Viti 2015, shqiptarët do paguajnë më shumë për taksat dhe energjinë

    434
    Sigal

    Vitin tjetër, qytetarët shqiptarë pritet të paguajnë më shumë për energjinë, pronat, makinat e vjetra, produktet e luksit, por edhe të ardhurat personale. Bizneset e ekonomistët paralajmërojnë për efekte negative në ekonomi. Taksat, sipas tyre, do të frenojnë konsumin e rrjedhimisht, edhe sipërmarrjen. Ndërsa i sugjerojnë qeverisë që të jetë e matur, në kushtet kur ekziston hapësira për të luftuar informalitetin. Marrëveshja e nënshkruar me Fondin Monetar Ndërkombëtar ka në thelb të saj konsolidimin fiskal të financave shqiptare, duke synuar rritjen e të ardhurave dhe uljen e borxhit publik (pas një tolerance që parashikonte rritje për këtë vit). Nga shumë ekonomistë, madje ndonjëherë edhe nga vetë financat, prania e Fondit me kushtet për të rritur të ardhurat e për të ulur borxhin, është parë si një faktor kushtëzues për të rritur taksat. Por, ajo çka theksojnë përfaqësuesit e FMN-së është objektivi për të ulur borxhin çdo vit. Ekspertët e misionit të fundit kanë bërë të ditur se nuk diktojnë rritje taksash, por i takon qeverisë të gjejë rrugët për përmirësimin e parametrave të buxhetit të shtetit. Ajo çka solli dhe largimin pa dhënë konferencën “tradicionale” për shtyp, sipas njoftimit zyrtar të misionit të fundit, mbetën të papërfunduara tri çështje. Reforma në energji, investimet dhe taksat bënë që fondi të mos mund të arrijë në përfundime as në orët e vona të ditës së fundit të misionit. E ndërsa plani për të rritur çmimin e energjisë u pranua nga vetë shefi i FMN-së gjatë misionit këtu, një sërë taksash e tarifash janë këto ditë mbi tryezat e punës së ekspertëve të Ministrisë së Financave.

    Ku do kemi rritje taksash?

    -Pikësëpari janë taksat mbi pronën, tarifat e të cilave në fillim të këtij viti u dyfishuan, duke kaluar mesatarisht nga 200 në 400 lekë për metër katror. Por, vitin e ardhshëm, rritja e të ardhurave nga pronat pritet të bëhet me një manovër tjetër. Nga taksimi për sipërfaqe këtë vit, pritet të kalojmë në një taksim në bazë të vlerës së pronës vitin e ardhshëm, çka nënkupton barrë më të lartë për banesat e shtrenjta. Në fokus do të vendosen edhe banesat e dyta e pasuritë e tjera të paluajtshme.

    – Të ardhurat personale pritet të taksohen sërish, pas përshkallëzimit të bërë për tatimin mbi pagën. Por, nëse objektivi i këtij viti ishte të taksohen më shumë grupi i punonjësve me të ardhura mbi 100 mijë lekë, ato që Ministria e Financave i quan korrigjimi, rrezikojnë të prekin pagat e nivelit mesatar.

    -Prej janarit të vitit të ardhshëm, prodhuesit e tregtarët e produkteve të akcizës do të përballen me një tjetër rritje të akcizës. Një fakt i përcaktuar tashmë që vitin e kaluar, që parashikonte rritjen graduale të akcizës për disa produkte. Kështu, duhani do të përballet me një rritje prej 10% të akcizës në fillim të vitit 2015 e po kaq do të rritet edhe në vitin 2016.

    -Në listën e taksave të rënduara pritet të jenë edhe makinat e përdorura, një kontingjent i madh për të ardhura në buxhet, po aq sa niveli i lartë i emetimit të dioksidit të karbonit në ambient.

    Këto janë taksa të cilat do të rëndojnë drejtpërdrejt te konsumatorët, por financat nuk do të ndalen me kaq.

    -Te tatimfitimi i sipërmarrjeve pritet të mos ketë shumë ndryshime, pas rritjes me 50% në fillim të këtij viti, por sipërmarrësit do të preken drejtpërdrejt te fitimet e tyre. Në fund të këtij viti, skadon afati i kërkuar nga sipërmarrjet për të mos prekur dividendin. Plani i filluar këtë vit pritet të përfundojë me një rritje prej 50% të fitimit të aksionerëve duke e çuar dividendin nga 10 në 15%.

    Rritja e çmimit të energjisë

    Dalja e ministrit të Energjitikës Damian Gjiknuri, që paralajmëroi rritje çmimi, menjëherë pas ikjes së papritur të FMN-së, u interpretua si një imponim i institucionit ndërkombëtar për rritje të tarifave të energjisë, por edhe të taksave. Ndërsa FMN pohon për mediat se nuk imponon rritje të çmimeve të energjisë dhe as vë kushte për nivelin e arkëtimeve, duke shtuar se për çështjet teknike të energjisë është Banka Botërore ajo që po punon me qeverinë shqiptare. FMN ka ngulur këmbë që qeveria të zbatojë një plan masash për të ulur gropën financiare të energjisë në buxhet. Mënyra më e drejtë do të ishte rritja e arkëtimeve dhe ulja e humbjeve, por fakti që qeveria po shkon drejt rritjes së çmimit dëshmon për mosarritje të objektivave për reduktimin e asaj energjie që vidhet apo shkon dëm. Lajmi se tarifat e energjisë do të rriten, është një kafshatë që vështirë se do të kapërdihet nga ata që paguajnë energjinë, pasi po ndërgjegjësohen se po paguajnë edhe për ata që e vjedhin energjinë. Pas shoqatave të biznesit, edhe konsumatorët po i kërkojnë qeverisë dhe ERE-s të mos e rrisë çmimin e energjisë elektrike, pasi në këtë mënyrë do të ulen arkëtimet, me rënien e fuqisë paguese të familjeve shqiptare. Kjo duket se është arsyeja e hezitimit të qeverisë për të pranuar se në mungesë të të ardhurave shtesë që do të vinin nga ulja e humbjeve në sistemin e shpërndarjes, t’i drejtohet rritjes së tarifave me absurdin se kush paguan, do të paguajë edhe më shumë, e kush nuk paguan do të vazhdojë të mos paguajë.