Vllasova MUSTA:Në moshën 24 vjeç mbeta me vajzën Ani fare të vogël

    470
    Sigal

    Ku ishit kur iu dha dënimi dhe si reaguat?

    Isha pranë tij. Në atë kohë nuk jam ndarë asnjë moment prej tij, në të gjitha mbledhjet, në të gjitha ecejaket, kudo ishim bashkë. Një natë, teksa bëhej mbledhja e fundit në Akademi, unë rrija jashtë dhe prisja të mbaronin. Ishte fund gushti dhe mbledhja bëhej me dritare hapur, kështu që dëgjoheshin diskutimet dhe kundërvënia që po i bëhej Kujtimit. U tremba. Kur doli, u habit që më gjeti aty në atë orë të vonë pasmesnate bashkë me vajzën e vogël në karrocë. Po ti, -më tha,- ç`bën këtu? Po të prisja ty, munda t`i thosha me gjysmë zëri. Të dërmuar, morëm rrugën për në shtëpi, të tre, diku ndali dhe më tha: Unë, s`e kam bërë ndonjëherë dhe s`do ta bëj kurrë, t`i bije tjetrit kur rri varur në humnerë…edhe pas dhjetë vjetësh, kur ta shoh Fadil Paçramin dua ta shoh në dritë të syrit, pa m`u dridhur qerpiku!

    Ai nuk e besonte se kjo qe fatale, gjithnjë shpresonte dhe mendonte se është një gabim.

    Cili ishte presioni që ju bënë për ndarjen dhe si e përjetuat shuarjen e tij nga jeta?

    Më pas erdhi ndarja. Një ndarje e detyruar nga politika e kohës. Sot, për këdo që s`e ka jetuar atë kohë, është e vështirë të kuptohet qartë se si jeta njerëzore varej prej qëndrimit që duhej të mbaje. Nëse unë do vazhdoja të rrija me të, interpretohej si kundërvënie apo sfidë që i bëja partisë në pushtet dhe kjo, do sillte pasojat e saj mbi mua, mbi vajzën, mbi njerëzit e mi.

    Ajo ishte tej ndarjes, qe një vdekje për së gjalli. Të ndaheshe prej njeriut që doje, sepse këtë “sakrificë” ta kërkonte partia!

    U shkatërrua familja, u shpërbë gjithçka, ai mbeti vetëm, unë tepër e re, 24 vjeç me vajzën fare të vogël.

    Shuarja e tij nga jeta, në 8 korrik 1987, ishte një tjetër goditje për mua, këtë radhë e shumëfishtë. Dhimbje, brengë, trishtim dhe ç`ishte më e keqja, nuk duhej të të shihte askush të përlotur. Një kohë e vështirë, që errësoi dhe nxiu ëndrrat më të bukura të jetës.

    Ku ishit në ditët e grevës së studentëve dhe si e përjetuat rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës?

    Në ato ditë kam qenë vazhdimisht para godinës së Kinoklubit “Studenti”, aty ku bëhej greva e studentëve, sepse aty ishte ime bijë, Ani. Ajo ishte e para vajzë studente nga Akademia e Arteve, që u fut në grevën e urisë. Kishte motiv të plotë që të hynte në atë grevë, i shkatërruan jetën e të atit, i nëpërkëmbën fëmijërinë, u rrit me mallin e pashuar për të qenë pranë tij, tashmë ishte rritur dhe ky qe i pari rast që e thirri të bënte diçka në emër të tij. I dëgjova të gjitha sa më tha dhe nuk e kundërshtova. I fliste dhimbja e mbledhur ndër vite. I qëndrova pranë duke qenë e rrethuar nga qindra e mijëra njerëz, që më jepnin kurajo dhe më thoshin: “studentët do të fitojnë!” Prej aty, shkuam tek shesh “Skënderbej” dhe e pashë nga afër rrëzimin e monumentit dhe tërheqjen zvarrë deri sa e çuan tek studentët. Në mbrëmje, kur u deklarua se i hiqej Universitetit emri i Enver Hoxhës, studentët dolën nga greva. Jashtë i prisnin njerëz të pafundmë që i përshëndesnin dhe Ani

    pasi përshkoi gjithë atë varg të gjatë njerëzish, erdhi në shtëpi, ku kishin mbërritur shumë të njohur dhe dashamirësit tanë. Vonë, vonë kur të gjithë u larguan, ne mbetëm vetëm, për herë të parë sikur merrnim frymë ndryshe, ajo e lumtur për atë që ndërmori, ndërsa unë e gëzuar se shihja time bijë të rritur, që e priste një tjetër jetë, një tjetër ajër.

    Cili është libri juaj i fundit dhe kur do jetë botimi tjetër?

    Botimin e fundit me poezi e kam bërë para disa vitesh, titullohet “Kthema diellin, Tim”. Tim, është emri që i ka vënë Ani djalit të saj, në kujtim të paharruar të të atit.

    Po punoj për një tjetër libër, po me poezi “Pulëbardhat e shpirtit”, që shpresoj ta botoj së shpejti.

    A keni njohje me Kadarenë dhe Agollin dhe si e kanë vlerësuar ata krijimtarinë tuaj?

    Po. I njoh nga afër si Kadarenë edhe Agollin. Kanë qenë idhuj jo vetëm për mua, por për gjithë brezin tim. Jemi frymëzuar dhe mëkuar me krijimtarinë e tyre. Kadareja ka qenë i pari që më ka botuar poezitë në gazetën “Drita”. I jam mirënjohëse për mbështetjen që më ka dhënë duke m`i vlerësuar dhe botuar poezitë në vitet e rinisë sime. Para disa vitesh, u organizua një konkurs në kuadër të 75-vjetorit të Dritëroit dhe unë mora pjesë në të dhe në fund u shpalla fituese me një cikël poezish. U ndjeva mirë për faktin se m`u dha rasti që në atë pjesëmarrje,  të shpreh vlerësimin dhe respektin tim për Dritëro Agollin.

    Sa e ndiqni botimin e letërsisë post komuniste? Libri i fundit.

    Përherë e kam në duar një libër që lexoj, e kam shok dhe mik të pandarë. I fundit ishte ” Dashuria vjen nga jugu” i Violeta Allmuçës. Më befasoi proza e saj. E mrekullueshme, me një stil krejt të veçantë e lexova me një frymë dhe pata një të vetëndjerë plot kënaqësi aq sa, u ula dhe i shkrova, duke e përjetuar këtë si një detyrim normal dhe njerëzor, e urova për atë që ajo kishte shkruar, për atë, që përcolli tek unë.  Ishte kjo ndjesi që më erdhi natyrshëm pas përfundimit të faqes së fundit, ndaj i shkrova: Urime për këtë libër të bukur!

    Për tekstin e këngës “Xhaketa e kuqe” të shkruar nga ju ka shumë komente, po komenti juaj. Si u realizua kjo këngë dhe ku u këndua?

    Ruaj kujtime të bukura që kanë lidhje me këtë këngë.

    Nuk jam në dijeni të komenteve që ka, unë di të them se këtë tekst e kam shkruar kur isha studente. Kompozitori Feim Ibrahimi e pëlqeu dhe shkroi muzikën. Kënga do këndohej në Festivalin e Parë të Ushtarit. Unë ndodhesha në aksion, në Librazhd, ku punonim për ndërtimin e rrugës hekurudhore. Munda të marr vetëm një ditë leje, sa për të ardhur në Tiranë, ku do të bëhej Festivali. Në sallën e Teatrit të Operës, ishte dhe im atë. Këngën e këndoi Justina Aliaj, u prit shumë mirë dhe u duartrokit gjatë. Në fund, u shpall fituese e çmimit të parë. Mes brohoritjeve dhe duartrokitjeve unë mendoja se isha njeriu më i lumtur, por kur dola dhe takova në holl babanë, pashë sytë e tij të përlotur teksa m`u afrua dhe më përqafonte fort e fort. Ai ishte prekur tej lumturisë sime! Për këtë, sa herë e kujtoj, ndjehem mirë, sepse prindërve të mi, gjatë gjithë jetës, jo vetëm u kam qëndruar pranë, por jam përpjekur dhe ia kam dalë, t`ju jap veç gëzime.

    Në vlerësimin tuaj  për jetën njerëzore, veç familjes, çfarë do të veçonit?

    Familja është gjaku im, pra jam unë dhe të mitë. Krahas familjes, e thënë pa asnjë mëdyshje vjen miqësia. Ajo rri në kryevend, është pasuria më e madhe që merr apo humbet në jetë. Ajo ta pasuron apo ta varfëron jetën. Një miqësi e fortë, e shëndetshme i jep dritë jetës sate. Miqësinë e shoh si vlerë absolute të patjetërsueshme. Në jetën time i jam përulur me shenjtëri miqësive dhe i mbaj me po kaq shenjtëri.

    Të ka ndodhur të zhgënjehesh prej miqve?

    E them me dhimbje, por, më ka ndodhur. E prirur për të besuar tek tjetri, nuk arrin të shohësh koracën, kur e sheh dhe të qartësohet pamja, prej koracës ka dalë djalli, ndërsa ti mendoje se përballë ke pasur engjëllin, zhgënjimi të jep shumë dhimbje dhe të lëndon keqas. Por përsëri them se, jo të gjithë janë shtirakë, njerëzit janë kaq të mirë, asnjëherë nuk është vonë për të mësuar të lexosh karakterin e tjetrit, se askush nuk të thotë unë jam i tillë, duhet të dish ti, të lexosh qartë.

    Edhe pse me brenga, me dhimbje, me lëndime, përsëri them: Jeta është e bukur!