Vjedhja e kapakëve të pusetave, ende fenomen shqetësues në kryeqytet

    399
    Tirana vazhdon të jetë qyteti i çudirave. Vjedhja e kapakëve të pusetave për t’u shitur për skrap vazhdon edhe në ditët e sotme, ku lufta kundër informalitetit ka pllakosur çdo gjë, por që ka lënë në harresë këtë problem jo pak shqetësues. Ama ky fakt po lihet mënjanë si diçka e parëndësishme, kur në fakt është shkaku i shumë incidenteve. Në çdo rrugë të kryeqytetit tonë shikojmë gjurmët e këtij procesi, puseta të hapura, të mbushura me mbeturina. Mbi të gjitha aroma e keqe që vjen prej tyre na shoqëron në lëvizjet tona të përditshme. Dhe guxojmë më pas të flasim për integrim dhe për standarde evropiane, nga të cilat ne, si qytetarë, dukshëm jemi shumë larg. Puseta pa kapak shikojmë çdo ditë gati në të gjitha rrugët. Ato që na çuditën më shumë ishin disa lagje në zonën e Laknasit në Kamëz, ku pothuajse në çdo një metër kishte puseta të hapura. Banorët e këtyre lagjeve shprehen se ky fenomen është tepër i rrezikshëm gjatë natës sepse në errësirë nuk shihet gjë edhe për shkak të mungesës së ndriçimit, dhe shumë herë ka ndodhur që banorët të pengohen e të bien brenda nëpër puseta. Por jo vetëm këto lagje e kanë këtë problem. 

    Edhe në Kombinat është vënë re një fenomen i tillë, në mes të rrugës, aty ku makinat kalojnë çdo moment dhe asnjë nuk e merr mundimin për të bërë diçka. Edhe pse fajtorët më të mëdhenj janë qytetarët të cilët i vjedhin ato nga momenti në moment, bashkia nuk e merr mundimin për t’i zëvendësuar edhe për të eliminuar ndonjë incident të mundshëm. Një vajzë shprehet në këtë mënyrë, për këtë fenomen tepër shqetësues: “Është injorancë, nuk e kuptoj përse duhet të vidhen kapakët e pusetave, për skrap apo për çfarë? Vetëm për 20 mijë lekë të vjetra rrugët lihen në këtë gjendje që janë sot. Turp t’u vijë të gjithë atyre që e kryejnë këtë akt kaq të ulët,sepse humbasin vlerat e tyre dhe i lënë rrugët e qytetit në një gjendje tepër të rënduar dhe ne akoma diskutojmë edhe sot për fenomene të tilla kaq të rëndomta. Puseta të hapura gjejmë dhe pranë kryqëzimit të Tiranës së Re, por edhe në “Rrugën e Elbasanit, përballë Ambasadës Amerikanë, pranë fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë e në shumë rrugë të tjera, të mëdha ose të vogla. E sikur të mos mjaftonte, në rrugën në krah të Pallatit të Kongreseve, heqja e kapakëve të pusetave është shndërruar në diçka më se normale dhe askujt nuk i bën përshtypje. Këto puseta janë kryesisht të vogla, por thuajse të gjitha pa kapakë. Pjesa më e madhe e tyre shërbejnë për hedhjen e mbeturinave nga të tjerë qytetarë të papërgjegjshëm. Edhe kur koshi i mbeturinave është shumë pranë,duket se qytetarët, e kanë më praktike që mbeturinat t’i hedhin në pusetën e hapur. 

    “Kam mendimin që kapakët e pusetave duhet të ndërrohen të gjitha dhe të zëvendësohen me kauçuk në mënyrë që të mos vidhen më për skrap.”- shprehet me ironi një djalë i ri, në rrugën pranë Pallatit të Kongreseve. Tashmë, teksa dëmi është bërë, pasojat e pusetave të hapura i vuajnë të gjithë qytetarët. Era e rëndë që vjen prej tyre dëmton shëndetin tonë. Por ndërkohë edhe shoferët e makinave duhet të tregojnë kujdes për automjetin e tyre, pasi ndonjë gomë edhe mund të dëmtohet.
    Sigal