Vjen një zë nga Qafa e Martës

1378
Sigal

Enver CAKAJ

Kush thërret? Ne vëmë veshin të dëgjojmë. As Lacja, as ata trimat që mbante pas nuk janë më, po zëri i tyre na vjen e kthjellët. Se atje në Qafën e Martës Lace Backa thirri: “Ku ini, o djemtë e Backës?” Dhe ata iu përgjigjën e formuan çetën e parë. Ata janë ende atje e na thërresin çdo ditë. Po mëngjesi i 23-qershorit na erdhi me shi. Qafa e Martës nuk të pranon të ngjitesh, se rrugët janë të vështira. Ne ishim në dilemë, të vemë apo të mos vemë në Qafën e Martës? Dikush nga ne nguli këmbë: “Partizanët nuk e bënë këtë pyetje, as kur u nisën për të formuar Batalionin, as kur hynë nëpër beteja.” Kjo na shkundi që të niseshim, se nuk do të iknim në këmbë. Para se të niseshim u ramë telefonave të Backës, por ata na thanë të vinim deri në Backë. Në të vërtetë Backa me Qafën e Martës edhe në verë janë më pranë dimrit. Pra, u ngjitëm deri në Backë të përkujtonim 75-vjetorin e Batalionit “Riza Cerova”. Gjithë rrugës na shoqëron kënga e një tranzistori, që na sjell vargje rrëqethëse: “O Riza Cerova, malli na ka marrë. /E nxore paqetën e u dhe cigarë. / ndizeni bre burra se jemi shqiptarë!” Por Rizanë na e vranë tanët, por emri mbeti në Batalionin që u formua në Qafën e Martës. Ishte i vetmi formacion luftarak, që e nisi luftën pa komisar. Kur u bë apeli i Batalionit “Riza Cerova” zëri i komisarit Ramiz Aranitasi nuk u dëgjua. U përgjigjën shokët në vend të tij. Të 203 partizanët ulën kokat në shenjë nderimi. Po Ramizi nuk kishte vdekur, ishte nëpër male, se: “Për lirinë nuk u tund, ?Në llogore gjer në fund.” Skraparasit, tok me ta dhe Ramizi, për liri, s’donin shufër, por fre. Është në natyrën e trimave, që s’ kërkojnë hak, por dhurojnë gjak. Ato që ka thënë i ka bërë po i ka lënë dhe në histori, se: “I ka dhënë gjak safi, / Për lirinë jep gjak të ri. ” S’dinin shkrim, po thurnin këngë. Çdo betejë ishte një këngë. Kujtesën e kishin të freskët dhe ato që s’i shkruan dot i sollën deri në ditët tona gojë më gojë: “Atje sipër në një brinjë, /Lufton nipi me dainë. Me qefinin nënë sqetull, / Zbathur, xhveshur e pa fjetur.” Ku e gjetën bukën në atë varfëri? Musa Hysi, një nga partizanët e Batalionit “Riza Cerova”, ka lënë të shkruar: “Nëpër fshatra na pritën me dashuri duke na dhënë ato që hanin vetë, hithra e lëpjetë, që i përzienin me qumësht. Kishin një kohë të gjatë që ushqeheshin kështu. Kur ramë në Sukë, gjetëm vështirësi. Ishte çiflig i teqesë së Prishtës, që e administronte Baba Kamberi, një mjekrosh i egër, eksponent e fashizmit. Dervishët nuk na jepnin bukë dhe filluan të na mallkojnë si ato fallxhoret. U detyruam të përdornim forcën për të marrë një furrë bukë për batalionin. Atje pamë bukë me sy.” Kohët vërtet ishin të këqija, po baba Fetahu ishte nga ata ballistë, që ngriti gjithë Dangëllinë kundër Skraparit në emër të fesë. Atëherë këndohej një këngë e dhimbshme:

Ka dy vjet e ky i treti,

Që s’na bëhet bereqeti.

Shokë, të na rrojë mbreti,

Që na nxjerr misër nga deti.

Me kujntal i merr prefekti,

Me qillo i merr mileti.

Pasi u formua Batalioni në 23 qershor, u nis për beteja, ose drejt vdekjes. Në kujtimet e ndonjë ish-partizani thuhet se “marshuam”, po ai nuk ishte marshim. Përpara do të ndesheshin me forca kundërshtare. Nga Qafa e Martës u hodhën në Vithkuq dhe i ranë rreth Përmetit për të dalë në Qafën e Kiçokut. Gjithë rrugës mblodhën bukë nga populli. Gjellën e kishte brenda. Në Kiçok ja nisën këngës. Por atë e ndërprenë kur tre ballistë të dërguar nga kryeballisti Qamil Mullaj, të cilët transmetuan urdhrin e tij: “Largohuni këndej. Nëse doni të luftoni shkoni në Berat ku ka italianë, këtu jemi zot ne.” Komandanti i Batalionit, Neshat Hysi, i dërgoi ultimatumin: “Rrini rehat, se ne dimë të luftojmë kundër italianëve dhe kundër jush. ”Atëherë gazeta “Dielli” në Boston të Amerikës, nr. 5767 e datës 26 mars 1943 në një shkrim me titull “Dy fjalë për Ballistët” pati shkruar: “Ballistët tanë kanë vdekur moralisht dhe nuk mund të ngjallen më… por mend e vranë dhe Shqipërinë, të cilën e nxinë përpara botës si pro italianë e po gjermanë. Ballistët tanë ranë si shahitë të luftës fashiste… mos u varni torbën, po u tregoni vendin. Dhe vendi i tyre është në varret e fashizmit.” Ato çaste morën njoftim, se 65 makina të mbushura me ushtarë italianë ishin nisur nga Berati drejt Përmetit. Partizanët zunë pozicionet dhe duke pritur nisën të hanin ato copa buke misri qe kishin nëpër çanta. Vapa të përvëlonte dhe etja për ujë nuk shuhej. Ishte prova e parë, që kishin zënë pozicione. Në mes të ditës mbi qiellin e pastër u dukën dy avionë italianë. Trimi Vaip Gogo, që sfidonte dhe gjeneralët, vret një lepur, zbret poshtë dhe e var në një pemë buzë rrugës. Sa hyn autokolona italiane, shikon lepurin dhe ndalon ta marrë. Atëherë breshëritë e plumbave u derdhën mbi fashistët. Granata e bomba u hodhën aq sa atje u bë kasaphanë. Përroi i Llaskajt, që s’kishte pikë ujë, u mbush me gjak fashisti. Por në kohën me kritike fishekët po mbaroheshin. Ato çaste, Nuri Hasani, një djalë nga fshati Bregas, e dëgjoi thirrjen tonë dhe kërkoi ta shoqëronin dy partizanë, se kishte grumbulluar fishekë me bollëk. Për të mos i diktuar, i kishte futur në murin e shtëpisë. Fshatrat rreth Kiçokut i kishin mbushur shtëpitë me armë e municione dhe nuk u munguan kurrë partizanëve. Kjo bëri që forcat e mbetura fashiste të ktheheshin mbrapsht. Por nga forcat partizane mbeten në atë qafë gjashtë dëshmorë. Atje mori një plagë plumbi dhe Musa Hysi. Bukën e kishin harruar edhe pse po bëheshin dy ditë bashkë. Por më keq e patën për ujë. Vaip Gogua nuk duroi dot. Zbriti te makinat e mbetura italiane, shpoi serbatorin e makinës me bajonetë dhe shoi etjen me naftë! Kur numëruan ushtarët e vrarë italianë të shtrirë buzë xhadesë, ishin 360! Kjo ishte beteja më e vështirë për Batalionin, por dhe më e suksesshmja.

A e dini nga kush komandohej batalioni? Nga djemtë e ardhur nga dhitë. S’kishin, as akademi, as shkollë ushtarake, po brenda shpirtit të tyre kishin një shkollë më të lartë se shkollarët. Njerëz të thjeshtë të popullit të ndershëm. Ku kishin bërë shkollë Neshat Hysi, Petref Therepeli, Xhevahir Spathara, Sadush Myftari, Nure Dobrusha, Kamber Backa, Myrteza Sevrani, Mehmet Meqemeja, Ilmi Bushi? Ata nuk bënë tenderë, po u lëshuan të gjithë drejt vdekjes. Betimi i tyre ka qenë: “Ja vdekje, ja liri”. Nuk donin të vdisnin çdo ditë nga pak. Ishte koha kur liria barazohej me jetën. Po përse u krijua në Qafën e Martës ky Batalion? Historia zë fill që në vitet 1913-1914, kur shovinistët grekë kishin okupuar krahinat e Jugut dhe iu drejtuan Skraparit nga Qafa e Martës. Por burrat e këtyre anëve, të rritur e kalitur nëpër male, u bënë bllok në Qafën e Martës me çetën e Lace Backës dhe nuk i lejuan të hidhnin asnjë hap. Mos kujtoni se i përballoi vetëm çeta. Sa dëgjuan krismat e armëve të Laces, vërshuan drejt Qafës së Martës të gjithë banorët e fshatrave të Helmësit, Staraveckës, Potomit, Kapinovës, Melckës, Nikollarës… Aty i lanë eshtrat 20- ushtarë dhe një oficer grek. Aty u plagos rëndë komandanti i çetës Lace Backa, por nuk ra. E morën shokët dhe e vendosën në një stan, ku e mjekonin me qumësht, por plaga ishte e rëndë dhe nuk e përballoi dot dhe mbeti në atë qafë. Aty u vra e mbeti shoku i tij, Nasi Spiro Qafzezi. Greku tentoi të hynte sërish në Skrapar, në 20 qershor të vitit 1914 me forca të shumëfishuara, backallinjtë bënë një tërheqje sa të largonin nga fshati fëmijët, gratë dhe pleqtë dhe u kthyen në luftë. Çeta komandohej nga Zote Tashani. Në këto luftime u vra Qazim Xhixhoja, Tahir Xhixhoja, Brahim Bebeshi, Ali Xhaferi, Ahmet Iljazi, dhe Mustafa Simitja. Tok me ta edhe një ushtar italian. Në të vërtetë varrin e italianit e kanë veçuar nga trimat e Backës. Ishte çmenduri të ngriheshe e të luftoje kundër forcave greke, të cilët ishin të organizuar e armatosur rëndë. Por burrat e të tyre anëve kanë vënë gjithmonë Atdheun përpara jetës së tyre. Dhe ata burra janë ende në Qafën e Martës. Ata luftojnë edhe nga varret. Kur e pyetën një herë të motrën e Lace Backës, Selvie Backa, se ku i kishin burrat, iu përgjigj: “Backa nuk ka më burra, ata që kishte janë atje lart, në Qafën e Martës.” Ata ishin vrarë në Selenicën e Pishës, por backallinjtë vajtën i morën dhe i varrosën në atë qafë aq të bukur. Po ata nuk e kishin vendin atje. Me t’u rregulluar varrezat e dëshmorëve në Çorovodë i morën dhe i bashkuan me shokët e armëve.

Sot ne po udhëtojmë në një rrugë të asfaltuar që shigjetat të shpien drejt maleve. Dhe ky asfalt ka vajtur deri në Backë, ku nuk ka Backë më tutje. Kush e bëri këtë rrugë? Punën e bëri TAP-i, po firmëtar e projektues janë ata trimat, që e lanë gjakun dhe jetën nëpër male. Çdo pëllëmbë e kësaj toke kullon gjak të pastër. As e kanë tjetërsuar, as e tjetërsojnë vitet. Atje, në fund të Backës po ndërtohen tre hidrocentrale. Ujin e Kroit mbret, që ecte i azdisur, e kanë vënë në zap. Kush e bëri të mundur ndërtimin e tyre? Turbinat e tyre nuk i vinin dot në lëvizje ujërat e Kroit Mbret, por rrëketë e gjakut të bijve të këtyre anëve. Dhe së shpejti ai gjak i pastër do të shndërrohet në dritë. Në mes të Potomit është ende një arrë e hershme degëhapur, që u ngjan atyre nënave krahë hapura që prisnin djemtë e tyre. E ka Emrin Arra e Xhekes. Xhekja nuk jeton më, po nën degët e kësaj arre janë qarë hallet e rënda të popullit. Aty mblidheshin djemtë e krahinës dhe bënin tertipet e luftës. Por ndodhnin edhe çudira. Një ditë nën hijen e arrës po kuvendonte Asllan Osoja me Muço Brahon, kur u vete një djalë i mbytur në djersë dhe u thotë: “Na ka vdekur Arshi Koromani, po fshati nuk pranon ta varrosim në varrezat e Backës!” Backallinjtë janë shumë të ndjeshëm dhe i duan të pastra edhe varret e tyre. Arshiu kishte një njollë në biografi. Asllani ishte kryetar lokaliteti, por dhe një njeri me kulturë që i dëgjohej fjala dhe i thotë djalit: “Ne vërtet i veçojmë ata që kanë vepruar kundër popullit, po jo aq sa t’i ndajmë dhe në varr.”

Në Qafën e Martës ka ndodhur dhe një çudi. Ishte një përvjetor i kësaj feste dhe në gjithë zonën qarkulloi një fjalë, se do të vinte dhe ambasadori kinez. Njerëzit po prisnin të shikonin e nderonin për herë të parë kinezin që do të shkelte në ato vise. Për të mos e zhgënjyer popullin, gjetën një mësues që u përngjante kinezëve, i bënë dhe ca makiazhe dhe e vunë në tribunë. Pas përshëndetjeve të rastit ia dhanë fjalën dhe kinezit, që gjoja e përkthente një shoku i tij. Kur zbriti nga tribuna një shoku i tij, e thirri me emër. Atëherë u zbulua se ai nuk ishte kinez.

Backa është i vetmi fshat, që nuk ka lëvizur edhe pse ndryshoi sistemi. Ata kanë vendosur të banojnë atje, por jo si alabakë. Secili ka gjetur mënyrën e tij për të jetuar si njerëz. Hetem Gurra, Sulo Jaupi, Agim Gurra, Edmond Rushani e kanë gjetur kararin e jetesës me tufat e dhenve, që shkojnë nga dyqind deri pesëqind kokë. Por mos kujtoni se jetojnë bariçe. Shtëpitë e tyre nuk kanë asnjë dallim nga ato të qytetit. Kujtim Brahushi ka gjetur një mënyrë tjetër jetese. Ai nuk ka vajtur në emigrim, po ka punuar si specialist ndërtimi dhe me të ardhurat ka ndërtuar një shtëpi model dhe një dyqan, ku tregton mallra gjithfarëshe. Furnizon fshatin, pasurohet dhe vetë. Besnik Ibro, emigroi 17-vjet në Greqi dhe u kthye e krijoi organizatën e veteranëve, por edhe jetën e tij të njerëzishme. Të dy fëmijët i ka në vitin e fundit të universitetit të Tiranës dhe vetë, me të shoqen jetojnë si njerëz. Jashar Rushani, iku nga Backa dhe u vendos në fshatin Qafë, po sa qe atje, iu shtrembërua koka së shikuari nga Backa. Dhe e braktisi Qafën e vajti në folenë e tij të vjetër, po me një jetesë krejt të re. Unë kam qenë edhe herë të tjera në shtëpinë e tij dhe çuditem si e ndryshoi kaq shpejt mënyrën e jetesës ky njeri. Tani që i pashë të gjitha shtëpitë e Backës, u them të gjithëve: Kur të dëgjoni emrin e Backës, ngrehuni në këmbë dhe nderoni! Nuk nderojnë vetëm jetesën e re të tyre, por ata që e bënë të mundur këtë jetesë me gjakun e tyre.