Vladimir Mici/ Marrja e kompetencave të parlamentit një veprim, që s’ka asnjë efekt ekonomik në rregullimin e borxhit dhe huamar

707
Sigal

*Pedagog në UMSH

 Përpara disa javësh ministri i financave artikuloi kërkesën për kërkimin e shmangies së  miratimit nga parlamenti të  huamarrjes së huaj, me arsyetimin se dikasteri i financave  mund te veprojë me shpejtësi dhe elasticitet në tregje, pa pengesa proceduriale dhe të garantonin interesa dhe kosto më të ulëta të huamarrjes. Në parim kërkesa e ministrisë së financave drejtuar parlamentit mund të konsiderohet si një miratim  paraprak është  nonsens. Kjo arsyetohet me një sërë faktesh dhe që nuk lënë shteg për nisma të tilla. Përveç faktit që kjo kërkese kërkon një legjitimim dhe anashkalim të parlamentit, ajo synon uljen e transparencës dhe uljen e nivelit kontrollues nga ana e parlamentit të  zbatimit të buxhetit dhe fshehjes së përgjegjësive konkrete. Në analizë të fundit është edhe një shkelje e kushtetutës dhe lirimit të qeverisë nga barra e kontrollit rigoroz dhe kjo në një moment mjaft kritik përsa i përket kontrollit të borxhit publik. Analiza se si qeveria merr hua  ka si hap të parë miratimin e buxhetit të shtetit dhe në këtë kuadër parlamenti  i ka ndezur dritën jeshile  për huamarrje  nga qeveria , hua marrje kjo e brendshme dhe e jashtme. Pra në parim qeveria është e  ligjëruar të marrë hua . Ajo që nuk përcakton buxheti është kostoja e kësaj huamarrje , shpërndarja në kohë e kësaj huamarrje dhe raportet që duhet të ekzistojnë në periudha të caktuara. Në huamarrjen  e brendshme qeveria, borxhin  mund ta marrë në lekë apo euro dhe kjo është pa lejen e  parlamentit. Thjesht qeveria  i ka duart e lira, të marrë sa të dojë dhe si ti dojë, këto burime duke punuar me normat e brendshme të huamarrjes qe monitorohen dhe kontrollohen nga Banka e Shqipërisë. Pra thjesht qeveria nuk ka asnjë nxitim për të gjetur kohen dhe momentin për të marrë hua të brendshme. Ajo që është shqetësuese për ministrin e financave është  borxhi i huaj. Ky borxh nuk është  i zakonshëm dhe ai shihet si një burim kryesor i rritjes së financimit të ekonomisë për të mundësuar një rritje më të lartë ekonomike. Realizimi transparent i saj jep mundësi n.q.s ato drejtohen në projekte  rentabël të kenë mundësi për tu shlyer. Në stadin që borxhi publik është në nivele të tilla, ku shitja e të gjithë pronës publike të kryhet (kështu është edhe ShBA, por ne s’jemi ShBA) nuk mbulojnë vlerën e borxhit dhe deficitit të trashëguar,  çdo huamarrje me kosto minimale do të ishte e mirëpritur. Por a jemi më të sigurt me këtë lehtësim të ligjit? Përgjigja është negative, sepse borxhet e marra në fillim pavarësisht kush ka qenë në qeveri garantimin e kanë bërë nëpërmjet pronës publike. Sot jemi në kushtet, kur politika ka gënjyer dhe si e tillë qeveritë që kanë qenë  përgjegjëse kanë gënjyer.

 Fakti

Argumenti tjetër kundër është fakti, që edhe pse  qeveria kërkon elasticitet nuk qëndron. Kjo për faktin se me miratimin e buxhetit, qeveria përgatit edhe zbërthimin e planit të të hyrave tatimore dhe jo tatimore dhe planin e shpenzimeve dhe investimeve dhe ky zbërthim bën të mundur identifikimin e nevojave për borxh dhe sasinë reale të këtij borxhi në terma nominale dhe realë. Përveç  kësaj, qeveria ka një instrument ndihmës me anë të së cilës ajo kërkon të harmonizojë kërkesën për borxh duke luajtur me  sasinë e huamarrjes duke ndryshuar skemën  e raporteve të huamarrjes duke favorizuar atë huamarrje, që nxit një kosto më të ulët.Pra nëse Qeveria duhet që p.sh në muajin prill 2015 i duhet të marrë borxh ta zëmë 50 milionë euro dhe e ndarë 50% e brendshme dhe 50% borxh i huaj, nëse kushtet nuk janë favorizuese për huamarrjen e huaj, atëherë  ajo mund te rrisë huamarrjen e brendshme, dhe në momentet që asaj i duket e leverdishme huamarrja e huaj, ajo mund të kërkojë nga parlamenti  në rrugë normale miratimin e kësaj huamarrje, e cila mund të jetë më e lartë se sa ajo  e programuar në periudhën për të cilën kjo huamarrje duhej të merrej.  Ajo së cilës i druhem është ana e kundërt, e cila do të përdoret si  një argument i pakundërshtueshëm, që ne rritëm huamarrjen e brendshme sepse tregu i huaj ishte armiqësor në normat e interesit. Pra do të jetë një justifikim për pamundësinë e kryerjes së investimeve publike dhe mosrealizimit të buxhetit dhe rritjes ekonomike.

 Aktualisht 

Aktualisht  shteti po përballet me norma të ulëta të interesit të lekut dhe relativisht të larta të euros, çka i detyron kursimtarët individë të mos i drejtohen bankave dhe bonove të thesarit. Pasiguria  ekonomike dhe niveli i lartë i papunësisë, shtoi edhe tatimin  në rritje të tatimit mbi interesat, kjo do të çojë në një tendencë  të  uljes së ofertës së lekut për blerje bonosh thesari dhe depozita me afat. Kjo ka bërë që të jepen shenjat e financimeve private, shpesh herë të paligjshme, të shoqëruar edhe me tendence rritje  kriminaliteti.

 Natyrisht nuk i kemi hyrë faktit, që edhe në këto sisteme, korrupsioni mund të jetë prezent. Kështu potencialisht emetimi i borxhit nëpërmjet shitjes së obligacioneve, përveç bankës së investimit, fut në lojë edhe banka të tjera, që padyshim ndonjë mund të operojnë në Shqipëri apo në ndonjë vend tjetër për shërbimin nënkontraktor. E gjithë procedura e investimit  dhe shitjes është kosto dhe mjafton  fakti, që kjo ministri i siguron të ardhura bankës  së investimit,  kjo mjafton që ky dhurim të jetë i shoqëruar edhe me mitë. Kjo bëhet në vazhdën e një tregu joshës së interesave , por që s’ka lidhje me kostot e emetimit dhe shitjes së obligacionit. Pra nëse tregu i interesave varet nga  niveli total i borxhit dhe garancitë, niveli i përzgjedhjes së operatorit është një punë e pastër, për të cilën  jepen okazione për të gjetur mundësitë e përfitimit.

Shqipëria ka një ligj për prokurimin publik. Në këtë ligj përcaktohen rregullat e ankandit dhe rregullat e prokurimit publik, ku ne prokurojmë objekte dhe shërbime dhe i nënshtrohet çdo shtetas dhe nëpunës i administratës buxhetore dhe publike. Nga zbatimi i këtij ligji dhe akteve të tij ligjore e nënligjore nuk përjashtohet edhe blerja e shërbimit të shitjes së obligacioneve. Por banka e Shqipërisë është e përjashtuar nga ky ligj. Pra dritarja është e hapur.

Së fundi duhet të theksojmë se qeveria kur miraton buxhetin miraton edhe koston tavan të shërbimit të borxhit të ri, të specifikuar në lekë dhe valutë, të brendshëm dhe të jashtëm dhe në rast se Qeveria është e pazonja, atëherë ajo mund të organizojë(Hedging) mbrojtjen e shitjes së obligacioneve me anë të të drejtave. Kjo është një praktikë rutinë e bankës së Shqipërisë si agjente e qeverisë në marrjen e huave apo shitjen e obligacioneve qeveritare.

 Epilog

Dhe për ta mbyllur qeveria nuk i ka normat e interesit okazion. Qeveria ka një administratë, ka një bankë të shtetit shqiptar dhe ka një  partner si  Fondi Monetar, që ndjekin  tregun e normave të interesit, luhatjen e kursit të këmbimit të valutave, të cilat në një analizë të fundit i sugjerojnë me shkrim dhe përgjegjësi se çfarë duhet të bëjë në kushte dhe rrethana të caktuara. Në situatën jashtë realitetit të ofruar nga Ministri i Financave, padyshim që parlamenti mund të mblidhet edhe natën për aprovimin e  propozimit të tij, nëse kjo sjell uljen e kostove buxhetore. S’ka politikan të djathtë apo të  majtë të deklarohet publikisht se është dakord për pagimin e interesave të larta.

Ndaj në këtë sens nuk ka kuptim  propozimi i ministrit, përveçse ndonjë fakti tjetër, sepse argumentet e paraqitura nuk mbështesin  kërkesën. Edhe n.q.s ai dhe qeveria aktuale do të jenë transparente është e vështirë të mendosh, që ata do të jenë  garant , që pasuesit e  tij do te jenë siç ai mendon tani transparent. Ne jemi në këtë situatë kritike jo në sajë të popullit, por në sajë të qeverive, që kanë drejtuar këtë vend.