atdheut. Segmentet me të cilat autori ka shfrytëzuar kujtimet e bashkëluftëtarit,  Kamber Dinaj,  respekti që ai shpreh për të vërtetën e luftës partizane, larg skemave me të cilat janë thurur shumë  vepra të kësaj përmbajtjeje, këtë vepër e bëjnë të qëndrueshme, të fortë dhe mbi të gjitha të besueshme.

           Për këtë arsye, libri mbushet me skena dhe interpretime të tilla në marrëdhënie me popullin, me partizanë, me kuislingë, me udhëheqës të LANÇ-it, duke i dhënë trajtesës një frymëmarrje shumë më të gjerë se e një monografie të zakonshme.

    Përfaqësuesit e sotëm të Ballit Kombëtar dhe Legaliteti, duke patur pushtet, po përpiqen që atë kolaboracionizëm ta quajnë atdhetarizëm, ngaqë duan të sundojnë edhe si mendimtarë edhe si prodhues mendimesh, në këtë libër dalin tepër qesharakë, ngaqë përpiqen që tragjedinë kombëtare e të parëve të tyre mundohen ta quajnë atdhetarizëm, duke e ditur që ata i dënoi pa ekuivokë Konferenca e Jaltës dhe Gjykata e  Nurembergut.