Washington Post: Ruhuni të mos sëmureni në Shqipëri

    354
    Sigal

    Studimi/ Shqipëria, vend me rrezikshmëri të lartë për shëndetin

    Të sëmuresh në Shqipëri është me rrezik të lartë. Gazeta prestigjioze amerikane “Uashington Post” ka publikuar një studim të vendeve ku rreziku për t’u sëmurë është në shkallë të lartë. Studimi i International SOS, një organizatë e specializuar në shërbimin shëndetësor dhe ndihmën e shpejtë për klientët e saj që udhëtojnë për arsye biznesi në vende të ndryshme të botës, e klasifikon vendin tonë në të njëjtën kategori me Modavinë apo zonat e luftës në Ukrainë. Në të njëjtën listë bëjnë pjesë dhe Kosova, Maqedonia, Bosnje – Hercegovina e Bjellorusia.

    International SOS i përllogarit rreziqet që paraqet sistemi shëndetësor në bazë të nivelit të kërcënimit të sëmundjeve infektive, të higjienës, shpeshtësinë e aksidenteve dhe në disponueshmërinë e cilësinë e infrastrukturës lokale shëndetësore.

    Rreziqet kanë të bëjnë edhe me vështirësinë për të gjetur spitale adekuate e mjekë të mirë, qendra shëndetësore që ofrojnë shërbimin e duhur mjekësor në zonat rurale apo me vështirësinë për të gjetur ilaçet e duhura. Në studimin e botuar në Washinton Post thuhet se pjesa më e madhe e vendeve të Europës Juglindore bëjnë pjesë me nivel të mesëm apo të lartë të rrezikut.

    “Çuditërisht Greqia konsiderohet një nga destinacione më të sigurta për të udhëtuar, përsa i përket sistemit shëndetësor, pavarësisht rënies me 40 % të financimit nga buxheti për spitalet shtetërore prej vitit 2011 dhe mungesave të shpeshta në furnizimet e pajisjeve mjekësore gjatë vitit 2013”, thuhet në studim.

    Megjithatë, sipas Washtington Post, klasifikimi i disa vendeve ngre pikëpyetje, si në rastin e Kubës, një vend që ka mjekë të njohur botërisht, por që është klasifikuar në kategorinë e shteteve me rrezik të lartë.

    Brazili, Rusia, India dhe Kina renditen në listën e vendeve që po zhvillohen me shpejtësi. Në këto vende, studimi tregon shërbim cilësor shëndetësor në qytetet e mëdha, por jo në zonat rurale.

    Përsa i përket perëndimit, pjesa më e madhe e vendeve renditen tek zonat me rrezik të ulët. Shërbimi më i mirë, siç e tregojnë hartat e studimit, ofrohet në të gjithë Europën perëndimore, në SHBA, Kanada e Australi.