Visho Ajazi flet për herë të parë pas largimit nga SHISH: Nuk ishte vendimi im

544
Ajo që u paraqit si “dorëheqje” e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, në fakt nuk ishte largim “me dëshirë”, por një vendim i imponuar nga nivele të larta të politikës.
Të paktën këtë gjë ka lënë të kuptohet ish-kreu i SHISH-it, në një mbledhje që ka organizuar me bashkëpunëtorët e tij përpara zyrtarizimit të largimit nga detyra. Në mbledhjen e zhvilluar në SHISH, ku të pranishëm kanë qenë disa nga drejtorët më të rëndësishëm të institucionit, Visho Ajazi, pasi u ka komunikuar largimin e tij nga detyra, ndër të tjera ka thënë se, ky nuk ishte vendim i tij.
Një deklaratë e tillë, e bërë mes bashkëpuntorësh shton edhe më shumë dyshimet për largimin e kreut të shërbimit sekret, i cili kishte marrëdhënie të mira me krerët e shtetit. Madje ai u dekorua edhe nga kryeministri Edi Rama.
Pas largimit të Ajazit nga detyra, media pranë qeverisë përhapën lajmin se ish-kreu i SHISH, kishte aplikuar për një detyrë të rëndësishme në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO). Diçka e tillë ka ndodhur, por të paktën tri muaj më parë, kur Visho Ajazi kishte aplikuar për të qenë pjesë e strukturave të sigurisë në NATO, por aplikimi i tij ishte refuzuar.
Më pas, po media pranë qeverisë dhanë edhe një tjetër skenar për publikun, atë të emërimit të Ajazit si ambasador të Shqipërisë në një nga vendet e BE. Por edhe ky spekulim duket larg asaj që ka ndodhur, pasi në mbledhjen e zhvilluar me ish-varësit, Ajazi, ka lënë të kuptohet se, vendimi për largimin e tij nga kjo detyrë, ishte marrë në nivele të larta politike.
Por përtej spekulimeve dhe skenarëve, bashkëpunëtorët e ngushtë të Visho Ajazit, e kanë të qartë arsyen e largimit nga detyra të shefit të tyre. SHISH-i, ishte institucioni i vetëm që ka dërguar informacione dhe raporte në Prokurori për grupin e Habilajve.
Raporti i parë me të dhëna, emra, lëvizje konkrete, dhe veprimtarinë që kryente ky grup, i është dorëzuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në verën e vitit 2016. Mbi bazën e këtyre informacioneve, Prokuroria regjistroi një procedim penal ndaj të dyshuarve, i cili u pasua nga një tjetër hetim në prill të vitit 2017, një muaj pas largimit nga detyra të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Policia e gjendur nën presionin e mungesës së informacionit, nxitoi të deklaronte se referimin për këtë çështje, e kishte dërguar ajo në prokurori. Por e vërteta është krejt ndryshe. SHISH dërgon një tjetër raport për Habilajt, i cili i shkon paralelisht Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Policisë së Vlorës.
Kjo e fundit, të njëjtat informacione i përcjell në prokurori si kallëzim penal ndaj të dyshuarve. Nisur nga këto të dhëna, bashkëpuntorët e Ajazit janë të bindur se, shefi i tyre u bë “kurban” për Habilajt./Mapo.al/
Sigal