Sigal

Debatoi me prindërit se lëvizi makinën pa leje, 13-vjeçari i jep fund jetës me një armë zjarri pistoletë “TT”. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Fitore të Njësisë Administrative Novoselë të Vlorës pasditen e sotme.

Trupi i 13-vjeçarit, i identifikuar si Merdjan Aliaj, është gjetur nga babai i tij, me një plagë në kokë të shkaktuar nga arma e zjarrit, pranë një godine pak metra larg shtëpisë. Ai është transportuar me urgjencë në drejtim të spitalit të Vlorës por ka qenë e pamundur që i mituri të shpëtohej.

Më herët ai kishte debatuar me prindërit se kishte lëvizur automjetin pa lejen e tyre. 13-vjeçari është larguar nga shtëpia dhe ka shkuar në një ndërtesë e cila përdorej si stan për bagëtitë nga familja e tij, ku edhe ka qëlluar veten me pistoletë. Nuk dihet se ku e gjeti armën i mituri me të cilën kreu edhe aktin e vetëflijimit.

Njoftimi i Policisë

Më datë 10. 09. 2018, rreth orës 16:40, në fshatin Fitore, Vlorë, dyshohet se është vetëvrarë aksidentalisht me armë zjarri një djalë i mitur me gjeneralitetet M. A., 13 vjeç.

Në momentin e ngjarjes, fëmija ka qenë vetëm duke luajtur në një godinë ngjitur me banesën, ku dyshohet se është vetëvrarë aksidentalisht me armë zjarri tip Pistoletë TT. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.