Vitore STEFA LEKA/ Dy breza që takohen në një pyetje!

    449
    Sigal

    Ditën e verës këtë vit, familjarisht, e kaluam jashtë qytetit, “larg zhurmës e rrëmetit”. Kjo festë pagane nuk njihet këtu në Trieste e kështu që vendosem ta festojmë për qefin tonë ‘alla shqiptarçe’. Mardena kish përgatitur byrekun tradicional me 12 lloje bimësh dhe Elona na kishte bërë të gjithëve veroret me fije të bardhë e të kuqe, që na i vuri në dorë si byzylyk!

    Përshkuam rrugët e mbushura me njerëz e zhurmë dhe shpejt dolëm në periferi, mes qetësisë dhe ditës së bukur, ku pranvera kishte shpërthyer me tërë hiret e saj!
    Kaluam përmes jeshillëkut, fushave e kodrinave dhe përfunduam në një fshat, i cili nuk figuron ndofta në asnjë nga hartat më të detajuara të Italisë. Mua ky vend, më magjepsi qysh në shikimin e parë.
    Si ka mundësi, mendova, kaq vjet në Itali dhe një bukuri të tillë, të cilën e kisha kaq afër (tre çerek ore nga qyteti) nuk e njihja? Gjelbërimi, i cili “përmbyste shtëpitë, rrugët që kryqëzoheshin si për inat të vizitorëve, vilat që “teshtinin” nga lagështia e ajrit të ngopur, “sytë” e dritareve të qelqta, heshtja poetike, interesimi i ftohtë i pritjes, me një fjalë “Val -Rosandra”, mu duk një parajsë e ëndërruar… Njeriu, qoftë dhe me pak ëndërrim, e krijon parajsën, ashtu e kisha krijuar edhe unë në fantazinë time. Një shesh i gjerë me lule (aty ku ishim, shikoje lule me tepricë), pemë të rënda, që sapo kishin filluar të gjelbëronin dhe duken sikur janë bërë për të prehur shpirtrat (thonë që shpirtrat jetojnë në pemët e dendura e të rënda).
    Befas përpara na del një shesh pakëz i futur. Mbushur me tavolina, e pranë tij restoranti, një vilë e punuar në dërrasë. U ulëm diku, mes pemëve, aty nga ku vinte gurgullima e ujit të një përroi… Veç atyre që kishim marrë me vete porositëm dhe ushqime të tjera sipas menysë. Unë me mbesën, Nicol, bëmë një shëtitje nëpër këtë bukuri përrallore dhe ja, pyetjet e zakonshme të një zonjushe tetë vjeçare. Pyetjet ishin nga më të ndryshmet si, për ditën e verës, për natyrën, për veroren thurur me fije të bardhë e të kuqe, që mami Elona ja kish vënë në dorë një natë më parë sipas zakonit, e pyetje të tjera të ndryshme, kur, befas më beri një pyetje që s’kishte lidhje për çfarë po flisnim: “Nënoke, përse Flamuri Shqiptar e ka shqiponjën me dy koka? Në shkollë kemi mësuar se shqiponja ka vetëm një kokë?”
    Ndjeva një dridhje që më përshkoi të tërën. Shumë e shumë vjet përpara, kur isha në moshën e saj, të njëjtën pyetje ja kisha bërë edhe unë të mirës nënës time… Në moment, më parakaloi para syve fëmijëria, ku e dashura nëna ime, para se të më zinte gjumi ma plotësonte dëshirën duke më treguar ngjarje të ndryshme e të bukura! Ime më ishte arsimtare me provojë të gjatë, pra kishte aftësinë e mrekullueshme të tregonte bukur. Kështu nga pyetja e Nicolit më erdhi ndërmend legjenda që më tregoi për shqiponjat, si lindi legjenda e shqiponjës me dy krerë. E dija përmendsh, se kur mamaja tregonte, unë përpija çdo fjalë të saj… Isha fëmijë sa Nicoli dhe e etur për dije. Nicoli, ma përsëriti dhe një herë pyetjen duke më shkundur nga përhumbja dhe fillova t’i tregojë:

    “Në një fshat malor në Shqipërinë tonë, jetonin disa familje, që me vështirësi përballonin jetën. Me gjithë hallet e përditshme, vinin dhe një grup shqiponjash e i rrëmbenin ndonjë pulë apo çka të gjenin rreth e rrotull. Kulmi arriti, kur i morën të vetmen dele një fshatari. Ky u betua se kur t’i shihte përsëri, do t’i gjuante dhe kështu veproi. Sa u shfaqen shqiponjat ai gjuajti me pushkë dhe plagosi keq në krahë njërën nga shqiponjat. Shoqet se lanë të binte në tokë e rrëmbyen dhe e çuan në fole. Shqiponja më e madhe ndau menjëherë detyrat duke i thënë njërës shqiponjë që, ti do rrish ngjitur me shqiponjën e plagosur që t’ia mbash shpatullën e trupin drejt deri sa të shërohet. Ajo, u ngjit në trupin e tjetrës duke mos e lënë që të ndjente peshën e plagës dhe trupit pa një krahë. Një shqiponjë tjetër u ngarkua që t’i sillte ushqim e t’i ushqente të dyja. Kaluan ditë e plaga s’po mbyllej. Shqiponja e plagosur kishte shumë dhimbje dhe rënkonte natë e ditë! Për t’i lehtësuar dhimbjen, rënkonte dhe shqiponja tjetër. Pas një kohe, shqiponja e plagosur nuk po rënkonte më dhe i tha shoqes vetë: “Ndjehem shumë mirë, nuk kam më dhimbje. Nesër do të fluturoj… Edhe unë s’po ndjej më dhimbje, i tha shqiponja që e ndihmoi, kështu që fluturojmë bashkë. Të nesërmen ndodhi çudia. Banorët e fshatit panë në qiell një shpend gjigant me dy koka. Ç’kishte ndodhur? Duke ndenjur ngjitur me shoqen, plaga u mbyll dhe trupi u bë një me shqiponjën tjetër. Kështu u krijua një shqiponjë me dy koka, që është dhe simbol i flamurit tonë kuq e zi. Kjo shqiponjë, simbolizon solidaritet, unitet, dhe mbështetje ndaj njëri-tjetrit, që na bën të jemi më të fortë në çdo dhimbje e fatkeqësi. Kur ke mbështetjen, krahun e mikun pranë, përballon çdo gjë që të del përpara. Edhe kjo legjendë u krijua për të mëkuar brezat se, vetëm bashkë, dhe vetëm me shok e miq ecet përpara që jeta të bëhet më e bukur.
    Imë mbesë, që po më ndiqte gjithë kohës me vëmendje, mbeti shumë e kënaqur nga legjenda e shqiponjës me dy krerë, por mua më futi në botën e kujtimeve të fëmijërisë dhe legjendave e tregimeve që më mëkonte ime më çdo natë. Një herë në Tiranë, isha me vëllanë tim, të shtrenjtë e të paharruar, Alfredon. Bashkë bëmë një vizitë në Institutin e Folklorit. Me këtë vëlla, kam pasur raporte të veçanta. Më ka dashur shumë, e më ka mbajtur gjithnjë pranë vetes me këshillat e tij të vyera. Kisha shumë gjëra të përbashkëta dhe konsultohesha me të për çdo gjë, deri kur u shua jeta e tij në 11 Tetor 1995.
    Në Tiranë më mori më shumë për t’i bërë shoqëri. Aty, kishte disa punë të vetat dhe nuk ma prishi kur i kërkova të shkonim në Institutin e Folklorit. Atëherë isha “vajzë e rritur”, vazhdoja pedagogjiken dhe etja për dije ishte shtuar! Jemi mrekulluar të dy kur pamë se çfarë pune kolosale bëhej nga ekspeditat shkencore, që mblidhnin duke regjistruar përrallat, proverbat, gjëegjëzat, vallet, këngët e gjithçka të artë e të vyer të traditës sonë folklorike. Këtë pasuri të madhe e kujtoja sa e sa herë në vitet që rrodhën.
    Prej vitesh jetoj larg, dhe si çdo emigrant që ka mall për kujtimet e jetës, sa herë shkoj në Atdhe nuk le vend pa shëtitur për të rifreskuar këto kujtime. Në shtator kur isha në Shqipëri teksa kaloja me një mike para Institutit të Folklorit i thashë: “Hajde hyjmë të lutem se dua të prek ato kujtime që kam parë dikur me tim vëlla”.
    U futëm brenda dhe aty u përballa vetëm me objekte të rrënuara, që dukej sikur nuk po mundeshin të qëndronin në këmbë…, më dhembi shpirti!
    E trishtuar u largova prej andej, m’u shkapërderdhen kujtimet e bukura që kisha dhe m’u duk se pasuritë e folklorit tonë po treteshin njeri pas tjetrit, se mungonte dora që duhej të kujdesej për to! S’kishte shpirt! Dëshpërimin tim ja thashë dhe mikes, bile i thashë më vjen të shkoj të Ministria e Kulturës dhe të trokas fortë, fortë, fortë! Po, a do më dëgjojnë? Unë, brezi im, dhe disa breza të tjerë, shkonim i vizitonim këto kulte të shenjta, që tregojnë kulturën tonë kombëtare, historinë, të qenit autokton, po brezat që do vinë çfarë do të shohin e çfarë do t’i dëshmojmë? Është e trishtueshme të mendosh se, jo vetëm që ka përfunduar në pluhurin e harresës dhe pakujdesisë ky institut, por, ndofta mund të përfundojë si shtëpia e Patriotit, Atdhetarit dhe Mësuesit të madh Themistokli Gërmenjit.