Vullnet Mato/ Baxhanaku që donte të më vriste

    380
    Sigal

     Thuhet rëndom, se kush përdor alkool rregullisht gjatë regjimit ditor, vdes shpejt. Baxhanaku im, Marko, këto ditë mbushi nëntëdhjetë vjeç dhe u ngjit në këtë lartësi moshe, me këmbë dreri, me sy skifteri, me duar banakieri. Ai po i afrohet shekullit, megjithëse në profesioni e tij jetësor, si banakier, mund të ketë pirë afërsisht nëntëdhjete fuçi birrë, shumë arka me fërnet, konjak e sidomos damixhana të tërë me vodka, pije kjo, tejet e preferuar nga pijetarët korçarë. Pra, baxhanaku im terjaqi i gotës, ka sfiduar të gjithë mjekët dhe dietologët e botës. Ai ka një djalë dhe një vajzë, të cilët i kanë dhuruar katër mbesa. Sa ishin të vogla, kishte qejf t’i vinte në gjumë në pëqirin e tij, duke i përkëdhelur, derisa i shurronin prehrin. Kur u rritën mbesat e ëmbla, vajzës së tij mjeke dhe djalit, elektroteknik, u doli “Lotaria Amerikane” njërit pas tjetrit. Pas tekave të këtij fati të çuditshëm, tashmë gjyshi mbeti fillikat në apartamentin e madh, vetëm me gjyshen. Mbeti i varur te muskujt e vet të flashkur, për të zbritur e ngjitur katin e pestë, disa herë në ditë, me çantat e rënda ushqyese në të dy duart. Baxhanaku im, i dalë tashmë në pension, gati sa nuk u çmend nga mërzia dhe malli. Katër vjet rresht, pagoi disa qindra dollarë në ambasadën amerikane, ku i dështonin vizat për të shkuar në Amerikë. Më së fundi arriti të bëjë bashkim familjar dhe shkoi pranë tyre në rrethinat e Çikagos.

    Jeta e mbyllur në shtëpinë prej druri të kontinentit të largët, ku ditën njerëzit shkonin në punë, jashtë gumëzhinin veturat dhe s’dukej njeri duke ecur në këmbë, e trishtuan shumë. Sidomos mungesa e shokëve hokatarë të gotave dhe gjuha e huaj, ku po i zinte goja myk për të folur me dikë shqip, bënë që faqekuqi pas disa muajve, të zverdhej si i sëmurur nga malaria. Aq sa, shpesh psherëtinte me vete: Eh, ku je moj, Korçë, të pifsha dollinë!… Po me se t’ia pinte, ku t’ia pinte dhe kush ta shoqëronte në rrokullisjen e gotës së atij uiskit, të pakëndshëm për shijen e tij të stërvitur me pije shqiptare?..

    për më tepër lexoni Gazetën Telegraf