Vjollca Koritari: Jetoj çdo çast me vdekjen, një ditë do të më gjejnë të vdekur poshtë gurëve

    410
    Sigal

    Vajza më iku me bashkëjetuesin nuk e di ku ndodhet e çfarë bën?

    Jetoj në një shtëpi të shembur, e sëmurë, pa bukë, pa ilaçe dhe pa drita. Bashkia që prej dy vjetësh më ndërpreu edhe ndihmën sociale prej 3 mijë lekësh

    KORÇË- “Rrezikoj të vdes nën një gërmadhë gurësh dhe askush nuk më ndihmon”. Këto janë fjalët e para që dëgjojmë nga Vjollca Koritari, 54 vjeçe, banore e qytetit të Korçës. Dhe me të njëjtin trishtim vijon: “Jam e sëmurë, e vetmuar, pa shtëpi, pa bukë, pa ilaçe, pa drita, dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, bashkia më ndërpreu edhe ndihmën sociale prej 3 mijë lekësh. Besoj se një veprim i tillë është i palogjikshëm. Tashmë nuk më ka mbetur më asgjë, përveç tmerrit, frikës, dëshpërimit dhe vetmisë që më ndjek hap pas hapi. Çdo ditë ushqehem me ndjesinë e vdekjes, mëngjesi që vjen mund të më gjejë të varrosur përjetësisht poshtë një grumbulli gurësh. Ndoshta jam njeriu më fatkeq në botë”. Gjithsesi, jeta e saj është edhe më e vështirë nga sa na tregon ajo. Varfërinë e saj nuk mund ta shprehin dot as fjalët, as gjestet, as lotët dhe as gjë tjetër. Megjithatë, ne do të përpiqemi të tregojmë gjithçka që ndodh me këtë zonjë dhe familjen  e saj, pasi gjithçka është në kufijtë e absurdit dhe të pabesueshmes. Bisedën me zonjën Koritari po e sjellim si më poshtë:

    Pse jua ndërprenë ndihën sociale?

    Që prej 20 vitesh jetoja me dy vajzat e mia. Tashmë njërën e kam të martuar, ndërsa tjetra që prej dy vjetësh, bashkëjeton me një djalë në Tiranë. Që nga dita që vajza u largua nga Korça, bashkia më ndërpreu ndihmën ekonomike prej 3 mijë lekësh. Tashmë u bënë dy vjet që nuk kam marrë asnjë qindarkë. Që të tërheq ndihmën sociale duhet që në zyrat e bashkisë të paraqitem bashkë me vajzën, pasi kërkohet që të firmosim të dyja, por unë vajzën nuk e kam këtu. E gjendur në këto kushte, u kam kërkuar të më japin pjesën time të ndihmës sociale, pra 2.500 lekë, sepse vajzës i takojnë vetëm 500 lekë, por edhe këtë kërkesë ata nuk ma kanë marrë parasysh. Më kërkojnë vazhdimisht të paraqitem me vajzën, pasi kështu thotë ligji, por unë nuk besoj se ligji më ndalon të marr atë që më takon mua, 2.500-lekëshin tim. Punonjësit e ndihmës sociale më përcjellin pa një qindarkë, ndërsa askush nuk më pyet nëse kam bukë në shtëpi, apo nëse më duhet të blej ilaçe. Kthehem në banesën time duarbosh dhe fle pa darkë, gdhihem pa mëngjes dhe nuk kam asnjë kafshatë buke për drekë. Çdo ditë pres të më dhuroj dikush diçka, për të mbajtur shpirtin gjallë. Kjo është jeta ime, më e zezë nuk ka si bëhet. Për më keq akoma, nuk e di edhe sa kohë të tjera do të mbetem pa ndihmën sociale. Askush nuk më jep një përgjigje të saktë. Mesa duket, kam për të mbetur përjetësisht pa ndihmë.

    Përse nuk i telefononi vajzës të vijë të firmosë?        

    Ah, sa do të desha t’i telefonoja, më ka marrë malli shumë, do të doja ta shihja edhe një herë, pa edhe 3.000-lekëshin do t’ia falja qeverisë, sepse pas kësaj do doja të vdisja e të mos jetoja më. Vajza iku në Tiranë, më tha që bashkëjetonte me një djalë. U gëzova shumë, sepse ne nuk kishim as bukë për të ngrënë, as shtëpi për të jetuar, as ndonjë lek që ajo të dilte me shoqet a të blinte një fustan të ri si gjithë vajzat e tjera. Ne të dyja (vajza dhe unë), nuk ishim në gjendje te blinim as edhe një aspirinë. Por, që nga dita që ajo iku në Tiranë, unë nuk di se çfarë bëhet me të. Nuk di nëse ndodhet në Tiranë apo diku tjetër, nuk di a është mirë me shëndet ose jo. Nuk di asgjë. Ajo e di shumë mirë që unë nuk e marr dot asistencën sociale pa firmën e saj, ndaj asgjë nuk do ta ndalonte atë për të ardhur në Korçë, por ajo nuk vjen dot sepse unë e ndjej, ajo nuk mundet. Shpesh e përfytyroj duke qarë, më shfaqet para syve dhe me pyet: “Nënë, e more ndihmën sociale? Nuk di çfarë t’i them e si t’i përgjigjem. Dua vetëm që ajo të jetë mirë, pa edhe 3.000 lekëshin do t’ia falja qeverisë, por më thoni ju si t’ia bëj kur nuk i kam asnjë adresë

    Përse jetoni në këtë shtëpi që është gati të shembet nga çasti në çast?

    Prej 20 vitesh unë figuroj si e pastrehë. I kam kërkuar bashkisë që të më strehojë, por deri më sot askush nuk ka menduar për familjen time. Nuk besoj se do të më ndihmojë kush. Të jesh i varfër qenka shumë e vështirë. Për këtë arsye, u strehova në shtëpinë e prindërve te mi, kjo shtëpi është dykatëshe, shumë e vjetër, gati e rrënuar. Një pjesë e mureve të katit të sipërm kanë rënë, çdo ditë bien gurë të tjerë, një mëngjes kanë për ta gjetur të shembur krejtësisht, me mua brenda, poshtë grumbullit të gurëve. Të ftohtit dhe lagështia nuk na u ndanë për asnjë çast. Era hyn, del dhe vërtitet në të gjitha ambientet e shtëpisë. Shiu që bie, rrjedh mbi kokat tona. Edhe pse jemi brenda shtëpisë, përsëri nuk kemi ku të fusim kokën! Prej vitesh vuaj nga astma, shpesh më zihet fryma, unë e di çfarë heq, më duket sikur vdes dhe ngjallem prapë. Këtë jetë bënte edhe vajza imë, ndaj shkoi në Tiranë, i besoi bashkëjetesës, por tani nuk di asgjë çfarë ndodh me të. Ndaj të gjitha këto që më kanë ndodhur dhe po më ndodhin, dua t’i denoncoj nëpërmjet gazetës “Telegraf”, që institucionet e shtetit të mos heshtin më. Nga mosmarrja e asistencës sociale jeta ime është bërë edhe më e zezë nga sa ishte.

    Ju thatë se nuk keni as drita, cila është arsyeja e mosfurnizimit me energji elektrike?

    Unë e di, ju do të çuditen kur t’jua them cila është arsyeja që unë jam pa drita. Ju nuk do të më besoni, por unë do t’ju them të vërtetën. I kam paguar të gjitha faturat, nuk jam as debitore, por prapë jam pa drita. Dhe e dini pse? Qeveria nuk do që t’i prishet sahati! Ja shikojeni sahatin, në krahun e majtë të portës, për shkak të shembjes së shtëpisë gurët rrezikojnë të bien edhe mbi sahatin e dritave dhe ai mund të prishet, ndaj ata më kërkojnë 2.500 lekë (të rinj), që ta zhvendosin sahatin nga aty ku është në një vend tjetër më të sigurt. Vini re, askush nuk më thotë: “Vjollca, ju duhet të dilni nga kjo ndërtesë sepse shtëpia po shembet dhe jeta juaj rrezikohet!” As që mund ta mendosh se mund të vijnë e të të nxjerrin me forcë dhe të të strehojnë në një strehë tjetër, ku të paktën era dhe shiu të mos hyjnë brenda, për sahatin interesohen të gjithë. E shihni, jeta ime vlen më pak se një sahat! Po ku t’i gjej unë 2.500 lekë që t’ia jap OSHEE-së?! Kjo do të thotë që unë do të vazhdoj të mbetem pa energji elektrike. Sigurisht, gurët kanë për të rënë mbi sahat, sahati do të humbasë mes gurëve dhe shtëpia ka për t’u gremisur, por ata përsëri nuk denjojnë t’a lëvizin sahatin pa u paguar. Cila është ndihma që u jep shteti të varfërve në këtë rast? Kush mund të ma thotë këtë gjë? Ata duhet ta heqin sahatin vetë, sepes mund të bëhet shkak për të djegur gjithë lagjen nr. 5, por sërish ata edhe këtij alarmi nuk i tremben. Duan lekët!

    Ju tashmë jeni e vetmuar, si ia bëni kur përballeni me sëmundjen e astmës?

    Unë e di se çfarë heq! Atë çast më duket sikur gjithë bota shembet mbi mua dhe përpiqet të më zërë frymën, besoj se deri më tani më ka ruajtur Zoti. Gjithë të tjerat që fliten për të varfrit duket se nuk janë të vërteta. Jam e sigurt, një ditë do të më gjejnë të vdekur poshtë gurëve…

    Nga Vepror Hasani