Vlorë, nënshkruhet marrëveshja Kosovë-Maqedoni në fushën e arsimit dhe shkencës

484
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në qeverinë e Kosovës, Arsim Bajrami dhe ministri i Arsimit i Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, kanë nënshkruar sot Marrëveshje Bashkëpunimi në sferën e arsimit dhe shkencës, e cila është marrëveshja e parë e këtij lloji mes dy shteteve.
Kjo marrëveshje u nënshkrua në takimin e katërt ministror të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili po mbahet në Vlorë, organizuar nga Komisioni Evropian në kuadër të Platformës për Arsim dhe Trajnim për Ballkanin Perëndimor
Ministri Bajrami, me këtë rast theksoi se pas marrëveshjes që është nënshkruar me Republikën e Shqipërisë, është ky një tjetër moment shumë i rëndësishëm, pasi për herë të parë po nënshkruajmë një marrëveshje për bashkëpunim me Republikën e Maqedonisë për të intensifikuar bashkëpunimin në fokus të ndërtimit të standardeve të larta të cilësisë.
“Vendet tona janë në proces të reformimit të sistemit arsimor dhe padyshim që Kosova dhe Maqedonia janë dy shtete fqinje dhe që mund të bashkëpunojnë shumë në sferën e arsimit”, tha ministri Bajrami, cituar në njoftimin e dërguar.
Ndërsa, ministri Ademi thekoi se me këtë marrëveshje thellohet bashkëpunimi, duke filluar nga këmbimi i përvojave të dy vendeve, thellimi i bashkëpunimit në këmbimin e literaturës së mësimdhënësve, nxënësve, studentëve, por edhe mundësia e aplikimit të dy vendeve në shfrytëzimin e projekteve evropiane, që janë të rëndësishme edhe për zhvillimin e arsimit në përgjithësi, por edhe për hulumtimet shkencore.
Gjatë ditës, ministri Bajrami është takuar edhe ministrin e Arsimit të Malit të Zi, Predrag Boshkovic, me të cilin ka biseduar për arsimimin e shqiptarëve që jetojnë atje dhe mundësitë e bashkëpunimit në të gjitha nivelet e arsimit.
Një takim joformal, ministri Bajrami ka zhvilluar edhe me ministrin e Arsimit të Serbisë, Serdjan Verbic, ku ka biseduar po ashtu për arsimimin e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës dhe procesin e njohjes bilaterale të diplomave mes dy vendeve.
Sigal