Vizat studentore për në Australi, kriteret dhe dokumentacioni

    476
    Sigal

    AUSTRALI/ Kandidati për student në institucionet arsimore të Australisë, duhet të plotësojë së pari disa kushte bazë

    Qeveria australiane ka vënë në funksionim një program të quajtur “Programi për Studentët e Huaj, (OSP), i cili lejon personat nga e gjithë bota, që nuk janë qytetarë australianë ose rezidentë të përhershëm në Australi, të studiojnë në këtë vend. Pra, kushdo person që nuk është rezident apo qytetar i Australisë, mund të aplikojë për të studiuar në Australi. Për këtë, i interesuari duhet të aplikojë për atë që quhet “viza studentore”. Viza jepet nga autoritetet, vetëm nëse personi kërkon të studiojë në një institucion arsimor të regjistruar dhe të njohur, duke ndjekur një kurs ose një pjesë të tij, por gjithmonë me kohë të plotë. Çdo i interesuar duhet të paraqesë bashkë me aplikimin, edhe dokumentin e njohur zyrtar të institucionit më të fundit arsimor në vendin e tij, ku ai ka studiuar, (vërtetim, dëftesë etj., të përkthyer dhe noterizuar).

    Kushte bazë
    Kandidati për student në institucionet arsimore të Australisë, duhet të plotësojë së pari disa kushte bazë, pa të cilat aplikimi i mëtejshëm do të ishte i dështuar. Kështu:
    -Ai duhet të ketë sigurime shëndetësore
    -Të mos ketë borxhe ndaj Australisë apo vendeve të Komenuellthit.
    -Karakter të cilësuar “të mirë”, sipas kushteve të Zyrës së Emigracionit, që quhen “Deklarata e karakterit”.
    Nga ana tjetër, vizat australiane për studentë, ndahen në 7 nënkategori, duke filluar nga shkolla fillore deri në studimet pasuniversitare. Ne do të përqendrohemi në vizat për shkollat e larta.
    Dokumentacioni
    Minimumi i dokumentacionit që i interesuari i duhet të paraqesë pranë zyrës më të afërt përfaqësuese të shtetit të Australisë, për të aplikuar për vizë studentore, është si vijon:
    -Aplikimi për vizë studentore, formati 157A
    -Pasaporta
    -Konfirmimi i Regjistrimit ose letra e ofertës nga institucioni përkatës arsimor australian ku ju doni të studioni.
    -Dokumentacioni i sigurimit shëndetësor
    -Evidenca që tregojnë se ju keni mundësi të paguani kurset e studimit
    -Evidenca që tregojnë se keni mundësinë financiare për të siguruar jetesën gjatë studimit
    -Dhe rezultatet e ekzaminimeve tuaja shëndetësore
    Mund t’ju kërkohet edhe rezultati i provimeve tuaja të zotërimit të gjuhës angleze nga institucionet e njohura të vendit tuaj.

    Njoftim: Zyra përgjegjëse për aplikimet për vizë australiane të shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova, është ambasada australiane në Athinë. Adresa: Ndërtesa THON, Kryqëzimi Kifisias dhe Aleksandras, Ambelokipi. Kutia Postare 14070, Athinë, Greqi 11510. Telefon 30 210 870 4000 (Ambasada), Fax 30 210 870 4125 (Zyra e Emigracionit). Adresë e-mail: [email protected]

    Lista e dokumenteve që kërkohen
    Të gjithë aplikantët për vizë australiane të emigrantit të kualifikuar, duhet të paraqesin këto dokumente, ose aplikimi do të kthehet si i paplotësuar.
    -Aplikanti duhet të plotësojë në mënyrë korrekte formatin 47SK “Aplikimi për migracion të kualifikuar në Australi”
    -Të paguajë kuotën e tarifës së aplikimit në dollarë australianë, sipas mënyrës së përcaktuar në format, (kurrë në para kesh)
    -Certifikatë e plotë e lindjes dhe të dhënat për personat e tjerë të përfshirë në aplikim, nëse ka.
    -Dokumentacion për vlerësimin e aftësive nga autoriteti i pranimit të aplikimit.
    -Adresën e plotë ku jetoni dhe ku keni parashikuar të jetoni në vazhdim gjatë kohës së procedimit të aplikimit.
    -Aplikimin fillestar që i keni dërguar adresës ASPC, GPO Box 1638, Adelaide SA 5001.
    Të tjera
    -Duhet të përcaktoni qartë profesionin tuaj, siç specifikohet në listën e profesioneve të kualifikuara SOL.
    -Për të gjithë familjarët tuaj, nëse janë në listën e emigrimit ose jo, duhet të paraqisni 4 foto pasaporte të kohëve të fundit, ndërsa identiteti dhe ditëlindja e secilit të jetë e printuar pas fotos.
    -Aplikanti duhet të paraqesë fotokopje të noterizuara të faqeve të pasaportës së tij, që janë të përdorura, (që kanë viza të tjera, shënime etj).
    -Aplikanti duhet të paraqesë dokumente që vërtetojnë përvojën e punës.
    Aplikanti duhet të përfshijë në dokumentacion, evidenca të njohurisë së anglishtes.
    -Nëse posedohet testi IELTS, pranohet vetëm dokumenti origjinal.
    -Aplikanti që synon të plotësojë testin e pikëve, të përfshijë një kopje të çdo licencë pune apo anëtarësie në organizata ekonomike që posedon.
    -Aplikanti duhet të plotësojë formatin 80, “të dhëna personale për karakterin”, dhe të përfshijë detaje të adresave të tij të banimit për 10 vitet e fundit.
    -Çdo person i familjes i varur nga ju, bashkëshorti(ja) apo fëmijët mbi 18 vjeç, nëse emigrojnë me ju ose jo, duhet të plotësojnë formatin 47A, “Detaje për fëmijën ose familjar tjetër mbi 18 vjeç”. Formatet e përmendura gjenden në sajtin e DIMIA.
    -Nëse bashkëshorti(ja) nuk emigron bashkë me ju, detaje pse është marrë ky vendim dhe nëse synon të emigrojë pas jush në vend.
    -Nëse personat e përmendur gjatë gjithë aplikimit tuaj janë të martuar, duhet një certifikatë e martesës së tij/saj, dhe kjo kërkesë vlen edhe në rastet e divorcit, vdekjes së partnerit etj.

    Kërkesat bazë
    Përveç kërkesës kryesore, që fëmija të jetë qytetar australian ose me qëndrim legal të përhershëm në këtë vend, ka edhe disa pika të tjera që duhen plotësuar, për të nisur aplikimin për vizën e prindërve. Kështu:
    -Prindërit duhet të kalojnë të ashtuquajturin “testin e balancimit familjar”. Me fjalë të tjera, nëse prindërit kanë më shumë fëmijë në moshë madhore jashtë Australisë sesa në vend, ata nuk kualifikohen. Në Australi duhet të jetojë të paktën gjysma e fëmijëve të rritur e prindërve. Për shembull, nëse prindërit kanë dy fëmijë në moshë madhore, njëri prej të cilëve jeton ligjërisht në Australi sipas kushteve të përshkruara, ata mund të aplikojnë për “vizën e prindërve”.