Vullnet Skëndaj/ Mua mësuesin që votova socialistët, më lanë në mes katër rrugëve

584
Sigal

Se si pushteti i transformon njerëzit, duke i shndërruar nga qenie njerëzore në “perëndi”, shembujt janë kaq të shumtë e të panumërt sa që nuk do të kishte libër t’i përshkruante.

Njerëzit mund të marrin poste, detyra e tituj të lartë në hierarkinë shtetërore dhe administratën publike. Ata marrin përgjegjësi dhe detyra për të mirën dhe dobinë e komunitetit, të popullit dhe vendit të tyre. Por kjo kurrë nuk mund t’i përjashtojë nga të qenurit njerëz të zakonshëm. Ata duhet të mendojnë këtë në çdo pozicion ku shkojnë, në çdo veprim, në çdo vendim që marrin apo kryejnë.

Po e konkretizoj këtë me sjelljen që kanë treguar pushtetarët  e sotëm ndaj meje, të cilët, për hir të së vërtetës, erdhën në pushtet nga një miljonë votues me plot shpresë,  si puna ime.

Po pushtetarët e rinj si po ua shpërblejnë? Ashtu siç e nisa edhe në fillim, unë jam një mësues i thjeshtë që banoj e jetoj prej më shumë se 20 vitesh në qytetin e Tiranës. Që nga viti 1995 kam punuar në disa shkolla 9-vjeçare të Komunës së Kasharit. Kam bërë gjithçka për të qenë një mësues i përkushtuar ndaj profesionit tim. Gjatë kësaj periudhe kam ndihmuar me shoqata jo qeveritare për të krijuar kushte e mundësi normale mësimi, për t’i pajisur me mjete mësimore-didaktike, duke krijuar edhe mundësi rindërtimi dhe rikonstruksioni të tyre. Për këtë ndihmesë dhe kontribut shpesh herë jam “shpërblyer” me lëvizje e shkarkime të pamotivuara nga disa pashallarë, drejtues, të atëhershëm të DRA-së. Pushohem nga puna për arsye banale nga një farë Ylli Xhaferri dhe vëndi im u shit për 3000 euro! Qëndrova pa punë deri në prill të vitit 2011, kur fitova një vend tjetër me konkurs, si specialist mjedisi në Bashkinë e Tiranës, të drejtuar nga Z. Edi Rama.

Pa e mbushur vitin, me vjedhjen e votave nga Z. Basha e banda e tij, pushohem përsëri si socialist dhe si aktivist i krahut politik të majtë. Nga muaji Shkurt 2012 e deri më tani jam një person i pa punë. Kam marrë të drejtën në Gjykatën e Shkallës së Parë, në Gjykatën e Apelit, (Gjykatën Administrative të Shkallës së Dytë). Kam edhe një urdhër ekzekutim vendimi, por vetëm kaq.

Gjatë periudhës së fushatës elektorale, kam dhenë kontributin tim personal si komisioner, familjar e më tej. Po pastaj? Duke mos pasur ndonjë mundësi lidhjeje e kontakti me persona vip të Partisë Socialiste jam detyruar të marrë vetë inisiativën duke kërkuar mundësi kontakti e takimi. Një nga këto rrugë, që unë e quajta të mundshme, ishte mundësia e kërkimit të ndonjë takimi me Ministren e re të Arsimit e të Sporteve, zonjën Lindita Nikolla.

Për këtë, duke filluar nga data 15 shtator “u ngujova” në hollin e katit të parë të kësaj Ministrie para recepsionit. Pas shumë e shumë ditëve, pritje e ankthi, në datën 30 shtator zonja Ministre na priti në paradhomën e kabinetit të saj.

Nëpërmjet një ligjërimi të shkurtër kërkoi mirëkuptimin tonë. Ne do të shkruanim shkurtimisht kërkesat tona, do të linim numrat e kontaktit dhe ajo, pasi t’i shikonte, do të na kthente përgjigje brenda 1 jave. Prita 1 javë, 2, 3 por asgjë. Përsëri kërkova një takim të dytë. Kërkova të flasë personalisht me z. Nikolla, duke ia sqaruar gojarisht hallin tim. Më në fund arrita të komunikoj. Ajo mbajti shënim në bllokun e vetë, më kërkoi një CV dhe numrin e kontaktit, duke më siguruar se hallin që kisha do ta shikonte me kujdes.

 Prita me durim, megjithëse pritja ishte në dëmin tim, të kohës që mund të punoja. Arsyeja, në datën 28 shkurt 2014 unë duhet të dilja në pension sipas datës de fakto që kisha  të shënuar në letërnjoftimin tim, pavarësisht se 4-5 vitet e fundit nuk kisha punuar asgjëkundi dhe nuk i plotësoja 10 viteve të fundit të derdhjes së kontributeve në sigurimet shoqërore.

Duke u gjendur përpara këtyre situatave, pasi prita e prita nga muaji tetor deri në  janar dhe askush nuk u kujtua të më kthejë qoftë edhe një përgjigje formale, vendosa të provoj përsëri të takoj zonjën Ministre. U dergja me ditë të tëra përsëri në sallonin e pritjes. Aty para meje iknin e vinin, parakalonin me dhjetra e qindra njerëz hallexhinj si puna ime. Natyrshëm funksionin e shumë lidhje të tjera ilegale, me pëshpëshe, me të folura me gjysmë zëri, me mesazhe, telefonata e lidhje të tjera, të cilat në mënyrë të magjishme e hapnin udhën e mundësinë e takimit disa fatlumëve që vinin kryesisht me porosi, me rekomandime dhe përfundonin në mënyrë misterioze në kabinetin e Ministres Nikolla.

Më në fund edhe ne derdimenëve e hallexhinjve, pa asnjë përkrahje na buzëqeshi fati. Zonja Nikolla i hapi dyert e kabinetit të vetë në datën 18 janar 2014. U turrën nëpër shkallë 20 a 30 vetë dhe u ulën në kolltukët e tavolinës ovale. Zonja Ministre e filloi bisedën duke na thënë se të gjithë ata që kishin ardhur për punë ajo nuk do t’i sqaronte, pasi sipas saj, tashmë kishin filluar nga puna,  drejtorët e rinj të Drejtorive Arsimore “të përzgjedhur” me aq kujdes nga konkurset e zhvilluara sipas meritokracisë.

Këta të fundit kishin marrë porosi që në emergjencë të sistemonin në punë të gjithë ata që ishin pushuar nga qeveria e mëparshme. Ajo vazhdoi e vazhdoi të na sqaronte se ishte Ministria e Arsimit dhe jo përfaqësuese e Zyrës së Punës. U detyrova të flasë duke u prezantuar rishtaz duke e sqaruar zonjën se cili isha, pse kisha ardhur dhe t’i kujtoja se kisha ardhur dhe herë të tjera tek ajo. Zonja e nderuar më thotë se nuk më mbante mend. Nuk hyra në komente me të, veçse shtova se unë prisja por halli dhe koha për mua nuk priste. Shkaku ishte se në datën 28 shkurt, sipas dokumentit tim të identiteti, unë duhet të dilja në pension. Kisha një periudhë papunësie prej 4-5 vitesh ku nuk punoja asgjëkundi. Porosit Drejtoren e Drejtorisë së Kabinetit, zonjën Adriana Berberi që të merrej me mua. Pasi mbajti shënim atë çka i kërkoja unë, pra të punoja minimumin 1 vit shkollor si mësues për të zbutur boshllëkun, zonja shënoi numrin e telefonit dhe më siguroi se shumë shpejt do të lidheshim e do të merrja përgjigjen e duhur. Brenda asaj dite mora kontakt me Drejtoreshën e Drejtorisë Arsimore të Qarkut, Tiranë, zonjën Eglantina Metani. Pasi e sqarova se çfarë kërkoja, zonja më thotë se do të shikonte për ndonjë vend si zëvendësues. Detyrohem, t’i them se nuk kërkoja punësim për 1-2-3 muaj, por më duhej një vendim për të filluar punë definitive, për të vazhduar edhe më tej datës 28 shkurt. Për këtë i përmenda se kishte një vend të lirë si zv/drejtor në një nga shkollat e Yzberishtit edhe ku kisha punuar më parë. Zonja u çudit dhe më ktheu përgjigje e pezmatuar se “duhet t’i harroja këto vende, pasi sipas saj, jo vetëm nuk më takonin, por as ajo nuk kishte tager që të më emëronte qoftë edhe si mësues.” Të nesërmen bëra të njëjtin ritual duke takuar Drejtoreshën e Drejtorisë Arsimore të qytetit, zonjën Mimoza Kuqi e cila më përcolli me sloganet e drejtoreshës tjetër. Mbajti shënim emrin dhe më tha se do ta shikonte me përparësi, në rastin më të parë. U detyrova të kërkoj takim përsëri me zonjën Adriana Berberi, meqenëse ajo e kishte marrë përsipër si garant zgjidhjen e problemit tim. Por edhe takimit me të kanë qenë krejtësisht formale, me fjalë të përgjithshme: “Po e shikoj problemin. Do ta zgjidh patjetër. Mos u mërzit. Ki durim….!”

Pastaj zonja e nderuar nuk u mor më me mua me shumë pretekse se ishte “shumë e zënë” dhe nuk kishte asnjë mundësi për t’më takuar. Dhe koha eci.  Nga muaji shkurt e deri në muajin maj (29) qëndrova peng i Drejtorisë së Zyrës Arsimore të Kamzës, zonjës Ermiona Cekani. Në çdo takim me jepte shpresa duke më afruar zgjidhje të cilat  për fat të keq mbetën vetëm në letër. Tashmë unë ndodhem në udhëkryq, pa asnjë zgjidhje, pa asnjë mundësi. Në pension nuk mund të dal sepse nuk i plotësoj kriteret. Jam pa asnjë mundësi financiare.

 Më vjen keq, shumë keq për imazhin dhe reputacionin që ka pasur figura e Lindita Nikollës në mendjen e kujtesën time. Unë akoma e kam përpara syve të mi imazhin e saj atë ditë të zezë e të shëmtuar vrastare të 21 Janarit të vitit 2011. Atëherë, kur ajo e vetme, përballë qindra policëve dhe gardistëve të armatosur të diktatorit Sali, më bënte shenjë mua dhe demonstruesve të tjerë t’i bashkoheshim turmës përpara kangjellave të Kryeministrisë. Për fat të keq diçka është thyer brenda meje. Zonja Nikolla nuk duhet të tallet me njerëzit, me hallet dhe problemet e tyre. Duhet të jetë ajo korrekte, në radhë të pare, e pastaj njerëzit me të cilët punon.

Të mbetesh njeri është gjë e madhe zonjë. Ministrat, Kryeministrat vijnë e ikin. Po pastaj? Hiç! Duke u nisur nga qëndrimi dhe zgjidhja e problemit tim. por edhe nga ato të personave të tjerë të cilët kanë qenë të dergjur me muaj në Ministrinë që drejtoni ju, mund t’ju them: Kjo që bëni është për të ardhur keq, është  e shëmtuar. Të tallesh me njerëzit e thjeshtë e hallexhinj, me ata që të votuan është e papranueshme, jo njerëzore. Shkrimi im nuk ka ndërmend t’ju bëjë ju të reflektoni, të ndërroni mendim. Ajo tashmë e gjeti zgjidhjen. Mbeti në rrugë të madhe. Atë e “zgjidhi” në mënyrë perfekte edhe Arkimedi i shek. XXI. Sekretari i juaj i Përgjithshëm, zoti Plarent Ndreka me një përgjigje çudibërëse e hipokrite ku ka ndjenjë si barrier për hallin tim ligjin nr. 69/2013 dhe udhëzimin nr. 56. Puna për të sqaruar heroizmat dhe trimëritë e treguara prej tij për t’ju mbrojtur ju, përbëjnë objektin e një shkrimi tjetër që do të pasojë më vonë.

 Unë shpresoj, zonjë e nderuar, të jem i vetmi person që ka mbetur i pakënaqur dhe i zhgënjyer nga sjellja e veprimet tuaja. Mua më kanë zhgënjyer keq, shumë keq…! Unë të uroj me gjithë zemër që të kesh suksese e arritje në atë detyrë  mjaft të vështirë. Populli thotë: “S’bëhet vreshti me urata, por me kazma e me lopata”…. Por ato që keni bërë e bëni deri tani, me vepra e jo me fasada e frazeologji mediatike, më duken se janë larg, shumë larg pritshmërisë së reformave në arsim.

Shpresa vdes e fundit ashtu siç më vdiq mua edhe besimi te Ju, te drejtësia, duke më lënë në rrugë të madhe, pa ndihmë, pa përkrahje e pa asnjë zgjidhje.

 Mësues