Sigal

Një 39-vjeçar shqiptar ka përfunduar pas hekurave të burgut 20 vite pasi vrau bashkatdhetarin e tij në Itali.

Në fakt, autoritetet italiane e ekstraduan nga Spanja Gazmend Nuren, i cili ishte dënuar nga Gjykata e Apelit të Leçes me 22 vjet burg.

Në atë kohë, vrasja që kishte kryer Nure kishte krijuar shqetësim të madh në komunitetin ku banonte në Fasano.

Më 1 Gusht të 1998-s, ai vrau Luan Kajën më një kaçavidë në kokë.

Kaja u dërgua në spital, por vdiq disa ditë më vonë për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë.

Sipas hetimeve, midis viktimës dhe autorit kishte pasur një konflikt më motive të dobëta.

Ata kishin pasur një debat të fortë se kush do të jetonte në një banesë të braktisur në periferi të Fasanos.

Nga ngjarja pati një dëshmitar okular, i cili ishte miku i ngushtë i viktimës. Ai tregoi se Nure e kërcënoi me një pistoletë pasi tentoi të mbronte mikun e tij.

Dëshmia e tij ishte kyçe për hetimet.

Gazmend Nure e vrau Kajën disa minuta pasi ky i fundit foli me prindërit e tij në Shqipëri nga një kabinë telefonike.

Fillimisht, 39-vjeçari Nure u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Brindizit, por Apeli në Leçe e ktheu dënimin në 22 vjet burg.

Sipas mediave italiane, Nure në vitin 1999 ka kërkuar azil në Mbretërinë e Bashkuar me identitet fals.

Më pas me emrin Lorenzo Backa u arrestua në Barcelonë dhe u dënua me 18 vjet burg për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje, nga ku edhe u ekstradua.

Image